Nëntorin e kaluar shkalla e papunësisë në Eurozonë ra në 6.4 për qind, që është niveli më i ulët që nga vendosja e euros, sipas të dhënave të publikuara të martën nga Zyra Evropiane e Statistikave Eurostat. Ekonomistët nuk prisnin një rënie prej 0.1 për qind në krahasim me tetorin, përcjell kdp.mk njoftimin e agjencive botërore të lajmeve.
Në të gjithë BE-në, shkalla e papunësisë ishte 5.9 për qind në nëntor, kundrejt 6.0 për qind në tetor. Shkalla e papunësisë së të rinjve ishte 14.5% si në BE ashtu edhe në Eurozonë.
Sipas të dhënave të Eurostatit, nëntorin e vitit të kaluar në BE ishin të papunë 12.954 milionë njerëz. Prej tyre, 10.970 milionë ndodheshin në 20 vende që janë pjesë e Eurozonës. Papunësia është ulur për 144.000, përkatësisht 99.000 veta, krahasuar me tetorin e vitit 2023.
Metoda e përllogaritjes e Eurostatit regjistroi shkallët më të larta të papunësisë në Spanjë (11.9 përqind) dhe Greqi (9.4 përqind), dhe më të ulëtën në Republikën Çeke (2.4 përqind) dhe Maltë (2.5 përqind). Belgjika kishte një shkallë papunësie prej 5.6 për qind.
Megjithatë, blloku vazhdon të jetë i shqetësuar për zvogëlimin e popullsisë së aftë për punë, asaj midis moshës 15 dhe 64 vjeçe. Të hënën, Komisioni Evropian njoftoi se BE-së i duhen një milion emigrantë në vit për të kompensuar këtë rënie. Aktualisht, çdo vit hyjnë ilegalisht në BE rreth 3.5 milionë migrantë./KDP/