E shtunë, 24 Maj, 2025

INTERVISTË, BLERIM LATIFI: 2024’TA VIT ZGJEDHJESH, S’DO TË SHËNOHET NDONJË HAP HISTORIK NË DIALOG

ntervistoi: Alma Baxhaku

2023’ta, sipas të gjitha gjasave, ishte periudha më intensive që prej se Kosova dhe Serbia bëjnë dialog. Ky vit solli marrëveshje mes palëve, që u ndërmjetësuan nga Uashingtoni, Brukseli, Parisi e Berlini, por nuk prodhoi shumë efekte në terren. Gjatë vitit të ardhshëm Kurtit dhe Vuçiqit do t’u duhet përsëri të merren me zotimet që i kanë dhënë – lista e detyrave është e gjatë.

Por, profesori i filozofisë, Blerim Latifi, duke u bërë një analizë këtyre zhvillimeve në një intervistë për fundvit në Gazetën Express thotë se nuk pret shumë.

“Unë parashoh vazhdimin e një lufte diplomatike nervash, vajtje-ardhje diplomatësh në Prishtinë e Beograd, takime në Bruksel dhe pak fryte, pra njëlloj riciklimi të vitit të kaluar”, shton ai.

Duke analizuar veprimet e Kurtit, Latifi thotë se ai po manovron “për të gjetur një rrugë të tretë midis premtimit opozitar dhe detyrimit ndërkombëtar”.

“Pjesë e këtyre manovrave është edhe shqetësimi i tij personal për të mos mbetur në histori si njeriu që nënshkroi autonominë serbe në Kosovë”, thekson ai.

Këtu, sipas Latifit, hyjnë në lojë edhe zgjedhjet të cilat “janë një mundësi e mirë” e Kurtit për t’i arritur dy gjëra: blerjen e kohës në kontekstin e presionit ndërkombëtar për shtyrjen përpara të zbatimit të Asociacionit dhe sigurimin e mandatit të dytë qeverisës.

“Kjo më shtyn të mendoj se viti 2024 do të jetë vit zgjedhjesh në Kosovë e duke qenë i tillë ky vit nuk do të shënojë ndonjë hap historik në procesin e dialogut me Serbinë. Sepse kur ka zgjedhje kërkohet retorikë tjetër nga ajo që e kërkon logjika e dialogut. Kjo vlen sidomos në këto shtetet tona të Ballkanit Perëndimor”, thotë ai.

Duke komentuar paralajmërimet e lidershipit në Kosovë se Serbia mund të sulmojë në Kosovë, Latifi nuk e përjashton mundësinë e incidenteve të kufizuara të armatosura, të cilat do të mund të ndodhin në situatat kur Vuçiqit i duhen për të fuqizuar pushtetin e tij në Beograd.

Analisti Latifi ka përmendur edhe rreziqet që mund të bartë përfshirja e Kurtit në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, duke paralajmëruar për pasoja.

“E para, mund të krijohen tensione krejtësisht të panevojshme midis dy vendeve dhe e dyta mund të delegjitimohet kërkesa jonë e vazhdueshme për mosndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës”.

Intervista e plotë:

Gazeta Express: Gjatë vitit që po e lëmë pas ndodhi përplasja e madhe Kosovë-Serbi për Veriun, që kulmoi me Banjskën. Në studiot televizive e keni përshkruar si luftë klasike për kontroll të asaj pjese. Sot kur situata është më e qetë, sipas jush, kush e ka fituar këtë betejë?

Blerim Latifi: Padyshim viti që po lëmë pas ka kaluar nën hijen e ngjarjeve në veriun e Kosovës, kulminacioni i të cilave ishte më 24 shtator. Është e mirënjohur se në strategjinë e Serbisë për ta defunksionalizuar shtetin e Kosovës, veriu ka luajtur gjithmonë një rol kyç, krahas përpjekjeve diplomatike në rrafshin ndërkombëtar. Një shtet përkufizohet, mes tjerash, edhe me kapacitetin për të ushtruar kontroll të plotë mbi territorin e tij dhe nisur nga kjo Serbia vazhdimisht ka investuar në struktura kriminale e paramilitare për t’ia pamundësuar këtë ushtrim kontrolli Kosovës në pjesën veriore të saj. Sulmi në Banjskë erdhi në një moment kur pozicioni i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar ishte tejet i dobësuar dhe i kritikuar ashpër nga miqtë tanë perëndimorë dhe kjo në Serbi u lexua si dritë e gjelbër për të shkuar më tutje në planet e Beogradit që përmes një kryengritje te armatosur veriu i Kosovës de fakto të shkëputej nga kontrolli i Prishtinës. Falë policisë së Kosovës dhe ndihmës konkrete operative të aleatëve tanë kryesorë, ky plan dështoi. Kosova shënoi një fitore policore. Kësaj duhet shtuar edhe operacione pasuese të cilat në masë të madhe e kanë çmontuar organizimin mafiozo-politik në veri, por, sigurisht, ende ka shumë punë për t’u bërë. Çështja tash është se si kjo fitore policore të përkthehet në fitore politike. Kjo sfidë do të jetë një nga sfidat kryesore të vitit që po vjen.

Gazeta Express: Ka disa shenja, siç është ndërrimi i targave nga serbët, se në Veri gjërat mund të kthehen në “normalitet”. Atje pritet të mbahen zgjedhje në katër komuna, pastaj kthimi eventual i serbëve në institucionet tjera të Kosovës, formimi i Asociacionit. Në bazë të asaj që keni parë muajt a fundit, a ju duket se këto zhvillime po ndodhin sipas një skenari ose spekulohet se ka një skenar?

Blerim Latifi: Natyrisht se ka skenarë dhe projeksione se si duhet ecur më tutje në çështjet të cilat ju i përmendët në pyetjen tuaj. Intervista e fundit për Gazetën Express, të cilën e dha ndërmjetësuesi në dialog, Miroslav Lajçak, na e bëri të qartë se si Bashkimi Europian është duke i menduar hapat e ardhshëm. Unë jam i prirur të jem pesimist se gjërat do të lëvizin shpejt. Marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe në Ohër tani janë në situatën e një ngërçi, i cili vjen nga fakti se palët e marrëveshjes dhe ndërmjetësuesit e saj nuk po e gjejnë një gjuhë të përbashkët rreth prioriteteve të zbatimit, pra rreth asaj se si dhe nga duhet filluar implementimi i marrëveshjes, pjesë e të cilit është edhe Asociacioni. Unë parashoh vazhdimin e një lufte diplomatike nervash, vajtje-ardhje diplomatësh në Prishtinë e Beograd, takime në Bruksel dhe pak fryte, pra njëlloj riciklimi të vitit të kaluar.

Gazeta Express: Kjo situatë kur Kosova dhe Serbia duket se janë në një fazë shumë armiqësore mes vete, a mund të na sjellin në fazën që po e kërkon Perëndimi, pra zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, që po përshkruhen si njohje de facto nga Serbia dhe hapje e mundësive për Kosovën në arenën ndërkombëtare?

Blerim Latifi: Duhet të jemi të qartë: prioriteti i Perëndimit në raport me Serbinë nuk është Kosova, por largimi i Serbisë nga orbita e influencës ruse, sidomos pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Serbia është duke e shfrytëzuar këtë për të përfituar sa më shumë që është e mundur në kurriz të Kosovës. Kjo e shpjegon faktin se presioni më i madh viteve të fundit është mbi Kosovën, e jo mbi Serbinë. Kjo disi na ka zënë në befasi dhe ende jemi disi të hutuar. Pra, jemi në një situatë gjeopolitike shumë të rrëshqitshme, që do të thotë në një situatë në të cilin duhet të kemi shumë kujdes në hapat që vendosim t’i hedhim. Siç e thashë edhe më lart – nuk jam optimist se do të kemi hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, sepse kjo e fundit nuk është e interesuar realisht për këtë gjë. Ajo është e interesuar për ta ruajtur gjendjen ekzistuese të raporteve me Kosovën, sepse kjo gjendje realisht është kthyer në bllokim të avancimit të shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Në rast se nuk do të kemi një presion serioz nga Perëndimi mbi Serbinë, nuk besoj se do të kemi një zhvillim pozitiv në strategjinë e normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve.

Gazeta Express: Pati edhe një paralajmërim nga Kryeministri Kurti ditëve të fundit për një sulm të mundshëm nga Serbia. Shumëkush këto i sheh si një alarm fals për politikë ditore. A duhet të kemi frikë nga një sulm i tillë apo duket paksa surealiste që Serbia t’i hyjë një aventure edhe me NATO’n që është e mandatuar për sigurinë këtu?

Blerim Latifi: Të jemi realistë, në situatat kur ke fqinj që nuk ta njohin shtetin dhe për më tepër hapur shfaqin aspirata pushtimi, është krejtësisht e natyrshme ta konsiderosh rrezikun e një konflikti të armatosur, shto kësaj se vetëm para disa muaj më parë ne e patëm rastin e Banjskës. Por, shikuar nga një perspektivë tjetër, gjendja duket më pak alarmante, sepse Kosova është nën mbrojtjen ushtarake të NATO’s dhe kjo mbrojtje do të vazhdojë të jetë prioritet i kësaj aleance. Kjo gjithsesi nuk i përjashton mundësinë e incidenteve të kufizuara të armatosura, të cilat do të mund të ndodhin në situatat kur Vuçiqit i duhen për të fuqizuar pushtetin e tij në Beograd. Regjimi i tij është autoritarist dhe regjimet autoritariste gjithmonë janë të gatshme të nisin gjakderdhje me fqinjët për t’i neutralizuar kundërshtarët e brendshëm të regjimit. Sa i përket kryeministrit Kurti, është e qartë se ai do ta përdorë rastin e veriut për të fuqizuar pushtetin e tij dhe unë mendoj se në zgjedhjet e reja në narrativën e tij elektorale ajo që ka ndodhur në veri gjatë vitit 2023 do të jetë pjesë qendrore. Politikanët janë të njëjtë gjithandej: luajnë me frikën dhe shpresat e njerëzve për llogari të pushtetit të tyre. Natyrisht as Kurti nuk bën përjashtim prej këtij rregulli.

Gazeta Express: Po diskutohet shumë pse Kryeministri Kurti nuk pranoi të shkruajë vetë një draft-statut për Asociacionin – me siguri që motivi pse Kurti s’ka bërë propozim është e kaluara e tij refuzuese ndaj Asociacionit, por a mendoni se Kosova do të ishte në gjendje të prodhojë një dokument që mund të akomodonte kërkesat e saj, të serbëve dhe Perëndimit?

Blerim Latifi: Përkundër vërejtjeve të Perëndimit, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të jetë një institucion që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, pra me sovranitetin e brendshëm të Republikës së Kosovës, mendimi dominues në skenën politike të Kosovës, pra tek të gjitha partitë, është se ky Asociacion është një autonomi e serbëve të Kosovës. Kjo është arsyeja pse ka 10 vite që zvarritet kjo çështje. Vetë Kurti me vite e ka mbrojtur këtë pikëpamje dhe ka premtuar se me të ardhur në pushtet ai do ta nxjerrë nga loja projektin e këtij Asociacioni. Por, ja që tani nuk po ia del ta bëjë këtë punë. I mbetur midis premtimit të dhënë sa ishte në opozitë dhe pamundësisë për të mbajtur këtë premtim tani që është në pushtet, Kurti po përpiqet të manovrojë për të gjetur një rrugë të tretë midis premtimit opozitar dhe detyrimit ndërkombëtar. Pjesë e këtyre manovrave është edhe shqetësimi i tij personal për të mos mbetur në histori si njeriu që nënshkroi autonominë serbe në Kosovë. A do t’ia dalë në këto manovra? Nuk e di. Viti që po vjen do të na japë përgjigjen. Edhe një gjë: të mos harrojmë se këtë shqetësim si të Kurtit e kanë edhe liderët e tjerë politikë të Kosovës. Dhe ky shqetësim na tregon pse Kosova nuk ka qenë kurrë në gjendje të prodhojë vetë një dokument-ofertë për Asociacionin, të cilin Perëndimi do ta akceptonte.

Gazeta Express: A shihni ndonjë tentim nga Kryeministri Kurti për t’i ikur zotimit që e dha para tre liderëve europianë duke e çuar vendin në zgjedhje?

Blerim Latifi: Zgjedhjet gjithsesi janë një mundësi e mirë e Kurtit për t’i arritur dy gjëra: blerjen e kohës në kontekstin e presionit ndërkombëtar për shtyrjen përpara të zbatimit të Asociacionit dhe sigurimin e mandatit të dytë qeverisës. Kjo më shtyn të mendoj se viti 2024 do të jetë vit zgjedhjesh në Kosovë, e duke qenë i tillë, ky vit nuk do të shënojë ndonjë hap historik në procesin e dialogut me Serbinë. Sepse kur ka zgjedhje kërkohet retorikë tjetër nga ajo që e kërkon logjika e dialogut. Kjo vlen sidomos në këto shtetet tona të Ballkanit Perëndimor.

Gazeta Express: Si e shihni faktin që Kryeministri Kurti vendosi të përfshihet me Vetëvendosjen në garë zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Në Shqipëri s’pati sukses, çfarë shanse ka në Maqedoni? A ju çuditi së pari ky hap i tij? 

Blerim Latifi: Kurti asnjëherë nuk e ka fshehur ambicien e tij për të projektuar influencë politike përtej kufijve të Kosovës. E ka bërë në Shqipëri, por pa sukses. E ka bërë në Luginë të Preshevës, me sukses. E ka bërë edhe në diasporën shqiptare që voton në Zvicër, ndërsa tani edhe më Maqedoninë e Veriut. Derisa në rastet e mëparshme rreziqet e këtij projektimi të influencës jashtë shtetit, kanë qenë pothuajse inekzistente, në rastin e Maqedonisë së Veriut gjërat janë më të komplikuara dhe ka rrezik për shfaqjen e dy pasojave të dëmshme për vetë Kosovën. E para, mund të krijohen tensione krejtësisht të panevojshme midis dy vendeve dhe e dyta mund të delegjitimohet kërkesa jonë e vazhdueshme për mosndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Sepse nëse ti vetë ndërhyn në punët e brendshme të një shteti tjetër, pse atëherë kërkon që të tjerët të mos ndërhyjnë në punët e tua të brendshme? Është logjikë reciprociteti kjo. Si ajo rregulla e etikës kantiane: mos ia bëj tjetrit, atë që nuk do tjetri ta bëjë ty! Por, sigurisht ky projektim i jashtëm i influencës politike gjithmonë e ka edhe dimensionin e brendshëm politik, sepse një lider që ka influencë edhe jashtë kufijve të shtetit të tij, mundet ta shfrytëzojë këtë influencë për të fuqizuar pushtetin e tij brenda shtetit.

Të fundit