Nëse do të mbështeteshim në përshtypje, atëherë mund të konstatohet se si ambasadori amerikan, ashtu edhe ai rus po llogarisin në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por po të gërvishtet pak më thellë, arrijmë në përfundimin se interesat e tyre janë gjeopolitikisht të ndryshme dhe ato dominojnë mbi parimet, thonë bashkëbiseduesit e portalit të pavarur serb “Danas” në përgjigje të pyetjes se a duket se si Christopher Hill ashtu edhe Aleksandar Bocan Kharchenko e mbështesin Vuçiqin, përkatësisht se interesat e tyre janë përputhur, – përcjell kdp.mk.
Mesazhi më mbresëlënës i ambasadorit amerikan Hill në paraqitjen e tij të parë pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit dhe rrethanave të krizës paszgjedhore ishte se ai i gëzohet bashkëpunimit me qeverinë e re, ndërsa pas përpjekjes së opozitës për të hyrë Oborrin e Vjetër (Asamblenë e Qytetit të Beogradit- sqarim i red.) dhe ndërhyrjes së policisë, ai sërish befasoi publikun me orientim opozitar duke thënë, ndër të tjera, se në shoqëritë demokratike nuk ka vend për protestat e dhunshme.
Ambasadori rus Bochan Kharchenko, po ashtu i gëzohet bashkëpunimit me Vuçiqin dhe zbulon se i ka thënë atij gjatë takimit pas trazirave para Oborrit të Vjetër se pas tyre qëndron Perëndimi.
Jelica Miniq, kryetare e Lëvizjes Evropiane në Serbi, thotë për “Danas” se nëse mbështetemi në përshtypjen e publikut në Serbi, atëherë mund të konfirmohet hipoteza e shtruar në pyetjen e mësipërme.
“-Megjithatë, kemi dallime në nuanca. Departamenti i Shtetit, sidomos pas konfliktit me policinë, i cili me shumë gjasa është inskenuar nga policia para bashkisë, bëri një deklaratë të ashpër. Shumë më ashpër se sa ajo që tha ambasadori Hill për zgjedhjet. Kërkohet që të analizohen të gjitha vërejtjet dhe konkluzionet e OSBE-së ose të misionit të saj vëzhgues të zgjedhjeve. Të analizohen dhe të veprohet për të metat e shumta, sikurse janë sulmet ndaj nëpunësve publikë, keqpërdorimi i burimeve publike, futja e fletëvotimeve të parregullta, sjellja e votuesve fantazmë për të votuar, vendqëndrimet e rrejshme. Dhunën ndaj gazetarëve, organeve zgjedhore dhe vëzhguesve të akredituar Departamenti i Shtetit e konsideron të papranueshme,”- thotë Miniq duke shtuar se mund të gjendet edhe një intervistë me ish-ambasadorin amerikan Michael Kirby, i cili bën një analizë më të ashpër.
“-Zoti Kirby tha diçka që ruan qëndrimin e përgjithshëm të deritashëm të të ashtuquajturit Perëndim, dhe ai është se ai vlerëson se në Serbi nuk ka një masë të mjaftueshme qytetarësh që është gati të përmbysë praktikisht pushtetin e Aleksandër Vuçiqit dhe se përkundër gjithë asaj që ka ndodhur, partia e tij është më e popullarizuara. Këto tani janë dallime të rëndësishme në lidhje me mënyrën se si ne e shikojmë situatën në të cilën ndodhemi dhe si e shikojnë ata nga jashtë. Por vlerësimi është se në Serbi ende nuk ka një opozitë mjaft të fortë, kështu që ajo opozitë në thelb nuk po ndihmohet dhe nuk përkrahet. Thjesht, Perëndimi duket se po zgjedh që Vuçiq të mbetet një partner i besueshëm,” – vë në dukje J. Miniq.
Mirëpo, sipas saj, ka qëndrime të ndryshme nga Evropa ku mund të shohim dallimet ndërmjet demokratëve, socialistëve, të gjelbërve apo liberalëve dhe këtu mund të shihet një shqyrtim shumë më serioz i problemit të parregullsive zgjedhore në Serbi dhe dënimi i këtyre parregullsive.
Kur është fjala për qëndrimet ruse, ajo thotë se Rusia ishte ndër të parat që e përgëzoi presidentin Vuçiq për suksesin e tij në zgjedhje dhe që hedh poshtë të gjitha parregullsitë. Rusia, thotë Jelica Miniq, e identifikon situatën në Serbi me situatat në Ukrainë, Gjeorgji, Kirgistan, se opozita po përpiqet të ndryshojë pushtetin me dhunë, se po përpiqet të bëjë “maidanizimin” që Serbinë e çon në katastrofë.
“-Pra, Rusia në një mënyrë të tërthortë në fakt po i kanoset opozitës në Serbi. Megjithatë, mund të shohim përsëri se të gjithë po llogarisin në dikë që deri tash ka qenë partneri i tyre i sigurt. Me këtë rast, Rusia ka interesat e veta, kurse Amerika të tjera. Interesat e tyre nuk janë identike, por duket se interesat mbizotërojnë mbi parimet,” – përfundon Miniq duke saktësuar se është interes rus që Serbia momentalisht të jetë një faktor prishës në Ballkan, sepse me këtë largon vëmendjen nga Ukraina.
E pyetur se cilat janë ato interesa, ajo përgjigjet se është në interesin e Rusisë që Serbia të jetë aktualisht një faktor përçarës në Ballkan, sepse largon vëmendjen nga Ukraina.
“-Kur është fjala për Amerikën, përfshirja e Serbisë në BE dhe NATO do të ishte ideale, por derisa kjo të mos bëhet realitet, Vuçiq vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm, sepse përmes tij në të vërtetë në Kosovë arrihen zgjidhjet e parapara me marrëveshjet e fundit. Lavdërohet pushteti sepse u pranuan targat dhe zgjedhjet lokale kosovare. E gjithë ajo për shkak të së cilës për pak se nuk shpërtheu lufta. Është gjetur një zgjidhje për shpërndarjen dhe faturimin e përdorimit të energjisë elektrike. Serbia, me sa mund të mësohet nga ato qarqe, ishte pozitive për draftin e paraqitur të statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe. Sjellja e Serbisë tani, pas Banjës, vlerësohet sërish si e pranueshme, ndonëse nuk ka konsekuenca pas asaj ngjarjeje. Por, duket sikur të gjithë hapat e gabueshëm thjesht injorohen,”- shprehet Miniq.
Edhe Branka Latinoviq, ish-ambasadore serbe në OSBE, thotë për “Danas” se mbështetja është e dukshme dhe se ka interesa, por që nuk janë të të njëjtit qëllim gjeostrategjik.
“-Më shumë se më parë, mesazhet e ndryshme që ato ngërthejnë, e konfirmojnë këtë. Deklarata e ambasadorit rus është, para së gjithash, e një natyre mbrojtëse me qëllim që Serbia të mbrohet nga rreziku i “ndodhjes së Maidanit të ri”. Përdorimi i këtij termi dhe konteksti në të cilin përmendet ka potencial destabilizues në fazën e ardhshme të marrëdhënieve me Perëndimin. Deklarata e ambasadorit Harçenko, dhënë për mediat ruse, është e pashembullt, e pazakonshme për një ambasador të akredituar. Madje shumështresore, sepse ai kritikon hapur, diskrediton ato parti politike dhe me këtë edhe një pjesë të trupit votues të këtij vendi që ia dha votën e vet dikujt që nuk është pjesë e partisë politike që fitoi më shumë vota. Me fjalë të tjera, ai shprehu njëanshmërinë e tij,” – thekson Latinoviq.
Ndërkaq, shton ajo, deklaratën e ambasadorit Hill duhet parë në kontekstin e përpjekjeve të tij, të cilat ai i përkufizoi si objektiv strategjik që nga fillimi i marrjes së funksionit – afrimi më i fortë dhe i gjithanshëm i Serbisë dhe SHBA-së, por pa “thyerje” të mëdha të arrihet ky qëllim hap pas hapi, gradualisht por në mënyrë të besueshme dhe të qëndrueshme.
“-Në momentin kur përfundon procesi i ndërrimit të targave në Kosovë, Hill nuk dëshiron që ky qëllimi i tij të vihet në pikëpyetje. Prandaj edhe deklarata që ai bëri, i vetëdijshëm për faktin se këtë mund ta arrijë vetëm me vazhdimin e bashkëpunimit të plotë, të padiskutueshëm me presidentin Vuçiq,” – shpjegon Latinoviq.
Sipas fjalëve të saj, SHBA-të, përkatësisht Perëndimi, nuk duan surpriza në këtë hapësirë, por ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, të cilat shumë lehtë mund të bëhen të brishta.
“-Deklarata e Departamentit të Shtetit, nga ana tjetër, e vë theksin mbi nevojën që të gjitha parregullsitë e konstatuara të sqarohen në bashkëpunim me Misionin Vëzhgues të ODIHR/OSBE-së. Kjo nuk është e rastësishme, sepse SHBA-ja, që nga Karta e Atlantikut më 1941, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë zgjedhjeve, ndërsa nga ana tjetër, vet ODIHR/Zyra për Zgjedhje të Lira dhe të Drejtat e Njeriut, si institucion i veçantë i OSBE-së, është një fëmijë amerikan, për shkak se ishte propozimi i tyre në Samitin e OSBE-së në Paris 1990,” – rikujton Latinoviq duke përfunduar se që nga themelimi i tij, SHBA i kushtojnë një rëndësi të veçantë punës dhe integritetit të këtij institucioni të OSBE-së./KDP/