Fitorja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është negative dhe e rrezikshme, në radhë të parë për stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës, por edhe të Malit të Zi dhe Kosovës, sepse ai, përmes aleatëve të tij në këto vende, do ta prezantojë veten dhe Serbinë si lojtarë të vetos në rajon, thotë analisti nga Podgorica, Zllatko Vujoviq, për Radion Evropa e Lirë. Dhe këta aleatë ishin pranë tij në natën kur ai shpalli fitoren në zgjedhje.
Millorad Dodik nga Bosnje dhe Hercegovina dhe Andrija Mandiq nga Mali i Zi ishin në skenë më 17 dhjetor, kur Vuçiq tha se Partia e tij Përparimtare Serbe i ka fituar zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Të dy ata, përndryshe, janë zyrtarë të lartë të vendeve të tjera – Dodik është president i Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa Mandiq është kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.
Pikërisht përmes tyre, Serbia do të përpiqet të ndikojë në politikën e fqinjëve të saj, thotë Vujoviq.
“Këtu e kam fjalën për partinë e Mandiqit, veprimet e Dodikut, por edhe për Listën Serbe në Kosovë. Prandaj, Serbia do të paraqitet si një lojtare e vetos, e cila nëse nuk mund ta kontrollojë dhe menaxhojë procesin e integrimit evropian, mund ta bllokojë atë. Është shumë e rrezikshme për Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kosovën”, thotë Vujoviq.
Dodik është udhëheqës pro-rus i serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë dhe është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Mandiq është udhëheqës i Frontit Demokratik pro-rus, i shpërbërë së voni, dhe me vite ka bërë thirrje për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Mali i Zi. Ai, po ashtu, e kundërshton anëtarësinë e Malit të Zi në NATO.
Në kuadër të mbështetjes për serbët jashtë Serbisë, Beogradi zyrtar përkrah politikisht dhe financiarisht forcat e Dodikut dhe ato të Mandiqit.
Por, Vujoviq thotë se bashkëpunimi i Vuçiqit me Mandiqin dhe Dodikun mund të përfshijë edhe mënyra të tjera ndihme, përveç këtyre.
Ai thotë se rreziku më i madh është shfrytëzimi i votuesve nga vendet tjera për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në vendin ku mbahen – gjë që ndodhi në zgjedhjet e fundit në Serbi.
Ish-drejtori i AKI-së, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë se zgjedhjet në Serbi kanë treguar se “rrjeti nacionalist” në këtë vend “vazhdon të gëzojë mbështetje të madhe” dhe si i tillë “ka marrë edhe mbështetjen e udhëheqësve serbë në vendet e tjera, përfshirë Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi”.
“Nëse shikojmë se si [partitë në Serbi] e kanë bërë fushatën zgjedhore, atëherë vëmë re se bëhet fjalë për panserbizëm. Udhëheqja aktuale, e cila tashmë edhe është konfirmuar, promovon panserbizmin dhe kështu kërcënon sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor”, thotë Ramadani.
Ai shton se panserbizmi, i cili në të kaluarën kishte edhe emra të tjerë, si ‘Serbia e Madhe’ dhe ‘Bota serbe’, tani mund të kalojë në ‘konfederatë të territoreve serbe’, e cila është gjithashtu një lloj kërcënimi për Ballkanin Perëndimor.
Fakti që Dodik dhe Mandiq ishin në podium pranë Vuçiqit, Millan Sitarski, nga Instituti për Kërkime Sociale-Politike në Mostar, thotë se është përpjekje e tyre për të tërhequr një pjesë të kapitalit politik të presidentit të Serbisë.
“Marrë parasysh se ai është president i Serbisë, ka mbështetjen që e ka dhe ka 11 vjet që është në pushtet, ata shohin në këtë arsye për ta transferuar një pjesë të kapitalit të tij simbolik te vetja e tyre”, thotë Sitarski.
Sipas tij, prania e Dodikut pranë Vuçiqit tregon gjithashtu se ata i kanë përmirësuar marrëdhëniet, të cilat janë ftohur para zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnje dhe Hercegovinë në tetor të vitit 2022, kur Vuçiq ka refuzuar ta mbështesë Dodikun dhe ka mbështetur kundërshtarët e tij.
Sitarski beson se ka një rivalitet mes Dodikut dhe Vuçiqit. Megjithatë, mes tyre ka edhe ngjashmëri, si qëndrimi ndaj Kosovës, mospranimi i sanksioneve kundër Rusisë dhe afërsia me Kishën Ortodokse Serbe.
Vuçiq dhe Dodik kanë, po ashtu, marrëdhënie të mira me Moskën zyrtare. Dodik është takuar intensivisht me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë dy vjetëve të fundit.
Prej vitesh, ai pretendon se Bosnje dhe Hercegovina nuk është shtet funksional dhe se serbët atje janë të kërcënuar. Ai ka paralajmëruar, po ashtu, shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.
Dodik është nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për “minimin e legjitimitetit dhe paqes së fituar me vështirësi” në Bosnje dhe Hercegovinë.