E shtunë, 20 Korrik, 2024

PARLAMENTI SHQIPTAR VOTON QË DR BERISHËS T’I HIQET IMUNITETI

Kuvendi i Shqipërisë votoi të enjten në favor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK) për t’ia hequr imunitetin e deputetit, ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i hapur rrugën arrestimit të tij nën dyshimin për korrupsion. Prokurorët u kërkuan ligjvënësve javën e kaluar t’ia heqin Berishës imunitetin parlamentar, sepse ai nuk i ishte përmbajtur urdhrit për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej nën dyshimet për korrupsion,- përcjell kdp.mk njoftimin e medias në Tiranë.

Me 75 vota në favor, Kuvendi I Shqipërisë ka miratuar kërkesën për t’ia hequr imunitetin parlamentar ish-Presidentit Sali Berisha.

Në tetor, SPAK-u njoftoi se Berisha akuzohet për korrupsion në një rast bashkë me dhëndrin e vet, Jamarbër Malltezi, për privatizimin e paligjshëm të kompleksit sportiv Partizani.

Opozita u përpoq ta pengojë votimin duke hedhur flakadanë në seancën foltorja e të cilës u sigurua nga një numër i madh i rojeve të sigurisë, ndërkohë që pranë ndërtesës së Kuvendit protestuesit e kundërshtuan vendimin.

Berisha, duke folur gjatë protestës pranë Kuvendit, e quajti vendimin antikushtetues.

“Kuvendi antidekomratik votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese dhe ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Ky vendim jo që nuk do ta shkatërrojë opozitën, por do ta mobilizojë atë në shkallën më të lartë dhe me moton: ‘o sot o kurrë’, do t’i japë përgjigjen më të merituar këtij regjimi”, tha Berisha.

Në një reagim të tij, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e ka quajtur antikushtetues vendimin për heqjen e imunitetit të Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

“Vendimi antikushtetues i Kuvendit ndaj Sali Berishës, miratuar vetëm me votat e Edi Ramës, pa arsyetim dhe prova, është akt i mirëfilltë politik. Shpërfillja e Kushtetutës dhe ligjit në rastin konkret, është standardi më i keq i vendosur në një shoqëri demokratike. Cilido duhet të jetë i barabartë përpara ligjit, por barazia duhet të ekzistojë edhe në të drejta. Një standard për bashkëpunëtorët e Edi Ramës dhe një tjetër standard tërësisht i ndryshëm për kundërshtarët e Edi Ramës, nuk është as barazi dhe as drejtësi”, – shprehet Bardhi.

Ndrëkaq, kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha, përmes një deklarate për media, është shprehur se e mbështet kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke thënë se është standard i vendosur dhe do të ndiqet gjithmonë nga PD dhe deputetët e saj:

“Shfaqja e shëmtuar që dyshja Rama Berisha u ofron çdo të enjte shqiptarëve, mungesa e debatit dhe bllokimi i jetës parlamentare janë akte që i shërbejnë një qeverie të dështuar dhe një segmenti opozitar që së bashku përpiqen ti fshihen drejtësisë”, –  thuhet në deklaratën e PD-së zyrtare.

Të mërkurën, Gjykata Kushtetuese vendosi se grupi i deputetëve që kërkoi interpretim mbi masat e sigurisë së SPAK-ut dhe GJKKO-së ndaj deputetit Sali Berisha, nuk legjitimohet për t’iu drejtuar gjykatës dhe se kërkesa e tyre nuk plotëson kriteret ligjore për t’u pranuar për shqyrtim në seancë plenare.

Grupi i deputetëve i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të interpretojë nenin 73/2 të Kushtetutës, ku thuhet se deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria pa autorizimin e Kuvendit.Ata kërkuan zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes Kuvendit, SPAK-ut dhe GJKKO lidhur me heqjen apo kufizimin e lirisë së deputetit pa autorizim të Kuvendit, si dhe shpalljen si të papajtueshme me Kushtetutën si dhe pezullimin e masave të sigurisë që SPAK dhe GJKKO vendosën më 20 tetor ndaj deputetit Sali Berisha, kur ai u shpall person nën hetim për çështjen e procedurave të privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani. Gjykata Kushtetuese theksoi në vendim se grupi deputetëve nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës, sepse grupi dhe Kuvendi janë subjekte kushtetuese të ndryshme, që nuk mund të barazohen me njëri tjetrin.

Akuzat

Sali Berisha (79), u akuzua në tetor se e kishte abuzuar pozitën e tij duke e ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi të blejë tokë në Tiranë e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe t’i ndërtojë 17 ndërtesa banimi në atë tokë.

Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se rasti ndaj tyre është i nxitur nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste.

Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar, siç e quajnë ata, sundimin tejet autoritar të socialistëve.

Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997.

Shtetet e Bashkuara, në maj 2021, dhe Britania e Madhe, në korrik 2022, ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afër të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion./Agjencitë&KDP/

Të fundit