E mërkurë, 24 Korrik, 2024

MOSDURIMI NDAJ TJETRIT NË SHKOLLËN FILLORE NË ÇASHKË: KUSH PO NXIT TENSIONE NDËRETNIKE?

Prindërit dhe fëmijët shqiptarë të komunës së Çashkës, që ndodhet rreth 40 kilometra nga Shkupi, nuk iu gëzuan vendimit të Ministrisë së Arsimit për hapjen e paraleles së parë me mësim në gjuhën shqipe, pasi kjo po kundërshtohet nga banorët maqedonas të kësaj komune, raporton REL, përcjell KDP.

Kjo komunë, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2021 ka rreth 7.942 banorë dhe prej tyre 4.032 janë shqiptarë, kurse 3.071 maqedonas, por lokaliteti ku ndodhet shkolla është i banuar me maqedonas.

Ata tash e disa ditë nuk po i lejojnë fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë, në shenjë revolte për shkak të vendimit të Ministrisë së Arsimit, që në shkollën “Todor Janev” mësimi të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.

Në këtë shkollë fillore mësojnë 200 nxënës dhe prej tyre 70 janë shqiptarë, por mësimin e ndjekin në gjuhën maqedonase të shpërndarë nga klasa e parë deri në të nëntën.

“Kjo na takon [mësimi në gjuhën shqipe] na takon dhe duhet të bëhet. Është turp që fëmijët tanë të mësojnë në gjuhën maqedonase kur kanë mundësi të mësojnë në gjuhën shqipe. Nuk e di pse kjo u pengon maqedonasve”, thotë Xhevair Emini, banor i fshatit Banjicë në komunën e Çashkës.

Ai thotë se për shkak të mungesës së paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, fëmijët i ka dërguar në Shkup që të mësojnë në gjuhën amtare.

“Për shkak të fëmijëve, unë kam mbetur vetëm në shtëpi pasi ata i kam dërguar në Shkup të mësojnë në shqip. Pse të mos mësojnë në komunën tonë në gjuhën shqipe”, thotë Emini.

Por, prindër të tjerë në mungesë të kushteve, fëmijët kanë qenë të detyruar t’i regjistrojnë në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase dhe kjo ka bërë që ata të mos dinë shkrim dhe lexim në gjuhën shqipe.

“Fëmijët tanë gjithmonë kanë mësuar në gjuhën maqedonase dhe kjo ka bërë që ata të mos dinë as shkrim e as lexim. Na është shkelur e drejta të mësojmë në gjuhën tonë dhe të protestohet kundër kësaj të drejte, është shumë e pakuptueshme”, thotë një tjetër prind.

Mësimi në gjuhën amtare në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut është i garantuar me Kushtetutë, por kjo nuk vlen për banorët maqedonas të Çashkës, të cilët thonë se fëmijët shqiptarë duhet të mësojnë në gjuhën maqedonase.

“Ne nuk heqim dorë nga qëndrimi ynë për të mos lejuar hapjen e paraleles sikur edhe fëmijët tanë të humbin një vit mësim. Kjo do të shkaktonte tensione mes nxënësve, ndarje mes nxënësve. Pra, ne mbetemi në qëndrimin që fëmijët shqiptarë të mësojnë si deri më tani në gjuhën maqedonase, por nëse të tjerët duan që ata të mësojnë në gjuhën shqipe, atëherë le të ndërtojnë një shkollë në vendbanimet me shqiptarë të komunës dhe le të mësojnë në shqip”, thotë Cveta Peshevska, kryetare e Këshillit të prindërve maqedonas të Çashkës.

Banorët maqedonas kanë organizuar edhe protesta, ndërsa kanë tentuar të sulmojnë fizikisht edhe drejtoren e shkollës, Elena Nikollova, e cila ka zbatuar vendimin e Ministrisë së Arsimit për hapjen e paraleles me mësim në gjuhën shqipe.

Për të parandaluar incidentet ka ndërhyrë edhe policia, e cila ka marrë në mbrojtje drejtoreshën e shkollës, ndërsa ka ndaluar protestën brenda objektit shkollor.

Nga Ministria e Arsimit thonë se vendimi për hapjen e paraleles me mësim në gjuhës shqipe është në përputhje me Kushtetutën.

“Ministria e Arsimit ka dhënë pëlqimin pozitiv bazuar në kërkesën e prindërve të fëmijëve, të cilët dëshirojnë hapjen e paraleles, por edhe në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut se duhet siguruar mundësia secilit që të mësojë në gjuhën amtare. Kështu edhe filloi mësimi në gjuhën shqipe, për çka janë siguruar kushtet e nevojshme përfshirë dhe kuadrin”, deklaron ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.

Një kërkesë për hapjen e paraleles me mësim në gjuhën shqipe ka pasur edhe më herët, por ajo ishte refuzuar nga Komuna e Çashkës. Pas kësaj, Ministria e Arsimit ia mori kompetencat në arsim dhe më pas emëroi edhe drejtoreshën e përkohshme, e cila zbatoi vendimin e dikasterit të arsimit.

Nga Komuna e Çashkës mohojnë informacionet se kryetari i saj, Goran Stojanovski, është kundër paraleles me mësim në gjuhën shqipe, por, sipas komunës, kjo duhet të bëhet në pajtim me ligjin, apo në lokacion tjetër, që për banorët është e papranueshme pasi objektin më të afërt shkollor e kanë në Çashkë.

Kryetari i komunës mohon që problemi të jetë ndëretnik, por nuk komenton thirrjet e banorëve që me çdo kushte kundërshtojnë hapjen e paraleles shqipe.

Ndërkohë, në media u raportua se në mesin e protestuesve kishte edhe punonjës të komunës.

“Problemi nuk është ndëretnik, sepse nuk ka as hapësirë e as klimë për një gjë të tillë. Është më shumë një betejë ndërpartiake për vota, sepse pas zgjedhjeve parlamentare në pranverë, zgjedhjet lokale do të jenë të rëndësishme. Popullata e Çashkës e ka të qartë se çfarë po ndodh dhe nuk po reagon”, tha Stojanovski për Radion Evropa e Lirë.

Protesta e banorëve maqedonas ka nxitur reagime të shumta mes partive politike, të cilat kanë akuzuar njëra-tjetrën se kanë gisht në këtë rast për të përfituar pikë politike, në kohën kur Maqedonia e Veriut ndodhet disa muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.

Të fundit