Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), përgatitet të sjellë një sërë ngjarjesh dhe aktivitetesh gjatë kësaj jave. Në fokus do të jenë ndarja e Çmimit Rajonal të Inovacionit “Butterfly 2023”, në Sofje të Bullgarisë, pjesëmarrja e Sekretares së Përgjithshme të RCC-së, Majlinda Bregu, në Samitin Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, si dhe organizimi i edicionit të dytë të Forumit Rinor, BE-Ballkani, transmeton KDP.MK.
Përgatiti: Enis Shaqiri
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) do të prezantojë fituesit e edicionit të dytë të Çmimit Rajonal të Inovacionit “Butterfly 2023” në një ceremoni të bashkëorganizuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, më 12 dhjetor 2023 në Sofje. Çmimet do të ndahen nga Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së Majlinda Bregu, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë Mariya Gabriel dhe Ministrja e Inovacionit dhe Zhvillimit të Bullgarisë, Milena Stoycheva.
Çmimi i Inovacionit “Butterfly” është pjesë e Hapësirës Rajonale të Inovacionit të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (2021-2024). Nisma u krijua në vitin 2021 për të inkurajuar dhe promovuar zgjidhje inovative, të bazuara në nevojat e tregut të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi i Çmimit të Inovacionit “Butterfly” është të promovojë kulturën e inovacionit në Ballkanin Perëndimor përmes zgjidhjeve të suksesshme inovative dhe fuqizimit të të rinjve dhe grave. Mbi të gjitha synon të mbështesë zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor duke përqafuar transformimin digjital dhe duke nxitur qëndrueshmërinë mjedisore.
Ndërsa të mërkurën (13 dhjetor 2023), Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu, me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që do të zhvillohet në ambientet e Këshillit të BE-së, në Bruksel.
Samiti, i cili do të mbledhë liderët e BE-së dhe BP-së, do të fokusohet në vijimin e diskutimeve të Samitit të fundit në Tiranë, si dhe tek sfidat më të rëndësishme gjeostrategjike, që po bëhen gjithnjë e më komplekse, me synimin për të forcuar më tej partneritetin dhe bashkëpunimin në trajtimin e përballimin e tyre. Theks i veçantë do t’i kushtohet përshpejtimit të miratimit dhe zbatimit të reformave të lidhura me BE-në në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kërkimit të rrugëve për të avancuar integrimin gradual, afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në në mënyrë që qytetarët t’i ndjejnë sa më parë përfitimet e integrimit në BE. Forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe i marrëdhënieve të mira fqinjësore mbetet thelbësor. Kjo do të përshpejtojë gjithashtu integrimin ekonomik brenda rajonit dhe do të mbështesë përafrimin me BE-në.
Poashtu nga e mërkura deri të premten, në Novi Sad të Serbisë, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) organizon edicionin e dytë të Forumit Rinor BE-Ballkan (EUBYF), financuar nga Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar. Edicioni i parë i Forumit u mbajt në Romë në nëntor 2021.
Forumi, i cili do të mbledhë të rinj nga BE dhe BP, titullohet “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor: Si mund ta formësoni JU Evropën? duke përqëndruar esencën e Forumit si bazë për të diskutuar çështjet urgjente dhe shtigjet e mundshme për zhvillimin e ardhshëm të rajonit në kontekstin e integrimit evropian.
EUBYF 2023 synon të investojë tek aktivistët e rinj, duke u ofruar atyre njohuri mbi bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në BE.
Forumi treditor do t’u mundësojë pjesëmarrësve të kuptojnë dinamikën e Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM), mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e aftësive njerëzore. Nëpërmjet seminareve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit do marrin njohuri se si mund të bëhen ndikues në komunitetet e tyre dhe për të rritur ndërgjegjësimin për mundësitë drejt një Evrope të zgjeruar. Konferenca do të përfundojë me hartimin nga delegatët e rinj të BE-Ballkanit të konkluzioneve, që do të shërbejnë si bazë për bashkëpunim të mëtejshëm brenda dhe jashtë rrjetit EUBYF. Evidentimi i të rinjve që dëshmojnë përkushtim ndaj komuniteteve lokale përmes këtij forumi, e bën më të lehtë adresimin e nevojave dhe prioriteteve në ndërlidhjet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.