E mërkurë, 24 Korrik, 2024

A MUND TË VENDOSET NJË KOSTO PËR NJERËZIT QË LARGOHEN NGA RAJONI, BREGU: NË NJË FARË MËNYRE, MUNDET!

Ballkani Perëndimor renditet ndër disa prej ekonomive më të prekura nga ikja e trurit, me pritshmëri për të humbur rreth një milion të rinj në dekadën e ardhshme. Njerëzit që largohen nga rajoni jo vetëm që përbëjnë rrezik për disponueshmërinë e fuqisë punëtore, por gjithashtu janë kërcënim shtesë ndaj kujdesit shëndetësor dhe sistemeve të pensioneve në rajon. Nëse këto parashikime do të realizohen, atëherë, sipas Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Ballkani Perëndimor shumë shpejt mund të bëhet një rajon i plakur, duke i bërë shtetet të kenë nevojë të vazhdueshme për burime shtesë.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, gjatë një edicioni të TalkingPoint, foli për kapitalin njerëzor dhe të gjitha pengesat që pasojnë prej ikjes masive të trurit të Ballkanit Perëndimor, duke hapur kështu një diskutim se çfarë mund të bëhet, në nivelin personal dhe atë institucional. Bregu thotë se fillimi mund të jetë krijimi i një mendësie të re për migracionin, rishfrytëzimin e emigrimit, por edhe për krijimin e politikave të reja kombëtare dhe rajonale rinore, të krijuara për të çmuar dhe vlerësuar edhe më shumë njerëzit e rinj dhe të aftë nga Ballkani Perëndimor.

Numrat e vështirë s’është e lehtë të arrihen, por ja që ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë ndër më të prekurat nga ikja e trurit. Sot, rreth një e pesta e popullsisë së lindur në Ballkanin Perëndimor jeton jashtë vendit. Në pesë vitet e fundit, popullsia në moshë pune në Ballkanin Perëndimor u zvogëlua me më shumë se 400.000 individë. Ndërkohë që ka flukse në rritje të emigrantëve kudo, hapi dhe intensiteti i ikjes së trurit të të rinjve, e rendit rajonin tonë ndër kryesuesit e ikjes së trurit në botë, duke sjellë si pasojë parashikime të mundshme të humbjes në dekadat e ardhshme, nga një e katërta deri në gjysmën e qytetarëve tanë të rinj të aftë dhe të arsimuar”, – thotë Bregu.

Tutje, Bregu thotë se Këshilli për Bashkëpunimit Rajonal (RCC), i ka të identifikuar qartë të gjithë faktorët që po nxisin ikjen e trurit të të rinjve, si dhe faktorët tërheqës, drejt Evropës. Por, sipas Bregut, kjo histori duhet analizuar nga një këndvështrim tjetër.

Sa na kushton në të vërtetë kjo? A mund të vendoset një çmim për njerëzit që largohen nga rajoni? Në një farë mënyre, po, mundet. Mesatarisht, kostoja e arsimit të lartë për person varion nga mbi 18.000 euro në Shqipëri deri në 34.000 euro në Serbi. Në të njëjtën kohë, Bosnja dhe Hercegovina për shembull shpenzon më shumë se 50 milionë euro në vit për edukimin e profesionistëve në fushën e shëndetësisë, disa prej të cilëve mund të përfundojnë duke punuar diku tjetër. A do të vazhdojë Ballkani Perëndimor të prodhojë fuqi punëtore falas për të tjerët, apo do të krijojmë një mjedis që të rinjtë tanë të zhvillohen në vendin e tyre?”, – shton tutje, Bregu.

Rrjedhimisht, edicioni i sivjetshëm i Ballkan Barometrit i realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal pyeti të rinjtë për fushat prioritare ku ata besojnë se qeveritë duhet të kushtojnë më shumë vëmendje. “Mundësitë e punësimit, u theksua nga 47% e tyre, 38% përmendën arsimin dhe 26% renditën sigurinë si prioritet kryesor. Barometri zbuloi gjithashtu se 70.6% e të anketuarve të moshës 18-25 vjeç mendojnë të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Nëse këto synime realizohen, Ballkani Perëndimor mund të bëhet shumë shpejt një shoqëri e plakur.

Rajoni ka nevojë për lëvizje të shpejtë, duke qëndruar më këmbë në tokë. Disa mendojnë se krijimi i një narrative pozitive që do të ndryshonte nocionin e ikjes së trurit si një humbje kombëtare, vlerësimi i diasporës dhe ripërdorimi i emigrimit, mund të jetë një opsion i mirë. Ne mendojmë se një mjedis i favorshëm është i domosdoshëm, pasi njerëzit duan të jenë aty ku ndihen të vlerësuar dhe ku kanë kapacitetin e plotë për të ofruar vlerë. Kur njerëzit e kanë këtë, ata qëndrojnë”, – tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu.

Të fundit