Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Jens Stoltenberg sot pasdite do ta vizitoj Maqedoninë e Veriut. Në Shkup janë paralajmëruar takime me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi, ndërsa ai do t’i drejtohet edhe deputetëve në Kuvend, transmeton KDP.MK. Për kryetarin e Këshillit euroatlantik, Ismet Ramadani, vizita e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jans Stoltenberg, në Ballkan, e posaçërishtë në Maqedoninë e Veriut, nuk është e rastësishme, sepse në vete ngërthen porosi të qarta, të cilat do t’u adresohen pushtetasve, por edhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të RMV-së.
Kreu i NATO-s do të marrë pjesë edhe në takimin joformal të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni, të organizuar nga Maqedonia e Veriut. Sipas agjendës për vizitën zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, siç njofton Qeveria, Stoltenberg, menjëherë pas ceremonisë së mirëseardhjes është paraparë takim kokë më kokë me kryeministrin Kovacevski, pas së cilës do të vijojë takimi bilateral i dy delegacioneve.
Në delegacionin e Maqedonisë do të jenë ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, Ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu dhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Dane Taleski.
Kryeministri Kovaçevski dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, në ora 16:30 do të mbajnë konferencë të përbashkët për media në Qendrën për media të Qeverisë.
Ramadani: Stoltenberg vjen me porosi të qarta
Për kryetarin e Këshillit euroatlantik, Ismet Ramadani, vizita e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jans Stoltenberg, në Ballkan, e posaçërishtë në Maqedoninë e Veriut, nuk është e rastësishme, sepse në vete ngërthen porosi të qarta, të cilat do t’u adresohen pushtetasve, por edhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të RMV-së, të cilët sipas Ramadanit kanë një mundësi historike që vendin mos ta largojnë nga rruga euro-integruese dhe se ndryshimet kushtetuese do të duhet të kalojnë.
“Mirë që vjen Stoltenbergu, mendoj se në takimet që do t’i ketë këtu në RMV është shumë me rëndësi që do t’i drejtohet edhe Parlamentit, deputetëve dhe mendoj se duhet dhe duhej që deputetëve të cilët në asnjë mënyrë nuk po binden për t’i votuar ndryshimet në Kushtetutë, Stoltenbergu drejtpërdrejt do t’u drejtohet për t’u thënë se kjo që po ndodhë me mos votimin e ndryshimeve kushtetuese, në një farë mënyrë mund të ndikojë edhe në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe me stabilitetin në Maqedoni, kështu që ardhja e Stoltenbergut në Maqedoni besoj se do të ketë një ndikim”, ka deklaruar kryetari i Këshillit euroatlantik, Ismet Ramadani, për TVM2.
Ramadani mes tjerash tha se Stoltenberg po ashtu do të ketë porosi të qarta edhe për vendet e rajonit, e në veçanti për Veriun e Kosovës, por edhe për vendet tjera, sepse NATO-ja, dëshiron një Ballkan të qetë, dhe vëmendja e fuqive të mëdha, sipas Ramadanit, është e koncentruar tek lufta në Ukrainë dhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
“Ardhja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, në një mënyrë është edhe porosi se diçka po ndodh edhe në dimensionin e sigurisë këtu në Ballkanin Perëndimor. Ardhja e tij është edhe e arsyeshme, por edhe e domosdoshme që njëherë t’u përcjell porosi atyre, të cilët dua që të impenjohen këtu në Ballkanin Perëndimor për ta destabilizuar Ballkanin. Dhe këtu kuptohet të veçuar, pra një konflikt i ngrirë po vazhdon, pra siç ishte ajo në Banjsko në Kosovë dhe raportet Kosovë – Serbi”, theksoi kryetari i Këshillit euroatlantik, Ismet Ramadani.
Kujtojmë se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të hënën, në Prishtinë tha se Aleanca po shqyrton nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë. E gjithë kjo pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës me 24 shtator, kur nga një grup serbësh të armatosur u vra një polic i Kosovës dhe më pas tre sulmues. Këto deklarata shefi i NATO-s, i bëri gjatë vizitës që realizoi (20.11.2023) në Kosovë në kuadër të një turneu Ballkanik.
“Në shtator ne pamë një shpërthim serioz të dhunës në veri të Kosovës, që rriti shqetësimet se një konflikt i gjerë mund të rikthehej në Ballkanin Perëndimor. Në maj, trupat tanë të KFOR-it u sulmuan, me ç’rast u plagosën 93 ushtarë, disa rëndë, disa me plagë të përjetshme. Sulme të tilla të dhunshme janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, tha Stoltenberg në një konferencë për media së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ndërsa në Beograd, Stoltenberg, ka thënë se se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk e ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.
“Unë llogaris në të dyja palët për të ulur tensionet dhe për të përmbajtur nga përshkallëzimi i veprimeve”, tha Stoltenberg në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën paradite.
Stoltenberg mbërriti në Beograd pas një vizite që pati të hënën në Prishtinë. Para vizitës në Prishtinë, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, qëndroi në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës, ku u takua me krerët shtetërorë dhe përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt. Nga Sarajeva Jens Stoltenberg tha, se “NATO-ja është e shqetësuar me retorikën e ndarjes dhe me ndikimin rus në rajon”. Më 22 nëntor shefi i NATO-os, Jens Stoltenberg, përmbyll turneun Ballkanik, ku do të ketë një një takim të përbashkët me udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s nga rajoni i Ballkanit.