E premte, 21 Mars, 2025

BRENDA NJË JAVE DY ÇMIME, PROFESORI ALI PAJAZITI FITON ÇMIMIN “13 NËNTORI”

Pas çmimit “Ambasador i Paqes” të fituar në Vlorë, profesori universitar, sociologu Ali Pajaziti, ka fituar edhe çmimin e dytë, atë të Qytetit të Shkupit “13 Nëntori”, për kontributin e tij në sferën e shkencës së sociologjisë. Ky çmim iu jepet personave fizikë dhe juridikë dhe ka për qëllim promovimin e vlerave të mirëfillta, ndërsa akordohet për shumë kategori: kulturë, arsim, shkencë, art, arkitekturë, shëndetësi, sport etj.

Çmimi “13 Nëntori” që nga viti 1955 iu jepet qytetarëve të dalluar, ndërtuesve të kulturës dhe jetës së përgjithshme të kryeqytetit të RMV-së, figurave që kontribuojnë në përparimin dhe afirmimin e këtij entiteti urban në planin lokal dhe global. Në mesim e fituesve ishin edhe akademiku Urosheviq, doajeni i aktrimit Çorevski, i gazetarisë sportive Kostovski dhe figura të tjera.

Profesori i Fakultetit të Shkencave Shoqërore Bashkëkohore i UEJL-së, Ali Pajaziti, gjithashtu ka fituar edhe çmimin Ambasador i Paqes. Ai gjatë konferencës interdisiplinare ndërkombëtare “Kapitali Social dhe Sfera Publike në Shoqërinë Bashkëkohore “, që u mbajt në Vlorë, 10 dhe 11 nëntor, fitoi çmimin “Ambasador i Paqes” i akorduar nga Federata Universale e Paqes , që funksionon në 120 vende të botës. Në këtë konferencë, Pajaziti bëri prezantimin e temës “Kërkimi i paqes në kohët apokaliptike: enigmat e reja dhe të vjetra në botë dhe në Ballkan”.

Të fundit