E martë, 29 Prill, 2025

RCC: NUMRI I VIZITAVE TURISTIKE ËSHTË NË RRITJE, BALLKANI PERËNDIMOR NUK ZHGËNJEU

Numri i vizitave turistike në rajon është në rritje. Vendet e Ballkanit Perëndimor po shfaqen si destinacione me potenciale të mëdha turistike, dhe shifrat e fundit e konfirmojnë këtë trend pozitiv. Në vijim, KDP.MK, jua përcjell statistikat e turizmit, bazuar tek të dhënat e fundit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Shqipëria është destinacioni që shënon një rritje më të madhe në numrin e vizitorëve, krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Mbi 7 milionë turistë vizituan Shqipërinë në vitin 2023, duke shënuar një rritje prej 26.9%, krahasuar me vitin 2022.

Përkundër Shqipërisë, afro 3 milionë turistë qëndruan në Serbi gjatë tetë muajve të parë të vitit 2023, që është 11% më shumë krahasuar me vitin 2022.

Ndërkaq, numri i vizitorëve në Malin e Zi është rritur me 6.3% në vitin 2023, duke shënuar më shumë se 240,000 vizita vetëm në muajin gusht.

Një rritje e dukshme është shënuar edhe në Maqedoninë e Veriut, ku rreth 200,000 turistë vizituan vendin në korrik të këtij viti, që shënon një rritje prej 25.3%, krahasuar me vitin paraprak.

Nga ana tjetër, mbi 71.000 turistët kanë vizituar Kosovën në korrik të këtij viti, duke sjellë 32.6% rritje krahasuar me korrikun e vitit 2022.

Kurse nga janari e deri në gusht të vitit 2023, mbi 1 milion turistë kanë vizituar Bosnjë dhe Hercegovinën, që është 19.2% më shumë krahasuar me vitin 2022.

Sipas Këshillit për Bashkëpunimit Rajonal (RCC), “rritja e numrit të turistëve në Ballkanin Perëndimor, dukshëm po sjell rritje ekonomike, krijon vende të reja pune, stimulon bizneset si dhe kontribuon në zhvillimin e rajonit”.

Të fundit