Për një botë pa konfrontime, sipas Czyzewski-t, duhet “vizion i ri, vetëdije e re dhe formë e re veprimi”. Duhet ndjenjë për takim, hapje, bashkësi, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me fqinjin. Duhet aftësi për t’i zgjidhur konfliktet dhe për ta praktikuar tolerancën. Duhen forma të reja veprimi në kulturë, “pa i komprometuar atdheun dhe traditën”. Duhet të mos bëhemi robër të përkatësisë, të njëmendësisë dhe të ksenofobisë. Të mos i frikësohemi përzierjes, larmisë, shumësisë. Kultura mos shkëputet nga solidariteti, sepse “kultura pa barabarësi dhe vëllazëri nënkupton robëri”, kurse liria pa solidaritet “mund të na robërojë”. “Madhështia e një shoqërie shihet nga mënyra si sillet ajo ndaj të kërcënuarve”, shkruan ai. Në vendet me kontradikta të thella, duhet të krijohen “inde lidhëse” mes kulturave, siç i quajti Czeslaw Milosz-i. E përbashkëta dhe mirëkuptimi duhet të kërkohen brenda veçantive.
Shkruan: Salajdin Salihu
Legjenda e Rozafës është e bukur dhe e trishtë. Ajo flet për forcat e errëta që natën i rrënojnë muret e kalasë, që ndërtohen nga tre vëllezër. Derisa vëllezërit punojnë në dritë, forcat e errëta veprojnë në terr. Sipas fjalëve të shenjtit, kalaja s’mund të ndërtohet pa një flijim. E flijuara është Rozafa, nusja e vëllait më të vogël.
Nga legjenda nxjerrim shumë mesazhe: se përherë do të ketë forca të errëta që shkatërrojnë vepra të përbashkëta; se çdo ndërtim e kërkon një flijim.
Në Europën Juglindore (që t’i ikim termit Ballkan) legjenda mund të përmbyset. Ka ndodhur flijimi i bukurisë për t’u lartësuar kalaja e urrejtjes.
Thuhet se artistët ndërtojnë ura miqësie. Sipas kësaj skeme, politikanët paraqiten si forca të errëta, që e çojnë kot mundin e artistëve. Por, në Ballkan pati shkrimtarë, piktorë, dramaturgë, kineastë e muzikantë, të cilët u bënë pjesë e forcave të errëta. Kjo ndodhi edhe me mediet. Poeti Rrahman Dedaj ironizoi se gazetat që duhej të botonin poezi, “botuan portrete artistike gjeneralësh”.
Kjo hapësirë gjeografike, e traumatizuar nga luftërat, konfliktet dhe antagonizmat, ka nevojë për ndërtues urash të komunikimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet kombeve, veçanërisht në planin kulturor.
Model kreativ për bashkëpunimin ndërkufitar
Një model kreativ për “bashkëpunimin ndërkufitar” në Europën Qendrore, që vlen edhe për Europën Juglindore, e ideoi shkrimtari dhe aktivisti polak Krzysztof Czyzewski (1958). Në librin Qendra e vogël e botës (origjinal: Krzysztof Czyzewski, Male centrum swiata, Sejny, 2017) ai sugjeroi ndërtimin e “urave të padukshme” të dialogut, mirëkuptimit dhe paqes, e kjo mund të realizohet vetëm kur “Tjetrin” nuk e shohim si rival dhe armik, por si partner.
Czyzewski mendon se duhet ruajtur laramania kulturore, por edhe të nxitet bashkëpjesëmarrja në krijimin e vlerave ndërkulturore. Në rajonet shumëkulturore, ku s’kanë munguar konfrontimet gjatë historisë, duhet të krijohet paradigmë e re kulturore, që do të triumfonte kundrejt diskutimeve triviale të intelektualëve kombëtarë, të cilët ngurojnë t’i kritikojnë traditat nacionaliste. Ky ngurrim e moçalizon dhe e helmon jetën, veçanërisht të të rinjve.
Për një botë pa konfrontime, sipas Czyzewski-t, duhet “vizion i ri, vetëdije e re dhe formë e re veprimi”. Duhet ndjenjë për takim, hapje, bashkësi, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me fqinjin. Duhet aftësi për t’i zgjidhur konfliktet dhe për ta praktikuar tolerancën. Duhen forma të reja veprimi në kulturë, “pa komprometim të atdheut dhe traditës”. Duhet që të mos bëhemi robër të përkatësisë, të njëmendësisë dhe të ksenofobisë. Të mos i frikësohemi përzierjes, larmisë, shumësisë. Kultura mos shkëputet nga solidariteti, sepse “kultura pa barabarësi dhe vëllazëri nënkupton robëri”, kurse liria pa solidaritet “mund të na robërojë”.
“Madhështia e një shoqërie shihet nga mënyra si sillet ajo ndaj të kërcënuarve”, shkruan ai.
Në vendet me kontradikta të thella, duhet që të krijohen “inde lidhëse” mes kulturave, siç i quajti Czeslaw Milosz-i. E përbashkëta dhe mirëkuptimi duhet të kërkohen brenda veçantive. Kjo, sipas tij, mund të arrihet duke e flakur mendjemadhësinë kombëtare dhe paragjykimet kulturore; duke e përjashtuar çdo formë dominimi ndaj “Tjetrit”; duke mos e manipuluar, keqpërdorur dhe tabuizuar të kaluarën; duke krijuar një sistem arsimor që na mëson tolerancën, dialogun, harmoninë polifonike dhe mirëkuptimin ndërmjet njerëzve, kombeve dhe kulturave.
“A mund të jetë e plotë dashuria për atdheun e vogël kur i përjashtojmë banorët e saj që kanë fe apo origjinë të ndryshme? A nuk është garanci për lumturinë tonë familjare kur fqinji e kalon pragun e shtëpisë sonë në paqe, kur ruhet respekti i ndërsjellë?”, shkruan ai.
Kjo shkallë zhvillimi shoqëror arrihet me ndërveprim të përhershëm kulturor; duke e “njohur fqinjin e Bregut Tjetër”; duke i respektuar dallimet, kujtesat dhe këndvështrimet e ndryshme mbi botën. Këtë mund ta bëjnë arkitektët e “urave të padukshme”, të cilët krijojnë harmoni të pjesëve dhe i kundërvihen rrënimit, harresës, frikës, destruktivitetit, konfliktit, verbërisë dhe arrogancës. Pra, kur kultura të praktikohet për qëllime humane. Këtë mision, sipas Czyzewski-t, mund ta realizojnë njerëzit aktivë në shoqëri. Jo ata “që i angazhojmë në projekte”, por “njerëzit kreativë dhe bashkëpunues, që nuk punojnë për para të imëta” derisa e praktikojnë aktivizmin.
Paqe, dialog, pajtim dhe mirëkuptim
Bashkimi Europian ka financuar disa projekte për nxitjen e dialogut ndërkulturor. Programi “Europa kreative” ka ngjashmëri me qasjen e Krzysztof Czyzewski-t. Në kuadër të programit u realizua projekti “Kultura dhe kreativiteti për Ballkanin Perëndimor”, i cili duhej ta nxiste bashkëpunimin ndërkulturor në vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe në Serbi); ta inkurajonte pajtimin dhe fqinjësinë e mirë nëpërmjet bashkëpunimit kulturor; ta promovonte larminë kulturore; të ndikonte në forcimin e dialogut ndërkulturor ndërmjet artistëve, punonjësve të kulturës dhe publikut të gjerë; ta mbronte dhe ta promovonte trashëgiminë kulturore; ta nxiste partneritetin në planin kulturor etj.
Programet si i mësipërmi japin një ndihmesë të madhe në dialogun ndëretnik, por Ballkani Perëndimor do të jetë ndryshe nga çfarë është tani, vetëm kur nismat ndërkulturore do të lindin në gjirin e tij dhe do të mundësonin njohjen e kulturave të ndryshme, respektimin e tyre dhe pjesëmarrjen në krijimin e vlerave ndërkulturore.
Të njohim që të duam dhe ta provojmë miqësinë
Fatkeqësisht, Europës Juglindore nuk i kanë munguar “mësuesit e urrejtjes”, të cilët prodhojnë pasiguri. Frika dhe urrejtja na ndryshojnë perceptimin ndaj botës. “Mësuesit e urrejtjes”, sipas shkrimtarit Marko Veshoviq, “i mësojnë popujt e tyre të urrejnë, ngjashëm siç fëmijët e mësojnë tabelën e shumëzimit”. Madje, “është bërë gati e natyrshme që njerëzit të blejnë gazeta dhe të shikojmë TV për ta mësuar se kë duhet ta urrejnë”.
“Leon Tolstoi ka shkruar diku: E duam atë që e kuptojmë. Nga ky këndvështrim, të urresh është më lehtë se të duash. Për ta dashur dikë duhen përpjekje për ta kuptuar. Pra, të depërtosh dhe ta shohësh atë nga brenda. Urrejtja mund të jetë dëshmi dhe shprehje e marrëzisë së përjetshme njerëzore, e kufizimeve mendore, e dembelisë shpirtërore. Që të urresh s’duhet të bësh përpjekje njohëse dhe as nuk të duhet imagjinata, por është e kundërta: që ta urresh Tjetrin, duhet patjetër të mos dish asgjë për të. Prandaj, stereotipat dhe paragjykimet për të tjerët adhurohen nga prodhuesit e urrejtjes: stereotipi të urdhëron ta pezullosh mendimin tënd, kurse gënjeshtrën për Tjetrin ta imponon si një të vërtetë absolute. Nëse i kthehemi Tolstoit, i cili thotë se duhet ai që njihet, nuk ka dyshim se prodhuesit e urrejtjes udhëhiqen nga fantazia e kundërt: urrehet ai që nuk njihet”, shkroi Marko Veshoviqi.
Në Ballkanin Perëndimor mundet që nëpërmjet kulturës t’i mposhtim forcat e errëta që i rrënojnë “urat e padukshme” të bashkëpunimit. Nëpërmjet bashkëpunimit mund të krijohen vepra të përbashkëta, me të cilat do të identifikoheshin njerëz kulturash të ndryshme.