Jashtë matematikave partiake, zgjedhjet e dyfishta në një ditë kanë përparësitë dhe mangësitë e tyre.
Shkruan: Xhelal Neziri
Qeveria dhe opozita, me sa duket, kanë strategji të ndryshme zgjedhore. VMRO-DPMNE po kërkon zgjedhje të dyfishta në të njëjtën ditë për të materializuar mbështetjen aktuale që ka dhe për të parandaluar mundësi që zgjedhjet presidenciale të dështojnë. Mickoski ka kohë që kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe dëshiron që ato të mbahen sa më shpejt. Ligjërisht, vendi duhet ta ketë zgjedhur presidentin e ri në maj, ndërkohë që nuk ka një afat specifik për zgjedhjet parlamentare, megjithëse ato duhet të mbahen në qershor.
Nga ana tjetër, LSDM-ja po blen kohë për zgjedhjet parlamentare me shpresën se pas ndryshimeve kushtetuese qytetarët do t’i ndjejnë përfitimet e drejtpërdrejta të integrimeve evropiane, përmes qasjes në fondet e zhvillimore të BE-së, që do të zbusnin disponimin aktual kundër ndryshimeve kushtetuese, të cilat natyrisht se kanë një ndikim negativ në rejtingun e partisë.
Ky ofertim me datën mund të ketë të bëjë edhe me kandidatët për president të një vendi. LSDM duket se ka disa kandidatë të mundshëm, të cilët mund të konsiderohen si favorit sepse mund të marrin më shumë vota sesa partia. VMRO-DPMNE ende nuk ka një profil të tillë politik. Prandaj, përmes zgjedhjeve presidenciale, LSDM dëshiron të testojë rejtingun e partisë por edhe kapacitetin e koalicionit, duke pasur parasysh faktin se mund të shkojnë me kandidat të përbashkët me BDI-në dhe pjesën tjetër të qeverisë, ndërsa VMRO-DPMNE mendon se rejtingu aktual i partisë, përveç shumicës parlamentare, mund t’i sjellë edhe presidentin e vendit.
Jashtë matematikave partiake, zgjedhjet e dyfishta në një ditë kanë përparësitë dhe mangësitë e tyre.
Përparësitë kanë të bëjnë me mjetet financiare që mund të kursehen, por edhe koha kur institucionet janë gati të paralizuara. Organizimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare në vitin 2020 ka kushtuar 9.2 milionë euro, prej të cilave 3.2 milionë euro shteti u ka paguar partive për fushatën mediatike. Për zgjedhjet presidenciale të vitit 2019, në të cilat fitoi presidenti aktual Stevo Pendarovski, janë shpenzuar 7,9 milionë euro. Prej tyre, gati 3.8 milionë euro nga buxheti janë shpenzuar për fushatën mediatike të kandidatëve. Përveç shpenzimeve të parave të qytetarëve, organizimi i dy palë zgjedhjeve në një vit mund të bllokojë institucionet për një kohë të gjatë pasi ndërpriten tenderët, punësimet dhe aktivitetet tjera që mund të ndikojnë në rezultatin zgjedhor.
Nga ana tjetër, zgjedhjet e dyfishta në të njëjtën ditë kanë edhe anën negative. Ato janë më të vështira për t’u realizuar dhe krijojnë konfuzion te votuesit për shkak se ballafaqohen me shumë fletëvotime, kuti, premtime e fushata.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë të 11-at me radhë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, kurse të gjashtat për President të vendit. Për dallim nga zgjedhjet parlamentare, ato presidenciale kanë prag zgjedhor, i cili legjitimon një kandidat që ka fituar zgjedhjet vetëm nëse kanë dalë në votime mbi 40 përqind e qytetarëve me të drejtë vote.