Shtrohet pyetja se çfarë mesazhi të përbashkët do të mund t’i japin shqiptarët kryetares se KE-së, znj. Von der Leyen, ndërkohë që ato fare nuk komunikojnë mes veti. Ose komunikojnë për disa javë ose muaj derisa nuk inkuadrohen në ndonjë koalicion të ri, shpeshherë duke i konfrontuar edhe qëndrimet e veta të vjetra disa javë.
Shkruan: Ibrahim Mehmeti
Të dielën, në Shkup do të qëndrojë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Kjo padyshim paraqet indikacion se Bashkimi Evropian nuk e ka harruar Ballkanin Perëndimor dhe se dëshiron të jep mesazh për të gjithë skeptikët këtu në Maqedoninë e Veriut të cilët, edhe pse Evropën nuk e heqin nga goja, me padurim presin të “marrë fund ky maltretim” dhe të kërkojnë rrugë të reja, me siguri diku nga lindja. Këtë skepticizëm më zëshëm dhe më haptazi e shpërndajnë njerëz “përreth” politikës, të cilëve kjo deri diku edhe mund t’u falet, por problemi i ngecjes së Maqedonisë sa i përket Euro integrimeve, së pari duhet kërkuar te ata që e kanë përgjegjësinë për rrjedhën e këtij procesi dhe pastaj te BE-ja. Andaj, shtrohet pyetja se çfarë mund të pritet nga vizita e kryetares së Komisionit Evropian dhe çfarë arsyetimi do t’i ofrojnë publikut ata që punë primare e kanë krijimin e parakushteve për fillimin e negociatave shumë të pritura?
Nisur nga eksperiencat e kaluara, qeveria do të vazhdojë të kërkojë mirëkuptim për mos përmbushjen e parakushtit kryesorë, e që është ndryshimi i Kushtetutës dhe futja në të edhe e Bullgarëve dhe disa komuniteteve tjera në të, për të cilën ka këmbëngulur Bullgaria. Është fakt se pa përkrahjen e opozitës maqedonase ky ndryshim nuk mund të realizohet me çka dyert për në BE mbeten të mbyllura. Nga ana tjetër opozita e përsëritë refrenin se është e vendosur për në BE, mirëpo në vend se të ulet dhe të bisedojë me qeverinë për gjetjen e zgjidhjes, ajo vendos t’u jep leksion të gjithëve, duke u nisur nga BE-ja, partitë në pushtet dhe duke mos e lënë anash as edhe opozitën shqiptare me të cilën pretendon të ndërtojë miqësi për koalicione të ardhshme.
Opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, jokonstruktivitetin e vet e arsyeton me “diktatin bullgar” duke harruar se kërkesa për ndryshimet kushtetuese është kërkesë e BE-së, pa marrë parasysh kush, si dhe pse e ka iniciuar. Andaj, sharjet në adresë të Bullgarisë, në mënyrë indirekte janë sharje në adresë të BE-së. Ne mund të pajtohemi se sjellja e Bullgarisë dhe kushtëzimet nga ana e këtij fqinji përcjellin mesazhe jo edhe aq fqinjësore, mirëpo kritikat dhe sharjet ne adresë të Sofjes përfundojnë në Bruksel. Andaj, ata që pretendojnë se do t’ia zgjidhin një “gajle” BE-së duke e “demaskuar” Bullgarinë për sjellje “joevropiane”, nuk duhet të harrojnë se edhe Bullgaria është BE dhe se zgjidhja e halleve tona Euro integruese varet edhe nga Sofja, po aq sa varen Brukseli. Ne mund ta kritikojmë mënyrën e funksionimit konsensual të BE-së, por ne jemi ata që dëshirojmë të bëhemi pjesë e BE-së dhe jo anasjelltas.
Në të njëjtën kohë që po kjo opozitë ankohet për çështje të nëpërkëmbjes së identitetit maqedonas, po e njëjta nuk kursen energjinë politike që ta pengojë zëvendësimin e 20% përqindëshit me të cilin emërohen shqiptarët dhe gjuha shqipe në këtë shtet dhe zëvendësimin e përqindjes me emrin e vërtetë. Është për t’u habitur që këta politikanë harrojnë se kur e kërkon një gjë për vete dhe të njëjtën ua mohon të tjerëve, atëherë e keni shumë vështirë të thirreni në vlera evropiane dhe t’i kritikoni të tjerët. Opozita dhe përkrahësit e saj, duhet ta kuptojnë se është shumë kollaj të shitesh si mjeshtër për zgjidhjen e “gajleve të huaja” (siç janë raportet brenda BE-së), por para kësaj duhet të japish shembull në zgjidhjen e “gajleve” në shtëpi.
Në këtë kontekst nuk duhet anashkaluar edhe kampin politik shqiptar në të cilin mosmarrëveshjet sa vijnë e vlojnë, aq sa harrojnë se edhe partitë opozitare e kanë një pjesë të përgjegjësisë për çështjet politike, sidomos për një proces siç është eurointegrimi. Shtrohet pyetja se çfarë mesazhi të përbashkët do të mund t’i japin shqiptarët kryetares se KE-së, znj. Von der Leyen, ndërkohë që ato fare nuk komunikojnë mes veti. Ose komunikojnë për disa javë ose muaj derisa nuk inkuadrohen në ndonjë koalicion të ri, shpeshherë duke i konfrontuar edhe qëndrimet e veta të vjetra disa javë. Vetë fakti se me paralajmërimin e mundësisë për zgjedhje të parakohshme u formuan tri a katër parti të reja, duke e rritur totalin në 9 parti, flet për atë se në skenën tonë politike shumë lehtë gjen njerëz që dinë të kujdesen për “gajlet e huaja”, por kur vjen momenti për t’i zgjidh hallet e veta, atëherë bëhen “pikë e pesë” dhe mbetet që BE, SHBA e të tjerë që mëshirohen për hallet tona ta bëjnë punën që duhet ta bëjnë ata që qytetarët i kanë zgjedhur t’i përfaqësojnë. Të shpresojmë se edhe kësaj rradhe znj. Von der Leyen do të tregojë mirëkuptim për qytetarët e këtij vendi të lodhur nga intrigat politike dhe se do të na japë shpresë se rruga për në BE mbetet e hapur.