Vitin e ardhshëm qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të marrin pjesë në dy palë zgjedhje – parlamentare dhe presidenciale. Mandati katërvjeçar i deputetëve dhe ai pesëvjeçar i presidentit të vendit skadon pikërisht në vitin 2024, raporton kdp.mk.
Nëse gjithçka shkon sipas afateve, zgjedhjet për president të vendit duhet të mbahen në mars kurse deri në mesin e korrikut duhet të zgjidhet përbërja e re parlamentare.
Në emër të kursimit të parave të shtetit, paria më e madhe e opozitës, VMRO-DPMNE, dëshiron që edhe zgjedhjet presidenciale edhe ato parlamentare të shpenzohen me një shpenzim.
Qeveria, nga ana tjetër, insiston që presidenti i shtetit dhe deputetët të kryejnë të gjithë mandatin. Zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen nga 5 maji deri më 15 korrik. Nëse ato mbahen më herët, do të konsiderohen të parakohshme dhe më pas do të zbatohen akte të tjera.
Ish-kryetari i Kuvendit, Tito Petkovski, në një deklaratë për REL në gjuhën maqedonase ka thënë se LSDM mendon se do t’i fitojë lehtësisht zgjedhjet presidenciale dhe në valën e suksesit prej tyre të fitojë ose më mirë t’i kalojë edhe zgjedhjet parlamentare.
“VMRO-DPMNE mendon se duhet të jenë në të njëjtën ditë që dalja të jetë më masive dhe në të njëjtën ditë të vendosë për fatin politik të shtetit dhe të tij si parti politike”, ka thënë Petkovski.
Nëse presidenti i shtetit nuk zgjidhet në rrethin e dytë, duke pasur parasysh kushtin që në zgjedhje të dalin së paku 40 për qind të votuesve që ato të jenë të suksesshme, në atë rast situata do të jetë e ngjashme me Bullgarinë dhe do të duhen dy ose më shumë vite për të zgjidhur situatën, ka vlerësuar Petkovski.
“Nuk do të jetë kompliment për LSDM-në, por janë të bindur se bashkë me BDI-në do të bëjnë mrekulli, e në politikë nuk ka mrekulli. Në VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, tashmë janë të bindur se do të kenë 61 deputetë dhe do ta formojnë vetë Qeverinë. Sido që të jetë, kalkulimet janë të këqija dhe tejet të papërgjegjshme nga të dyja palët”, ka nënvizuar Petkovski.
Duke komentuar strategjitë zgjedhore të partisë, analisti politik Xhelal Neziri ka thënë për REL se VMRO-DPMNE po kërkon zgjedhje të dyfishta në të njëjtën ditë për të materializuar mbështetjen aktuale që ka. Në anën tjetër, shton ai, LSDM-ja blen kohë për zgjedhjet parlamentare me shpresën se pas ndryshimeve kushtetuese qytetarët do t’i ndjejnë përfitimet e drejtpërdrejta të integrimeve evropiane.
“Përmes qasjes në fondet e zhvillimit të BE-së do të zbutej disponimi aktual ndaj ndryshimeve kushtetuese, të cilat natyrisht kanë një ndikim negativ në rejtingun e partisë”, shton ai.
Ofertimi me datë mund të ketë të bëjë edhe me kandidatët për president të vendit thotë Neziri.
“LSDM përmes zgjedhjeve presidenciale dëshiron të testojë rejtingun e partisë, por edhe kapacitetin e koalicionit, duke pasur parasysh faktin se mund të shkojnë me një kandidat të përbashkët me BDI-në dhe me pjesën tjetër të qeverisë, ndërsa VMRO-DPMNE mendon se rejtingu aktual, bashkë me shumicën parlamentare, mund t’i sjellë edhe presidentin e vendit”, ka thënë Neziri për Radion Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase.
Përveç përgjegjësisë politike, një segment tjetër i rëndësishëm në zgjedhje janë paratë.
Organizimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare në vitin 2020, gjatë pandemisë së koronavirusit, ka kushtuar 9.2 milionë euro. Nga këto 3.2 milionë euro shteti i ka paguar partive për fushatën mediatike. Një shumë e ngjashme është shpenzuar për organizimin e zgjedhjeve lokale në vitin 2021. Për zgjedhjet presidenciale të vitit 2019, në të cilat fitoi presidenti aktual Stevo Pendarovski, janë shpenzuar 7,9 milionë euro. Prej tyre, gati 3.8 milionë euro nga buxheti janë shpenzuar për fushatën mediatike të kandidatëve. Zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2016 kushtuan 7.5 milionë euro.
Nga pikëpamja teknike, zgjedhjet e dyfishta në të njëjtën ditë janë më të vështira për t’u realizuar, do të ishte më e lehtë të ndaheshin. Do të ketë më shumë kuti, më shumë fletëvotime dhe më shumë punë, thotë ish-kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor Aleksandar Novakovski. Por, siç thotë ai, duhet t’i kushtohet vëmendje edhe shpenzimeve, kështu që zgjedhjet njëra pas tjetrës në afat të shkurtër do të kushtonin më shumë para.
Problem tjetër është se para zgjedhjeve dhe gjatë fushatave “jeta ndalon”, pra institucionet i kanë duart e lidhura.
“Aktivitetet në shtet për tenderë, punësime, gjëra të tjera do të ndërpriten. Në atë periudhë, sipas këtyre termave, shteti do të jetë në fushatë elektorale, në zgjedhje, gjashtë muaj, ndërsa gjatë zgjedhjeve ndërpriten një numër i madh i aktiviteteve”, thotë Novakovski.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të jenë të 11-at me radhë që nga pavarësia e vendit nga ish-Jugosllavia dhe nga futja e pluralizmit politik. Deri më tani janë mbajtur gjashtë zgjedhje për President të vendit. Mandati i parë i Kiro Gligorovit është dhënë në bazë të zgjedhjes nga Kuvendi, në përputhje me vendimet e atëhershme kushtetuese.