Izraeli vazhdoi sulmet ndaj objektivave të Hamasit në Gaza, ndërsa po përgatitet për një pushtim tokësor, kompleksi i tuneleve të gërmuara nga Hamasi e vendos para problemeve të mëdha, ndërkohë që më shumë civilë palestinezë u vranë dhe fuqitë botërore në Kombet e Bashkuara nuk arritën të miratojnë planet për të ofruar ndihma të rëndësishme humanitare.
Duke komentuar për të ardhmen e rajonit pas luftës, Presidenti Joe Biden tha të mërkurën se palestinezët dhe izraelitët duhet të kenë dy shtete që jetojnë pranë njëra-tjetrës.
“Izraelitët dhe palestinezët meritojnë të jetojnë krah për krah në siguri, dinjitet dhe paqe”, tha zoti Biden në një konferencë të përbashkët shtypi në Uashington me kryeministrin australian Anthony Albanese.
Biden tha se ai besonte se një arsye pse grupi islamik i Hamasit sulmoi Izraelin jugor, duke vrarë 1,400 njerëz dhe duke marrë më shumë se 200 pengje të kombësive të ndryshme, ishte për të parandaluar normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Sulmet hakmarrëse izraelite kanë vrarë mbi 6,500 njerëz, tha të mërkurën ministria e shëndetësisë në enklavën e drejtuar nga Hamasi.
Mbi 7600 raketa janë hedhur nga Gaza në drejtim të Izraelit që nga 7 tetori, sipas të dhënave të qeverisë izraelite, ndërkohë që ka pasur përleshje të vazhdueshme përgjatë kufirit verior.
Shërbimi i ambulancës izraelite “Magen David Adom” tha se dy persona po trajtoheshin pasi një raketë e lëshuar nga Gaza të mërkurën mbrëma goditi qytetin qendror izraelit Rishon Letzion, në jug të Tel Avivit.
PROPOZIMI PËR NDIHMA DËSHTON NË KËSHILLIN E SIGURIMIT
Në Kombet e Bashkuara, Rusia dhe Kina vendosën veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të hartuar nga SHBA-të, që bën thirrje për frenimin e luftimeve për të lejuar që ushqimi, uji dhe ilaçet shumë të nevojshme, t’u dërgohen civilëve palestinezë. Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu votuan kundër, ndërsa 10 vende anëtare votuan pro dhe dy abstenuan.
Një propozim nga Rusia për një armëpushim më të gjerë nuk arriti të merrte votat minimale. Izraeli i ka kundërshtuar të dy propozimet, duke argumentuar se Hamasi do të përfitonte dhe do të krijonte kërcënime të reja për civilët e Gazës.
Dërgesat e kufizuara të ushqimeve, ilaçeve dhe ujit nga Egjipti rifilluan të shtunën përmes vendkalimit Rafah, i vetmi që nuk kontrollohet nga Izraeli.
PËRGATITJET PËR PUSHTIM
Izraeli është zotuar se do ta zhdukë Hamasin, i cili sundon Gazën.
“Ne do të vazhdojmë ta godasim Gazën për të arritur qëllimet e luftës”, tha zëdhënësi ushtarak izraelit Daniel Hagari. “Çdo goditje na forcon dhe përmirëson situatën tonë përpara fazave të ardhshme të luftës”.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha në një deklaratë televizive se Izraeli “po përgatitet për një pushtim tokësor. Unë nuk do të jap hollësi se kur, si dhe sa”.
Tanket dhe trupat izraelite janë pozicionuar në kufirin me Gazën në pritje të urdhrave. Izraeli ka aktivizuar 360,000 rezervistë, por sfidat më të mëdha që priten për ofensivën e pritshme tokësore të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës ndodhen nën tokë: sistemi i tuneleve të Hamasit militant. Organizata që kategorizohet nga SHBA, BE, Gjermania dhe vende të tjera si organizatë terroriste ka në dorë më gjasë rrjetin më të madh të tuneleve në botë – sisteme në përmasa të tilla të krahasueshme gjenden vetëm në Korenë e Veriut. Për shkak të qindra kilometrave tunele shtohen vështirësitë për ushtrinë izraelite në Rripin e Gazës, shkroi para pak ditësh, John Spencer nga Akademia Ushtarake e SHBA, West Point në një artikull.
“Kompleksi i zgjeruar nëntokësor është një problem me shumë të panjohura, për të cilat nuk ka zgjidhje perfekte.” Në tërësi ky rrjet, sipas raportimeve e llogaritjeve përbëhet nga 1300 tunele me një gjatësi prej 500 km. Disa tunele madje kanë një thellësi 70 metra, shumica janë dy metra të thellë dhe dy të lartë”.
Trysnia ndërkombëtare po rritet për të shtyrë çdo pushtim të Gazës, jo më pak për shkak të pengjeve. Më shumë se gjysma e 220 pengjeve të marra nga Hamasi kanë pasaporta të huaja nga 25 vende të ndryshme, tha qeveria izraelite. Shumë prej tyre besohet se kanë shtetësi të dyfishtë izraelite.
Ekspertët janë të mendimit, se 200 pengjet e marra nga Hamasi pas sulmit terrorist më 7 tetor janë futur në tunele. Këta shërbejnë sipas të dhënave edhe për depozitimin e armëve, artikujve ushqimorë, ujit, gjeneratorëve, karburanteve dhe pajisjeve të tjera. Po ashtu ekspertët janë të mendimit, se edhe drejtues të Hamasit fshihen në këto tunele. Ata do t’i vështirësojnë luftimet edhe pa to shumë të vështira në Rripin e Gazës me një dendësi të madhe popullsie. “Tunelet u lejojnë luftëtarëve të lëvizin të sigurtë dhe të lirë mes disa pozicionesh luftuese“, është i mendimit Spencer. “Me këtë ata neutralizojnë avantazhet e Izraelit në lidhje me taktikën, armët, teknologjinë dhe organizimin.
KËRKIM I VËSHTIRË
Fillimisht tunelet nëntokësore ishin ndërtuar për të sjellë mall nga Egjipti në Rripin e Gazës për shkak të bllokadës dhe më vonë të kontrabandohej mall edhe përmes Gazës dhe Izraelit. Pas forcimit të përpjekjeve për përgjim me dronë dhe aparate spiunazhi nga pala izraelite, Hamasi investoi gjithnjë e më shumë zgjerimin e rrjetit të tuneleve. Por vetëm pas operacionit ushtarak në vitin 2014, ushtria izraelite zbuloi përmasat e vërteta të tuneleve të Hamasit. Izraeli reagoi duke krijuar një bllokim nëntokësor përgjatë kufirit me Rripin e Gazës për të penguar që tunelet e Hamasit të hynin deri në Izrael.
Nuk është e lehtë lokalizimi i tuneleve, por ka mundësi të zbulimit të tyre me ndihmën e radarëve dhe mënyrave të tjera termike apo sinjaleve akustike. Por shpesh edhe nga faktorët njerëzorë, raportoi organizata “Rand Corporation” në vitin 2017. Për shembull, kur sinjali i telefonit të një luftëtari të Hamasit nuk ndiqet dot më, për shkak të futjes në një tunel.
LUFTA NËNTOKËSORE
Në të shkuarën janë përdorur në tunele gazi lotsjellës dhe mjete kimike, sipas Daphne Richemond-Barak, një nga ekspertet më të njohura në botë në këtë fushë, autore e librit “Lufta nëntokësore“.
Por këto metoda me gjasë sot janë ilegale. Ka gjasa që tunelet të bombardohen. Izraeli i ka të ashtuquajturat bomba kundër bunkerëve, që mund të futen thellë në tokë. Por Rripi i Gazës është një nga zonat me dendësi më të lartë popullsie në botë, 40 km i gjatë dhe 6 deri në 14 km gjerësi me popullsi 2,2 milionë vetë. Edhe nëse Izraeli e di se ku janë tunelet, specifikat e Rripit të gazës e bëjnë shumë të vështirë bombardimin, ndoshta edhe të pamundur. Izraeli zotëron edhe të ashtuquajturat bomba precizioni, për të qëlluar tunelet apo për t’i bërë të papërdorshëm, raporton “Rand Corporation“. Por përdorimi i tyre nuk e ka sjellë rezultatin e dëshiruar.
Një sfidë tjetër për ushtrinë izraelite: Lufta në tunele është më e vështira. Nën tokë është errësirë dhe ftohtë. Zhurmat si ajo e breshërisë së armëve janë më të forta se mbi tokë, përdorimi i armëve trazon dheun duke krijuar pluhur. Tunelet po ashtu mund të jenë minuar. Në të shkuarën ushtarët izraelitë hynin në tunel pasi forcat speciale e kishin dhënë dritën e gjelbër të sigurisë. Nga viti 2014 ushtria izraelite angazhon njësi speciale të ushtrisë për luftën në tunele. Ata kanë trajnuar në ambient fizik ose virtual këtë lloj lufte. Këto njësi mbështeten edhe nga robotë dhe qen të stërvitur.
SUKSESI I PASIGURTË
Nuk kam parë asnjëherë kaq shumë përgatitje për një luftë tunelesh, si ato të ushtrisë izraelite, është shprehur, John Spencer nga Akademia Ushtarake amerikane, një nga themeluesit e grupit ndërkombëtar për zhvillimin e luftës nëntokë. Ekspertja tjetër, Daphne Richemond-Barak po ashtu pjesë e grupit themelues ka dyshime.
“Izraeli duhet të zhvillojë një operacion të gjatë e zgjeruar nga ajri dhe toka për të shkatërruar këtë infrastrukturë nëntokësore“, shkroi ajo për gazetën britanike “Financial Times”.
Sipas saj, ushtria mund të shkatërrojë tunelin, ta përmbytë apo ta mbyllë. Por kjo do të ishte e vështirë sidomos në një ambient urban. Ky operacion mund të zgjaste me muaj.
“Madje edhe në një skenar të tillë, që do të shkaktonte kosto të papërfytyrueshme njerëzore, nuk ka gjasë që të shkatërrohet i gjithë rrjeti i tuneleve në Rripin e Gazës“, thekson Richemond-Barak.
Edhe Mike Martin, ekspert në Kings College, e shikon tunelin si një sfidë të jashtëzakonshme.
“Me teknikën e radarit dhe zbardhjen sizmike tunelet vërtet zbulohen“, thotë ai në bisedë me DW, por aparati i shërbimit inteligjent izraelit ka dobësitë e veta.
Martin kujton fillimin e shkallëzimit të situatës në Lindjen e Afërt. Një sulm të përmasave të tilla ata nuk e parashikuan, thotë Martin duke iu referuar sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor me më shumë se 1200 viktima.
“Kjo të tregon se ka disa pika të dobta. Më duket se Izraeli me këto dobësi nuk e di si Hamasi do ta mbrojë Rripin e Gazës dhe cilat janë planet e ardhshme. Mund të vendosësh disa pikëpyetje mbi informacionet izraelite.”
Marrë nga: VOA/DW