E shtunë, 15 Mars, 2025

GRATË SI SHTYSË E SHOQËRISË CIVILE

Çështja e barazisë gjinore po fiton gjithnjë e më shumë vendin e saj në kuadër të çështjeve të rëndësishme të shtetit dhe po inkorporohet në dokumentet strategjike, edhe pse kjo jo gjithmonë pasohet nga veprimet e duhura. Aktivitetet në nivel nacional dhe lokal realizohen në masë të madhe me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare dhe është evident zbatimi i përbashkët i qëllimeve strategjike në bashkëpunim me sektorin civil. Duket se përqendrimi i organizatave me ndikim për barazi gjinore me kapacitete dhe resurse të zhvilluara organizative, njohuri dhe shkathtësi teknike është në Shkup, gjë që rezulton me efikasitet të kufizuar në avokimin për barazi gjinore, veçanërisht në nivel lokal.Është  i nevojshëm zhvillimi i programeve të specializuara për mbështetjen financiare programore dhe organizative të organizatave lokale të grave si zbatueset kryesore të qasjeve në terren për forcimin, mobilizimin dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuara të komuniteteve të grave

Shkruan: Katica Mihajloviq

Zhvillimi i shoqërisë civile në Maqedoni është një proces i vazhdueshëm që përfshin qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, qeverinë dhe aktorët tjerë në përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri demokratike, të hapur dhe të përgjegjshme. Organizatat qytetare janë një instrument i rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë civile. Ata punojnë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve, për të mbështetur komunitetet, përfshijnë grupe të synuara si të rinjtë, gratë, njerëzit me nevoja të veçanta, promovojnë drejtësinë sociale dhe qëllime të tjera. Organizatat qytetare janë shpeshherë “zbuluesit” e parë të problemeve të caktuara shoqërore, ato janë të parat që përballen me problemet dhe përpiqen t’i vënë në dukje dhe t’i zgjidhin ato. Në aktivitetet e tyre, organizatat e shoqërisë civile duhet të krijojnë dhe ruajnë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe shkëmbimin e përvojave. Kjo mund të jetë një sfidë për shkak të “luftës” për të siguruar financat, por bashkëpunimi nuk është i pamundur. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në rastin e organizatave të grave, të cilat pavarësisht nga lloji i veprimtarisë (edukimi, lufta kundër dhunës ndaj grave, pjesëmarrja politike, etj.) kanë të njëjtin target grup – gratë në shoqëri.

Pas periudhës së pavarësisë së vendit, organizatat e para të shoqërisë civile që u formuan nga gratë dhe aktivitetet e të cilave u drejtohen grave, u formuan si “organizata ombrellë” aktive në nivel kombëtar, me anëtarësi të organizuar në baza territoriale dhe kryesisht me parashenjë etnike. Organizata të njohura në këtë periudhë janë: Organizata e Organizatave të Grave të Maqedonisë, Unioni i Grave Shqiptare të Maqedonisë, Organizata e Grave Rome “DAJA”. Gjithashtu, u formuan rrjete multietnike që bashkuan një numër të madh të organizatave individuale, siç është Unioni i Organizatave të Grave të Republikës së Maqedonisë (UOGM), sot i njohur si Këshilli Nacional për Barazi Gjinore. Pavarësisht këtyre strukturave, ndër vite janë krijuar organizata të shumta që ofrojnë asistencë ligjore falas, këshillim psikologjik, përkujdesje, shërbime arsimore, sociale, shëndetësore dhe shërbime të tjera për grupet vulnerabël të qytetarëve, me fokus gratë, mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhunë në familje.

Fuqizimi i organizatave të grave

Shumica e aktiviteteve të organizatave kishin për qëllim informimin dhe edukimin e anëtarëve për të drejtat e njeriut të grave, mbrojtjen nga diskriminimi dhe ndërmarrjen e hapave pionierë në avokimin publik për futjen e zgjidhjeve ligjore, politikave dhe mekanizmave për përmirësimin e statusit dhe pozitës së gruas.

Veprimi i organizuar i grave përmes organizatave të shoqërisë civile ofroi akses në mbështetje dhe programe shumëvjeçare për fuqizimin e tyre nga programe të ndryshme donatore. Një mbështetje e tillë mundësoi veprim më të fokusuar të organizatave të grave, por edhe lidhjen e tyre me lëvizjet e grave rajonale dhe ndërkombëtare. Organizatat qytetare kontribuan në komunikimin më të shpeshtë me gratë nga komunitetet, si dhe në bashkëpunimin me gratë nga politika, institucionet në nivel lokal dhe kombëtar dhe komunitetin akademik.

Arritjet kryesore të aktivizmit të grave ishin masat e para të posaçme ligjore, gjegjësisht futja e përfaqësimit të detyrueshëm prej 30% të grave në listat zgjedhore në Ligjin për zgjedhjen e deputetëve të vitit 2002. Përpjekjet e vazhdueshme dhe veprimi i përbashkët i aktivisteve dhe grave në partitë politike rezultuan në ndryshime dhe përmirësime të mëtejshme të legjislacionit zgjedhor. Kërkesa të tilla u vendosën për shkak të qasjes formale të partive ndaj kuotave, pra pozicionimit të grave në fund të listave të kandidatëve ose në pozicionet më të larta në zonat ku ato kanë shanse të ulëta elektorale. Kuadri ligjor u përshtat më pas me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të vitit 2006, me parashikimin që në listën e paraqitur të kandidatëve për zgjedhjen e deputetëve për çdo tre mandate, një mandat i takon gjinisë më pak të përfaqësuar. Kodi Zgjedhor u ndryshua edhe në vitin 2014, kur sipas ndryshimeve, nëse një gruaje e zgjedhur nga lista kandidatësh i skadon afati, vendin e saj e zë kandidatja e radhës nga lista – gra, dhe në vitin 2015 kur kuota e përfaqësimit e grave në listat e kandidatëve u rritë në 40 %.

Ky proces u zhvillua paralelisht me presionin e vazhdueshëm shumëvjeçar të aktivisteve qytetare në bashkëpunim me gratë e partive politike për të vendosur rregulla të qarta dhe të qëndrueshme për kryesitë e partive për kandidimin e grave në pozita të favorshme. Pavarësisht progresit të përfaqësimit të grave në pushtetin legjislativ, aktivistet theksojnë progresin e ngadaltë në pjesëmarrje dhe në nivel të pushtetit ekzekutiv, në proceset vendimmarrëse, si komisione, borde në nivel nacional dhe lokal.

Që nga themelimi i shtetit, asnjë grua nuk është zgjedhur presidente dhe vetëm një grua është emëruar kryeministre e qeverisë dhe vetëm ushtruese e detyrës së kryeministrit për gjithsej 50 ditë në vitin 2014. Në përgjithësi, nga viti 2008 deri në vitin 2021 vetëm 12% e ministrave të emëruar janë gra, duke marrë parasysh të gjitha ndryshimet dhe riformatimet. Në nivel lokal, vetëm 3% e kryetarëve të bashkive të zgjedhura ishin gra (të dhënat nga viti 1996 deri në vitin 2022). Me kalimin e viteve, përfaqësimi ka qenë relativisht më i mirë, por ende larg të qenit i barabartë në parlamentin nacional dhe këshillat lokalë, por kjo është vetëm për shkak të kuotave të vendosura ligjërisht për gjininë e më pak të përfaqësuar.[1]

Lobi i Gruas Maqedonase, në bashkëpunim me ekspertë dhe politikanë të dikurshëm dhe aktual, ka hartuar Strategjinë dhe Udhërrëfyesin që në thelb kërkon që partitë politike të rrisin pjesëmarrjen e grave në strukturat partiake, por edhe në ekzekutiv dhe në pushtetin lokal. Tashmë kërkohen kuota si gjatë kandidimit të kryetarëve të bashkive, poashtu edhe gjatë zgjedhjes së ministrave.[2]

Përmirësimi i suazës ligjore për të drejtat e grave

Korniza normative e Republikës së Maqedonisë së Veriut vazhdimisht pëson ndryshime në drejtim të promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të grave. Janë miratuar ndryshime në dispozitat ligjore që promovojnë barazinë e grave me burrat, ndërsa rregulloret pozitive – diskriminuese janë mandatuar me vendime të caktuara për përmirësimin e pozitës dhe gjendjes së gruas në shoqëri. Këto ndryshime normative rezultuan në zhvillim gradual, por të qëndrueshëm dhe u nxitën kryesisht nga organizatat dhe aktivistët e grave.

Avokimi shumëvjeçar i udhëhequr nga organizatat e grave rezultoi në rregullimin e problemit të dhunës në familje në legjislacionin civil dhe penal në vitin 2004. Kjo siguroi përputhshmëri me standardet dhe rekomandimet ndërkombëtare në këtë sferë, të cilat kërkojnë futjen e zgjidhjeve ligjore gjithëpërfshirëse, pra inkriminimin e dhunës në familje dhe vendosjen e masave të përkohshme për mbrojtjen e viktimave. Në këtë drejtim shkon edhe ratifikimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit) në vitin 2017, si dokumenti më gjithëpërfshirës në fushën e dhunës ndaj grave. Në vitin 2021, u miratua një ligj i ri për parandalimin dhe mbrojtjen kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në përputhje me standardet e Konventës së Stambollit.

Me Ligjin për mundësi të barabarta për gratë dhe burrat, (i miratuar për herë të parë në vitin 2006 dhe i ndryshuar më tej në vitin 2012) për herë të parë u zyrtarizuan kërkesat për rregullimin ligjor të fushës së barazisë gjinore. Ligji përcaktonte detyrimin për marrjen e masave dhe politikave dhe vendosjen e mekanizmave institucionalë për promovimin e barazisë midis grave dhe burrave në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe vendor. Në bazë të Ligjit për mundësi të barabarta, në këshillat komunale janë themeluar komisione për mundësi të barabarta për burrat dhe gratë dhe janë emëruar koordinatorë për mundësi të barabarta për gratë dhe burrat në administratën komunale. Anëtarët e komisioneve për mundësi të barabarta nëpër komuna janë këshilltarët e zgjedhur dhe në këtë kuptim bëhet ndryshim i rregullt i përbërjes çdo 4 vjet. Puna e komiteteve dhe koordinatorëve për mundësi të barabarta konsiderohet ende si një “fushë e grave” me kryesisht gra të zgjedhura si kryetare ose anëtare të komisioneve dhe shumë pak burra të emëruar si koordinatorë të mundësive të barabarta. Puna e këtyre komisioneve dhe forcimi i kapaciteteve të anëtarëve është zakonisht fushë e interesit dhe e angazhimit të organizatave të shoqërisë civile të grave.

Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor dhe mundësitë e barabarta

Iniciativat lidhur me futjen e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në veprimet institucionale, veçanërisht në nivel të vetëqeverisjes lokale, janë gjithashtu iniciativa të organizatave të shoqërisë civile të grave. Megjithatë, këto iniciativa buxhetore të përgjegjshme gjinore janë ende të rralla dhe zbatohen nga një numër i vogël organizatash që zotërojnë kapacitetet e nevojshme për monitorim dhe analizë sistematike të trajtimit të barazisë gjinore në politikat dhe praktikat institucionale, duke përfshirë buxhetin.

Progres i dukshëm në promovimin dhe mbrojtjen e mundësive të barabarta, përmes një qasjeje më komplekse ndaj këtyre çështjeve, është bërë edhe me miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (i miratuar për herë të parë në vitin 2010 dhe Ligji i ri në vitin 2020) i cili paraqet një korniza ligjore e rrumbullakosur për mbrojtjen nga diskriminimi në baza të ndryshme. Ndikimi dhe angazhimi i organizatave të shoqërisë civile, si dhe prioritizimi i integrimeve në BE, ishte gjithashtu i një rëndësie të veçantë këtu. Ligji është një instrument veçanërisht i rëndësishëm në trajtimin e diskriminimit të dyfishtë dhe të shumëfishtë me të cilin përballen veçanërisht gratë si rezultat i ndërthurjes së gjinisë me identitete të tjera.

Ndikimi dhe angazhimi i deritanishëm i organizatave të grave, organizatave për barazi gjinore dhe formave të tjera të pjesëmarrjes dhe aktivizmit qytetar tregojnë potencial dhe kontribut të madh në promovimin e proceseve politike, monitorimin dhe analizën e tyre, në forcimin e kapaciteteve të institucioneve dhe mbështetjen e tyre, si dhe si në forcimin e grave për përfshirje aktive politike.

Çështja e barazisë gjinore po fiton gjithnjë e më shumë vendin e saj në kuadër të çështjeve të rëndësishme të shtetit dhe po inkorporohet në dokumentet strategjike, edhe pse kjo jo gjithmonë pasohet nga veprimet e duhura. Aktivitetet në nivel nacional dhe lokal realizohen në masë të madhe me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare dhe është evident zbatimi i përbashkët i qëllimeve strategjike në bashkëpunim me sektorin civil.

Duket se përqendrimi i organizatave me ndikim për barazi gjinore me kapacitete dhe resurse të zhvilluara organizative, njohuri dhe shkathtësi teknike është në Shkup, gjë që rezulton me efikasitet të kufizuar në avokimin për barazi gjinore, veçanërisht në nivel lokal.

Është  i nevojshëm zhvillimi i programeve të specializuara për mbështetjen financiare programore dhe organizative të organizatave lokale të grave si zbatueset kryesore të qasjeve në terren për forcimin, mobilizimin dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuara të komuniteteve të grave (gratë me prejardhje etnike, komunitete rurale dhe gra me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore), dhe promovimi i demokracisë pjesëmarrëse. Gjithashtu, është e nevojshme kjo lloj mbështetjeje për organizatat nacionale të shoqërisë civile, të cilat janë burimi kryesor i ekspertizës së nevojshme për fuqizimin e grave për pjesëmarrje politike apo qytetare, që kontribuon cilësisht në avancimin e barazisë.

Kjo është vetëm një pasqyrë e shkurtër e mënyrave në të cilat gratë janë dëshmuar se janë shtysë të shoqërisë civile në Maqedoni. Angazhimi dhe ndikimi i tyre do të vazhdojë të hapë rrugën për sigurimin e barazisë gjinore dhe zhvillimit social në përgjithësi.

[1] Родова статистика и вградување на родова перспектива во статистичкиот систем на Република Северна Македонија, Реактор, Скопје, 2022

[2] https://360stepeni.mk/kratko-video-se-bara-voveduvane-kvoti-za-uchestvo-na-zheni-pri-izbor-na-gradonachalnitsi-i-chlenovi-na-vlada/

Të fundit