E diel, 16 Mars, 2025

TELENOVELA E EUROINTEGRIMIT

Fundi i serialit „Ndryshimet Kushtetuese“ nuk duket në horizont: Sa mendojmë se do të bëhen, befas del një pengesë. Sa numërohen 74, me shpresë se gjashtë edhe mund „importohen“ nga jashtë, ndjehen lëkundje edhe te deputetët shqiptarë!

Shkruan: Xhelal Neziri 

Integrimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) ngjan me telenovelat, të cilat funksionojnë me një rrëfim të hapur, të papërfunduar. Në këtë lloj produksioni, ngjarjet paraqiten si në përallë ku çdo episod mbyllet me paralajmërimin se rrëfimi do të vazhdojë në episodin e radhës. Njëjtë si me tri vetot, të trijat nga vendet-anëtare të BE-së (Greqia, Franca, Bullgaria).

Një telenovelë, për të pasur sukses, ajo ose duhet të pasqyrojë mentalitetin kolektiv të publikut ose duhet të paraqesë një realitet të dëshiruar për audiencën. Sidoqoftë, në të dyja rastet arrihet i njëjti efekt: dëfrim cirku, dëfrium i publikut! Nga një qëllim strategjik, anëtarësimi në BE po shndërrohet gjithnjë e më shumë në material për debate spektakli që argëtojnë publikun, kryesisht më në moshë që nuk e ka gjetur veten në tregun evropian të punës.

Ambasadori i Holandës në Shkup, Dirk Jan Kopp, në një debat, javën e kaluar, pyeti: “Ku janë paratë tona (evropiane) që i dhamë për reformat që nuk janë kryer?”. Natyrisht, pyetja e ambasadorit ishte retorike. Poenta e tij është mungesa e reformave. Topi s’e luan! Mirëpo, është fakt se edhe BE-ja s’ka qenë aq e interesuar që të përfshijë Ballkanin Perëndimor në klubin e saj. Kjo, natyrisht, është reflektuar keq edhe te reformat: Pas ndryshimit të emrit në vitin 2018, në vend të shiritit të shpejtë për në BE, Maqedonia e Veriut fitoi dy veto rradhazi. E, nuk thuhet më kot, për dashuri nevojiten dy veta! Edi Rama do të kishte thënë: Dhëndri mund të pispilloset sa të dojë, por nëse nusja nuk do të martohet, ai sërish ngelet beqar!

Në hapësirën tonë televizive jo që s’ka telenovela. Ka madje me bollëk, por një spektakël në vete është seria e fundit me episodet e reja, që ka të bëj me ndryshimet kushtetuese. Çdo episod përfundon me paralajmërimin se në tjetrin do të thirret mbledhja e Parlamentit dhe do të miratohen me 80 deputetë. Enigma qëndron në faktin se mungojnë së paku gjashtë deputetë. Do të “binden” ata të opozitës, do të bien “nga qielli” apo do të “importohen nga jashtë” (nga Mali i Zi, për shembull(!?) – do të thoshte pa e fshehur ironinë, një mik i mikut tim). Si “guest star”, herë shfaqet Nikolla Gruevski, ish-kryeministri azilant në Hungari, e herë oligarkë të vendit. Në emër të ndryshimeve kushtetuese u bënë edhe ndryshimet e Kodit Penal, u miratua Ligji i amnistisë, po vjetërohen lëndë korruptive, do të fuqizohet “abolicioni i Gjorgje Ivanovit”… ama fundi i serialit “Ndryshimet Kushtetuese” nuk duket në horizont. Sa mendojmë se do të kryhen, papritmas del një pengesë. Sa numërohen 74, me shpresë se gjashtë edhe mund “importohen” nga jashtë, ndjehen lëkundje edhe te deputetët shqiptarë. Disa protagonistë shqiptarë në këtë telenovelë duken si ata fëmijët që nuk dinë cilën anë ta mbajnë pas divorcit të prindërve. Janë personazhet më të pavendosur, më të paparashikueshëm në tërë këtë film-telenovelë. Me hyrje-daljet në qeveri, të japin përshtypjen se nuk dijnë çfarë duan dhe ku e drejtojnë grupin e tyre, por në realitet ata dinë shumë mirë çfarë duan. Për veten e tyre, kuptohet.

Sado interesante të duket, kjo telenovelë mund të mos përfundojnë me dekada, madje ndërkohë mund të marrë tonalitete të një melodrame tipike ballkanike!

 

Të fundit