E shtunë, 15 Mars, 2025

FSHIRJA E PALESTINËS

Kjo që po ndodhë në Palestinë më nuk mund të përshkruhet si gjenocid, madje as si spastrim etnik. Është përtej shfarosjes masive – është fshirje totale.

Shkruan: Omar Suleiman*

Ndërsa rrethimi dhe bombardimi i Gazës vazhdon me forcë të plotë, ndërsa vriten  qindra njerëz çdo ditë, kurse sakatët shumë më shumë, me ç’rast fshihen familje të tëra nga librat amzë, bashkësia ndërkombëtare vazhdon të vëzhgojë me mosinteresim. Biseda globale për sulmin në Gaza po shkon drejt aneksimit të një pjese tjetër të Palestinës historike nga ana e Izraelit, ndërkohë që vendet anembanë botës po nxitojnë  jo për të penguar padrejtësinë, por të sigurojnë që palestinezët të kthyer në refugjatë, si rezultat i kësaj, të mos bëhen brengë e tyre.

Sot, frika nga ajo që vjen më pas për palestinezët është më e madhe se arroganca e indiferencës evidente të botës ndaj vuajtjes së tyre.

Kësaj radhe, Nakba po transmetohet në televizion dhe ka aromën e përfundimit. Ajo që po ndodh në Palestinë nuk mund të përshkruhet më si gjenocid, madje as si spastrim etnik. Është përtej shfarosjes masive – është fshirje totale.

Së bashku me fushatën e çrregulluar dhe moralit të prishtë ushtarake për të shuar jetën e civilëve të pafajshëm palestinezë – shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë – zhvillohet  edhe një fushatë po aq, në mos edhe më e kobshme për të fshirë plotësisht identitetin e tyre.

Pse në hartat digjitale “nuk është Palestina”?

Hapni Apple, Google ose cilëndo hartë tjetër digjitale. Shkruani “Palestinë”. Nuk do ta gjeni. Do të gjeni vetëm Izraelin. Nëse jeni me fat, mbase munt të orientoheniu në një copëz të vockël të asaj që quhet “territore palestineze”, të ngulitura fort brenda Izraelit, në mënyrë që askush të mos mendojë gabimisht se ky është një shtet i pavarur kombëtar. Dhe, natyrisht, askund në hartë nuk do të gjeni fjalën kyçe që i paraprin territoreve palestineze për të zbuluar të vërtetën e shëmtuar, por të nevojshme dhe të dhimbshme: “pushtuar”.

Çdo palestinez ka përjetuar ose përvojën brutale të të qenit pa shtetësi dhe/ose është i pastrehë, ose është zgjuar me realitetin se atdheu i prindërve të tij ashiqare është i trilluar. Kurrë nuk kam për ta harruar përvojën si një djalë i lindur dhe i rritur në Luiziana, kur nëna duhej të më shpjegonte pse mësuesja ime e klasës së dytë tha “Palestina nuk ekziston”. Papritur, të gjitha hartat, flamujt, fotografitë, kultura, madje edhe monedhat e vjetra të para vitit 1948 ku shkruhej “Palestinë” u bënë gjoja gënjeshtër. Gjithçka e thënë, megjithëse babai im është pesë vjet më i madh se shteti i Izraelit. Gjithçka e lidhur me ne gjoja se nuk ekziston.

Nuk fashitet vetëm populli palestinez apo emri i vendit, por edhe vetë fjala Palestinë. Palestina  fshihet qëllimisht nga vetëdija dhe diskursi ynë, gjatë luftës, madje edhe në paqe.

Marrëveshja e Abrahamit, një marrëveshja kinse hit e arritur me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marrëdhënieve midis shteteve arabe dhe Izraelit, ia del të përjashtojë disi palën kryesore të dëmtuar: popullsinë e Palestinës. Do të ishte normale të supozohej se gjendja e vështirë e palestinezëve, e cila gjoja ishte pengesa më e madhe individuale për paqen midis shteteve arabe dhe Izraelit, e bëri popullin palestinez  pjesëmarrës kritik – nëse jo qendror – në një marrëveshje kaq monumentale. Megjithatë, sa i përket Marrëveshjes së Abrahamit, palestinezët nuk ekzistojnë.

Fushata gjenocidale që emërtohet “luftë kundër Hamasit”

Ndërsa tani, fushata momentale gjenocidale të cilën po e zhvillon shteti pushtues i Izraelit kundër palestinezëve po përshkruhet universalisht – dhe gabimisht – si “luftë midis Izraelit dhe Hamasit”. Në njëfarë mënyre populli palestinez, i cili iu nënshtrua pushtimit dhe shtypjes izraelite për 75 vjet para 7 tetorit, nuk ka më rëndësi. Kjo lëvizje e kobshme e qëndrimit me publikun është thellësisht problematike për dy arsye.

Së pari, lejon rrëfimin e thjeshtësuar për të mirën kundër të keqes, ku Izraeli merr rolin e një demokracie paqësore dhe të qytetëruar që  shikon punën e vet, kurse Hamasi është, pa shpjegim, një milici e ligë dhe barbare – e përshkruar me të gjitha atributet dhe tropet anti-myslimane që mund të imagjinohen – që sulmon  Izraelin pa ndonjë arsye. Dhe kjo përkundër faktit se sipas Human Rights Watch, Amnesty, madje edhe organizatave të shumta izraelite të të drejtave të njeriut, Izraeli në fakt është një shtet aparteidi dhe një pushtues ilegal që ka zbatuar sistemin më johuman të mbylljes në një hapësirë në botë. Izraeli mbase ka dhjetëra parti politike, por pretendimi i përsëritur shpesh se është e vetmja “demokraci” në Lindjen e Mesme nuk mund të merret seriozisht kur kryeministri i tij, i cili po lufton me akuzat për korrupsion, mund të minojë gjyqësorin dhe të emërojë në qeverinë e tij zyrtarë të lartë të cilët haptazi emërtohen fashistë.

Së dyti, që është shumë më shqetësuese, duke fshirë strategjikisht Palestinën nga rrëfimi, Izraeli anashkalon plotësisht të gjitha pyetjet e pakëndshme se sulmet e 7 tetorit lidhen me pushtimin e gjatë mëse 70-vjeçar, nga ana e tij, të popullit palestinez.

Është e vërtetë e thjeshtë se fjala “Palestinë” e dëmton thellë imazhin e Izraelit në skenën ndërkombëtare. Fjala “Palestinë” ngërthen aq shumë viktima të njohura botërisht dhe aq shumë histori shtypjeje, nënshtrimi dhe gjenocidi, saqë kur të përfshihet në bisedë, Izraeli thjesht nuk mund t’i mohojë krimet e tij, pavarësisht se sa dëshpërimisht të përpiqet. Pesha morale e Palestinës është aq e rëndë aq sa  sa herë që kjo fjalë të shqiptohet, mund të dëgjoni fërshëllima nga flluska izraelite të PR-së. Kurrfarë pushimoresh plazhi dhe njëbrirësh teknologjik nuk mund ta fshijnë damkën e përhershme të gjakut palestinez nga duart izraelite.

Duket se Izraeli mendon se e vetmja mënyrë për të hequr qafe barrën e rëndë morale të Palestinës është që shprehimisht “Palestinën” ta heq qafe dhe kjo përfshin fshirjen e saj të plotë nga harta. E megjithatë, është Izraeli ai që qëndron përpara Kombeve të Bashkuara, vit pas viti, duke u lutur të mbrohet nga kombet “barbare” që gjoja duan ta fshijnë atë nga harta. Ironia  mbase është histerike, por hipokrizia është e vërtetë.

*Autori është imam, studiues mysliman amerikan dhe aktivist teologjik për të drejtat e njeriut. Shkrimi është marrë nga: balkans.aljazeera.net/Përktheu: kdp.mk

 

 

Të fundit