E premte, 21 Mars, 2025

MACRON NË TIRANË – VIZITË HISTORIKE: ÇKA PO SJELL SAMITI?

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron mbërriti këtë mbrëmje në Tiranë, për një vizitë zyrtare dyditore, njofton ATSH, përcjell KDP. Macron u prit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama e ka pritur presidentin francez, në Pallatin e Brigadave. Nesër, më 17 tetor 2023, Presidenti francez do të takohet me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

VONESA NË SAMIT

Presidenti francez ishte planifikuar të ishte pjesë e Samitit të Berlinit që u zhvillua sot në Tiranë, por vizita e tij, sipas medieve franceze, u shty me disa orë dhe shkak për këtë ishte vrasja e mësuesit në Francë, si edhe konflikti në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe grupit Hamas.

Vizita e Macron është vizita e parë e një presidenti francez në Shqipëri.

Radio France International i ka kushtuar një rëndësi të veçantë Samitit në Tiranë. Sipas RFI, Procesi i Berlinit ka rezultuar në një sërë projektesh të përbashkëta në fushat e ekonomisë, sigurisë, bashkëpunimit social dhe ekologjisë, të cilat, sipas faqes së internetit të Procesit të Berlinit, “e afruan rajonin me BE”.

Por sipas institutit gjerman Stiftung Wissenshaft und Politik (SWP), zbatimi i marrëveshjeve nga shtetet e Ballkanit Perëndimor “shpesh ka ngecur”.

Në një dokument të dhjetorit 2022, SWP kërkoi që: “Gjermania dhe BE-ja duhet të insistojnë më me vendosmëri në zbatimin e marrëveshjeve të miratuara, sepse Procesi i Berlinit ka potencialin të rivendosë besueshmërinë në rënie të perspektivave të shteteve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE”.

Të gjithë anëtarët e Ballkanit Perëndimor – ish-republikat jugosllave – Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Kosova dhe Mali i Zi, si dhe Shqipëria – kanë ambicie për BE.

RAPORTET KOSOVË-SERBI

Vetëm Kroacia është bërë deri tani anëtare e BE-së, në vitin 2013. Të tjerat janë kandidate zyrtare për anëtarësim, me përjashtim të Kosovës, e cila ende pretendohet nga Serbia dhe nuk njihet zyrtarisht si shtet i pavarur nga vendet anëtare të BE-së, Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Përkundër kësaj, Prishtina aplikoi në dhjetor 2022.

Por Serbia dhe Kosova mbeten vendet më problematike mes anëtarëve të mundshëm të BE-së.

Brukseli kërkon që Kosova dhe Serbia së pari të zgjidhin marrëdhëniet e tyre të tensionuara. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha muajin e kaluar se nuk do të ketë një të ardhme evropiane për asnjërin vend nëse nuk arrijnë në një mirëkuptim sa më shpejt të jetë e mundur.

Sipas BalkanInsight, një botim që monitoron rajonin, vrasja më 24 shtator e një oficeri policie në Kosovë nga një grup serbësh të armatosur rëndë, tre prej të cilëve gjithashtu vdiqën në shkëmbim zjarri, “ka nënvizuar dështimin e bisedimeve të udhëhequra nga Bashkimi Evropian”.

“Kosova dhe Serbia rrezikojnë të mbeten prapa kur partnerët e tjerë rajonalë po lëvizin më shpejt drejt Evropës”, tha Borrell në shtator.

NIKOQIRI RAMA

Ndërkohë, presidenti i Shqipërisë Edi Rama, mikpritës i Samitit të Procesit të Berlinit të së hënës, nuk është aspak optimist.

“Nuk duhet të ketë vetëm reforma dhe kritika që janë të nevojshme, por edhe mbështetje më konsekuente, dhe nuk po flas vetëm nga pikëpamja financiare, por edhe aksesi në treg i ndërmarrjeve tona”, tha ai, i cituar nga Euractiv në gusht.

Ai shtoi se ndërsa BE ka diskutuar për infrastrukturën për shumë vite, investimi i prekshëm në rajon ka ardhur nga Kina, vendet arabe dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ajo që po ndodh gjatë gjithë këtyre viteve në këto vende është se nga njëra anë përmes procesit të Berlinit folëm për infrastrukturën dhe mënyrën e financimit të projekteve, nga ana tjetër infrastrukturën po e ndërtojnë amerikanët, kinezët dhe arabët”, tha Rama.

Në vitin 2021, Komisioni Evropian shpalli “Global Gateway”, një plan për të mobilizuar 300 miliardë euro në investime publike dhe private në infrastrukturë në mbarë botën, një veprim i parë si një përgjigje ndaj strategjisë së Kinës “Brez and Road”.

Strategjia do të përfitonte gjithashtu edhe për Ballkanin Perëndimor. Por deri më tani nuk ka rezultuar me projekte konkrete.

Ndërkohë, bashkëpunimi më i ngushtë midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së do të përshtatej me nismën e presidentit francez Emmanuel Macron “Komuniteti Politik Evropian”.

I propozuar në maj të vitit 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës, gjatë presidencës franceze të Këshillit të Bashkimit Evropian, qëllimi i tij ishte të forconte lidhjet midis vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve evropiane jo-BE “që ndajnë të njëjtat vlera” – përgjatë vijave të Procesit të Berlinit.

Macron do të marrë pjesë në takimin në Tiranë, duke i dhënë mundësinë të bëjë një vizitë zyrtare shtetërore në Shqipëri – e para ndonjëherë nga një president francez në detyrë.

Në fillim të këtij muaji, udhëheqësit e Bashkimit Evropian deklaruan mbështetje për shtimin e anëtarëve të rinj në bllok, por nuk caktuan një datë të synuar dhe paralajmëruan kandidatët si Ukraina se nuk do të kenë integrim pa merita.

Në atë samit, të mbledhur në qytetin spanjoll të Granadës, udhëheqësit e bllokut 27-vendesh shpallën se zgjerimi i BE-së është një “investim në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet”.

Por ata thanë gjithashtu se BE-ja dhe anëtarët e mundshëm – që përfshijnë Ukrainën, Moldavinë dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor – do të duhet të bëjnë ndryshime të mëdha për të qenë gati për një bashkim të zgjeruar.

Të fundit