E hënë, 28 Prill, 2025

INFERMIERËT, FARMACISTËT…DO TË MUND TË PUNOJNË KUDO NË BALLKAN, SË SHPEJTI EDHE NË BE

Nga Tirana, Seladin Xhezairi

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, bëri sonte të ditur se, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, sapo është firmosur marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të katër profesioneve të reja në rajon.

“Këto bëjnë që sot të kemi një grup prej shtatë profesioneve që do të jenë të njohura në rajon. Për infermierët, mamitë, farmacistët dhe për kirurgët e veterinarisë do të hapet mundësia të punojnë kudo që të kenë mundësi në rajon”, tha Bregu.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të Berlinit që mbajti sot punimet në Tiranë, konkretisht, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, atij të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministres së Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo dhe kryeministres serbe, Ana Brnabiq.

Gjatë viteve të fundit, sipas saj, gati është bërë rutinë largimi i mjekëve, infermierëve nga vendet e rajonit dhe jo vetëm. Por, shtoi Bregu, tani u japim mundësi që të kenë edhe një shans për të zgjedhur. “Dikush mund të dojë dhe të ketë interes të punojë në rajon”, shtoi ajo.

Bregu njoftoi se si pjesë e konkluzioneve të Samitit të Procesit të Berlinit është edhe marrëveshja për hyrje në fuqi të reduktimeve të çmimeve të roamingut për sa i përket internetit ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE), lajm që bëri bujë në këto dy javët e fundit masivisht.

“Po shmangen pagesat, po shmanget burokracia dhe, nga ana tjetër, i japim kuptim edhe politikave të afrimit të rajonit me BE-në”, nënvizoi ajo.

Tirana ka qenë kryeqytet i parë i rajonit që ka organizuar një Samit të Procesit të Berlinit. Deri më tani këto samite janë organizuar nga vende anëtare të BE-së.

“Jo se jam unë nga Shqipëria, por është e rëndësishme se tash po bëhet traditë organizimi i samiteve dhe i aktiviteteve të nivelit të lartë politik të BE-së në një kryeqytet të Ballkanit Perëndimor”, tha Bregu.

E pyetur nëse në muajt në vijim mund të priten marrëveshje të reja, Bregu me përgjigje: “Sikur të ishte e lehtë arritja e një marrëveshjeje dhe të merrte vetëm një muaj, atëherë deri në samitin tjetër do të sillnim edhe tre marrëveshje. Problemi është se kjo nuk varet nga ne. Me rëndësi është të hyjnë në fuqi në të gjitha vendet e rajonit tre marrëveshjet e firmosura vjet. Sot për sot janë në fuqi vetëm në katër vende. E dyta, është e rëndësishme të fillojë menjëherë ratifikimi i katër profesioneve të reja, të cilat prej sot morën dritën jeshile për t’u njohur në rajon. Tani kemi shtatë profesione dhe kështu kemi filluar grupin e profesioneve me të cilat mund të fillojmë negocimin për t’i njohur këto profesione, jo vetëm mes njëri-tjetrit në Ballkan, por për t’i njohur ato edhe në BE”.

Detyrimi për të njohur tre marrëveshjet e para i mbetet Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi. Megjithatë, Bregu tha se RCC ka punuar sikur këto marrëveshje të ishin ratifikuar nga të gjitha parlamentet. “Ne kemi vijuar me ngritjen e grupeve të punës për t’iu dhënë mundësi vendeve, edhe atyre që janë me vonesë, të nisin menjëherë me zbatimin e marrëveshjeve”, theksoi ajo.

E pyetur nga KDP se si e çmon vlerësimin e Konferencës së paradoditshme parlamentare, rajonale, që u mbajtë po ashtu në Tiranë, se roli i RCC-së ishte vendimtar për vendosjen e tregut unik me BE-në, Bregu tha se ndjehet mirë për këtë pasi ka qenë ide e saj e vjetër.

“Më vjen mirë që edhe parlamentet bëhen bashkë. Ka qenë një ide e vjetër e imja në vitin 2015, kur isha deputete, që Procesit të Berlinit t’i jepet edhe dimensioni parlamentar. Siç po ndodh edhe në këtë rast, janë parlamentet në fund të ditës që bëjnë ratifikimin e marrëveshjeve. Më vjen mirë që parlamentarët nga vendet e rajonit u mblodhën në Tiranë, kanë vendosur që tashmë të kenë një bashkëpunim më të mirë me njëri-tjetrin dhe të kenë mundësinë të përshpejtojnë ratifikimin e këtyre marrëveshjeve”, tha Bregu.

Në Samitin e Tiranës morën pjesë zyrtarë të lartë të BE-së, si Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel. Atyre iu bashkua kancelari gjerman Olaf Scholz. Presidenti francez Emmanuel Macron iu bashkua më vonë samitit, për shkak të incidentit të fundit kur një mësues u godit për vdekje me thikë dhe tre persona u plagosën në një sulm në shkollë në Francën veriore.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme të integrimit në bllok. Serbia dhe Mali i Zi ishin vendet e para të Ballkanit Perëndimor që nisën negociatat e anëtarësimit në vitin 2012 dhe 2014, pasuar nga Shqipëria dhe Maqedonia vitin e kaluar, ndërsa Bosnja dhe Kosova janë në faza më të hershme të integrimit.

Të fundit