Parti të dala nga LSDM-ja dhe BDI-ja pritet ta provojnë shansit e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Maksim Dimitrievski, kryetari aktual i Kumanovës dhe ish-deputeti i LSDM-së, Izet Mexhiti, ish-kryetar i BDI-së në Çair, por edhe kryetarja e Shkupit Danela Arsovska në zgjedhjet e ardhshme pritet të garojnë me subjektet e tyre të sapoformuara, përcjell KDP.
Nga fjalori i përdorur partitë e reja lënë përshtypje se do t’i fitojnë zgjedhjet parlamentare dhe se do të përbëjnë pushtetin e ardhëshëm. Sa kanë gjasa për këtë?
“Modeli proporcional, me modelin e D’Hontit për ndarjen e mandateve nga listat partiake dhe me gjashtë njësi zgjedhore, në radhë të parë i shërben partive dhe koalicioneve të mëdha. Nuk u jep shanse partive të vogla dhe të reja”, thotë për REL analisti Sefer Selimi.
Partitë deri nesër duhet të marrin në tryezë Kodin Zgjedhor në të cilin janë futur komentet e OSBE/ODIHR. Kjo ishte edhe detyra e grupit të punës që u krijua rreth pesë muaj më parë nga Ministria e Drejtësisë për reformimin e legjislacionit zgjedhor.
“Ne kemi bërë pjesën tonë përsa i përket zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Pjesa më e madhe e rekomandimeve tashmë janë zbatuar, ka ende për të bërë disa rregullime ndërmjet Entit Shtetëror për Revizion dhe Komisionit Kundër Korrupsion lidhur me dispozitat për financimin e partive”, thotë Aleksandar Novakovski, kryetar i grupit punues.
Vitet e fundit, OSBE/ODIHR ka dhënë një numër të madh rekomandimesh për përmirësimin e procesit zgjedhor. Ndër to janë: Kodi Zgjedhor duhet të rishikohet në mënyrë gjithëpërfshirëse për ta harmonizuar brenda kornizës dhe me ligjet e tjera përkatëse, për të qenë në përputhje me objektivat e OSBE-së, detyrimet ndërkombëtare dhe praktikat e mira, që autoritetet të tregojnë më shumë vullnet politik për të siguruar një ndarje të mjaftueshme mes shtetit dhe partisë, për të inkurajuar pjesëmarrjen e grave në procesin zgjedhor dhe në marrjen e vendimeve politike etj.
Në të njëjtën kohë me përmirësimin e Kodit Zgjedhor, dilema vazhdon: a do të kemi këtë vit zgjedhje presidenciale dhe të parakohshme parlamentare në një ditë, siç kërkojnë partitë opozitare, apo zgjedhjet do të mbahen ende në mandatin e rregullt – presidencialet në mars ose prill, kurse parlamentaret pas 5 majit 2024.
Maqedonia e Veriut edhe në këto zgjedhje do të shkojë me modelin me gjashtë njësi zgjedhore. Ai model elektoral favorizon partitë e mëdha në “llogarinë” e të cilave kalojnë votat e partive më të vogla.
Sipas analistit Selimi, edhe nëse Maqedonia e Veriut është një njësi e vetme zgjedhore, disa nga partitë më të vogla nuk do të mund të fitonin një deputet të vetëm, sepse forca e përfaqësimit lokal do të humbiste.
“Një model zgjedhor që po diskutohet janë tetë njësi zgjedhore, të shpërndara sipas rajoneve planore në vend, të cilat mund të jenë më të përshtatshme për partitë më të vogla”, thotë Selimi.
Partitë e vogla nuk heqin dorë nga kërkesa e tyre për të ndryshuar modelin zgjedhor për të rritur shanset e tyre për më shumë mandate parlamentare. Kërkesa është dorëzuar në mars 2021.
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, njoftoi se këto ditë do të kërkojë nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, që në rend dite të seancës parlamentare t’i vendosë propozim-amandamentet e Kodit Zgjedhor.
Me to propozohet që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi e vetme zgjedhore, pa prag zgjedhor dhe zgjidhje për performancën e pavarur të bashkësive më të vogla etnike. Argumenti kryesor për një ndryshim kaq serioz në legjislacionin zgjedhor është se ai do të sjellë një përfaqësim më të madh të zërit të qytetarëve dhe në të njëjtën kohë një shkallë më të madhe të demokracisë në shtet.
“Propozimi është në proces prej më shumë se dy vitesh. Faza e parë kaloi në kuvend në qershor. Tani duhet të vijojë faza e dytë, debati i amendamentit. Partitë e mëdha kanë monopol nëse mbeten gjashtë zona. Në këtë mënyrë partitë më të vogla humbasin nga 100.000 deri në 120.000 vota, humbin mandate parlamentare. Vetëm me miratimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, asgjë thelbësore nuk ndryshon në Ligjin Zgjedhor”, tha Trajanov për Radion Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase.
Por për analistët është e diskutueshme se sa edhe një njësi zgjedhore do të ndihmonte partitë më të vogla dhe të reja të fitonin më shumë mandate.
“Modeli zgjedhor ekzistues, veçanërisht formula D’Hont, favorizon partitë e mëdha që udhëheqin vendin. Dhe pjesa më e madhe e financave për zgjedhjet shkojnë sërish tek ato të mëdhajat. Partitë e vogla zakonisht kanë mbështetje të shpërndarë nëpër njësitë zgjedhore, gjë që nuk reflektohet në mandatet parlamentare. Matematikisht, subjektet më të vogla politike nuk janë të përshtatshme për një zonë zgjedhore, sepse në këtë mënyrë ata humbasin “bazën” e tyre në komunitetet më të vogla”, thotë Marko Troshanovski, president i Institutit Societas Civilis për Demokraci.