E diel, 23 Mars, 2025

HOVENIER: GRUPI SERB QË SULMOI POLICINË E KOSOVËS KISHTE ARMË TË SOFISTIKUARA QË S’MUND TË BLIHEN NË TREGUN LOKAL

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do lënë pa i dënuar autorët e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Ai ka thënë se bëhet fjalë për një grup jo spontan, dhe që kishin qasje në armë që nuk mund të blihen në tregun lokal. Hovenier i është bashkangjitur qëndrimit të Kosovës se armët janë ofruar nga “një strukturë shtetërore”, shkruan Reporteri.net.

“Ka disa gjëra që i dimë. E dimë se ky grup individësh nuk ishte spontan. Këta individë, që ishin të gjithë serbë me sa dihet, kishin qasje dhe posedonin armë shumë të sofistikuara që nuk mund të blihen në tregun lokal. Duhet të ketë një strukturë, zakonisht strukturë shtetërore që ua ofron ato armë”, deklaroi Hovenier në intervistë për Zërin e Amerikës.

Ndonëse dihen disa prej fakteve, ambasadori amerikan tha se ShBA po përpiqet të kuptojë më shumë rreth agresionit serb para se të veprohet tutje.

“Ne e dimë se pjesa më e madhe e materialit [luftarak] që ata lanë pas, ishte me origjinë nga Serbia. E dimë se Milan Radoiçiqi, që ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe bëri një deklaratë publike përmes avokatit të tij, duke marrë përsipër përgjegjësinë dhe duke thënë se kishte organizuar sulmin dhe kishte marrë përsipër në të. Këto janë gjëra që i dimë dhe po përpiqemi të kuptojmë më shumë rreth sulmit”, shtoi Hovenier.

“Siç kemi thënë edhe më parë pas kësaj kishte struktura ose organizata. Ajo që ne po përpiqemi është të kuptojmë se si funksionoi saktësisht kjo”, ka deklaruar Hovenier.

Të fundit