Lajmi se James O’Brien është emëruar si Ndihmës Sekretari i ri i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike kaloi nën radarin e publikut. Njeriu që dikur ishte këshilltar i ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright dhe që mori pjesë në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Qëndrimi i tij, sipas të intervistuarve të gazetës serbe “Nova”, disa prej të cilëve e njohin personalisht, është se kjo nënkupton një qasje më të ashpër të Amerikës ndaj Serbisë, para së gjithash për çështjen e Kosovës, por edhe për korrupsionin dhe krimin e organizuar, – përcjell KDP.
James O’Brien erdhi në vend të Karen Donfredit, e cila u largua nga posti në mars të këtij viti. Rrjedhimisht, O’Brien u propozua Ndihmës Sekretar i ri i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike nga presidenti amerikan Joseph Biden.
Ai praktikisht do të jetë epror i Gabriel Escobart, të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Ky ish-punonjës i Departamentit të Shtetit dhe laureat i çmimeve të shumta për shërbim nga viti 1989 deri në 2001, ishte këshilltar i lartë i ish-sekretares Madeleine Albright, si dhe zëvendësdrejtor i parë për planifikimin e politikave dhe emisar presidencial për Ballkanin.
O’Brien ishte edhe pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Rambuje në vitin 1999, dhe ishte i përfshirë në gjetjen e zgjidhjes për t’i dhënë fund luftës në BeH dhe ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit nga viti 1995, me të cilën kjo luftë mori fund.
“Ai udhëhoqi mbështetjen e SHBA-së për Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, me seli në Hagë, e cila ndihmoi në sjelljen para drejtësisë të përgjegjësve për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit”, shtohet në njoftimin për shtyp me të cilin publiku u informua për caktimin e tij”.
Çfarë do të thotë kjo për Serbinë?
Ai nuk do të hezitojë t’a drejtojë gishtin kah Vuçiqi
Ish-shefi i Misionit të RFJ-së në OKB dhe pjesëmarrës në negociatat e Dejtonit, Nebojsha Vujoviq, thotë se e njeh personalisht O’Brienin dhe se ardhja e tij në postin e Ndihmës Sekretait të Shtetit të SHBA-së për Evropën është, nga njëra anë, një freskim dhe nga ana tjetër, paralajmërim i qëndrimit të fortë të SHBA-së ndaj Serbisë dhe Presidentit Aleksandar Vuçiq.
“O’Brien vjen në vendin e Karen Donfriedi, e cila ishte shtyllë e stabilokracisë dhe tolerimit të Aleksandër Vuçiqit, në mënyrë që përmes tij të pengohet përshkallëzimi i situatës dhe ndezja e zjarrit në Ballkanin Perëndimor. Banjska tregoi se nuk ishte një qasje e suksesshme, kurse O’Brien është bartës i një politike krejtësisht tjetër”, – thotë Vujoviq për “Nova” dhe shton:
“Ai dikur ishte këshilltar i Madeleine Albright, ai ishte i ngarkuar për rregullativën juridike të Marrëveshjes së Dejtonit. Ai mbështeti një qasje shumë më humane ndaj çështjes së dorëzimit të të dyshuarve për krime lufte në gjykatën e Hagës. Me strategjinë e dorëzimit vullnetar të të akuzuarve për krime lufte, atyre iu dha mundësia të mbroheshin në liri, të shkonin nëpër festime, dasma…Kjo ishte një qasje dukshëm më humane dhe O’Brien e mbështeti këtë. Ardhja e tij në këtë pozicion është freskuese”.
Nga ana tjetër, ai konsideron se Ndihmës Sekretari i ri amerikan i Shtetit për Evropën do të ketë shumë më pak mirëkuptim për ngjarjet si Banjska, të cilat mund të rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Është krejtësisht e sigurt se nuk do të përfaqësojë qëndrimin që diktatorët duhet të lirohen, me shpresë se nuk kanë për të shkaktuar ndonjë zjarr. Ky është një sinjal se SHBA-të do të përfshihen më shumë në ngjarjet në Kosovë e Metohi, sepse për ta ka rëndësi të madhe që kjo çështje të zgjidhet deri në fund të vitit, sepse atëherë hyhet në zgjedhjet e brendshme partiake amerikane dhe e gjithë vëmendja do të përqendrohet në këtë. Me ardhjen e O’Brien, Amerika sigurisht që do të fokusohet në këtë problem dhe nuk do të tolerohet më blerja e kohës, që gjatë kohë është strategji e Aleksandar Vuçiqit. Ai nuk do të hezitojë të drejtojë gishtin kah Vuçiqi dhe të thotë se ai është pjesë e problemit”.
Korrupsioni dhe krimi në fokus
Analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, thotë për gazetën “Nova” se ekziston një dimension që ka të bëjë me O’Brienin e që nuk përmendet. Ka të bëjë me korrupsionin dhe krimin.
“Herën e parë kur Joseph Biden emëroi ambasadorë në Beograd, Sarajevë dhe Prishtinë, ai emëroi pikërisht O’Brienin të dërguar të posaçëm për çështjet e luftës kundër korrupsionit. Është shumë indikative që Uashingtoni i kushton kaq shumë vëmendje çështjes së korrupsionit dhe luftës kundër krimit të organizuar. Fill pas kësaj iu vendosën sanksione Milorad Dodikut dhe Aleksandr Vulinit, vetëm se diplomatët amerikanë theksuan disa herë se sanksionet ndaj Vulinit janë vendosur para së gjithash për shkak të korrupsionit dhe lidhjeve me krimin, dhe jo lidhjeve me Rusinë, siç u prezantua kjo para publikut tonë. Pra, çështja e korrupsionit dhe krimit të organizuar ka dalë në plan të parë, prandaj është për t’u pritur që O’Brien të insistojë pikërisht në zgjidhjen e këtyre problemeve, që në fakt janë pikat më të dobëta të pushtetit serb”, – thotë Jakshiq.
Ai çmon, po ashtu, se kjo nuk është fjala për një përzgjedhje të rastësishme.
“Është e qartë se kur përmenda emërimet e reja të ambasadorëve në Beograd, Sarajevë dhe Prishtinë, se zgjedhja e pikërisht këtyre njerëzve u interpretua si një angazhim më serioz i SHBA-së në këtë rajon. Sepse të tre së bashku, krahas vetë O’Brienit, kanë më shumë se një shekull përvojë me këtë rajon. Ata nuk janë dërguar rastësisht, është një sinjal i qartë i Uashingtonit se Ballkanit Perëndimor po i jep një prioritet më të madh se më parë. KEmërimi i O’Brajenit e konfirmon këtë”, – përfundon Jakshiq.