Analisti politik, Ibrahim Mehmeti, konsideron se sulmet e njëpasnjëshme ndaj Kosovës kohëve të fundit, duke filluar nga kidnapimi i policëve, e deri te sulmi i armatosur me 24 shtator, jo vetëm që i shpalosin qëllimet jo të sinqerta lidhur me “Ballkanin e hapur” nga shteti serb, por siç thotë ai, paraqesin rrezik afatgjatë për stabilitetin në Ballkanin perëndimor.
“Nëse deshtimi i “Ballkanit të hapur” mund të konsiderohet si një deshtim i pritur dhe me pasoja të kufizuara, për arsye se në të u kyçen vetëm tre nga gjashtë shtetet që e përbëjnë Ballkanin perëndimor, ajo që brengos edhe më tepër është se sjellja e pakontrolluar dhe shumë e toleruar e pushtetit aktual të Serbisë nga faktorët vendimmarës për Ballkanin perëndimor, e rrezikon dukshëm edhe procesin e Eurointegrimeve dhe Procesin e Berlinit i cili ka rol shumë të rëndësishëm për Eurointegrimet”, thotë Mehmeti.
Ai gjatë një prononcimi për KDP.MK, thotë se nëse kërkohet përgjegjësi për këto levizje të rrezikshme që shkojnë në favor të forcave anti europiane, para se gjithash të Rusisë, nuk mund të mos e konstatojmë dështimin e dialogut Beograd-Prishtinë me ndermjetësimin e BE-së.
“Jokompetenca dhe strategjia e paqëlluar e BE-së në këtë dialog, bashkë me trajtimin e papërshtatshëm të palëve, kanë rezultuar në një pasiguri edhe më të madhe në zgjidhjen e kontestit në fjalë. Tani është momenti që faktori ndërkombëtar, në veçanti shtetet me kredibilitet më të madh në Ballkanin perëndimor, të kyçen me propozime të reja për të korrigjuar qasjen e cila u tregua e pasuksesshme. Kështu, mund të shpëtohet ajo që mund të shpëtohet dhe të ofrohet një qasje e re, e cila do të nisë nga pozicionet e palëve ndaj politikave të BE-së që synojnë të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor, së paku verbalisht, dhe në bazë të kësaj, duhet ofruar një zgjidhje që të bëjë dallimin ndërmjet viktimës së dhunës dhe bulizmit”, thotë analisti Mehmeti.
Kujtojmë se Ballkani Hapur, që fillimisht u quajt Mini-Shengen, nisi më 10 tetor 2019, në Novi Sad të Serbisë, dhe u firmos nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Më 29 korrik 2021, ajo u pagëzua me emrin Ballkani i Hapur. Nisma u kundërshtua dhe u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina. Ndërsa përfundimin e Ballkanit të Hapur, kryeministri Rama e kishte paralajmëruar që më 23 qershor, kur në një konferencë për media, deklaroi “ngrirje” të marrëdhënieve me Serbinë, për shkak të arrestimit të tre policëve të Kosovës.
Ndryshe, në kuadër të Ballkanit të Hapur, u nënshkruan disa marrëveshje dhe memorandume, mes tri vendeve pjesëmarrëse – Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, gjegjësishtë në sferën ekonomike, atë të arsimit, kulturës dhe turizmit. Marrëveshjet e nënshkruara u pritën edhe si shpresë për ta forcuar paqen dhe stabilitetin në rajon, pas agresionit rus në Ukrainë. Kjo nismë gjithashtu u përkrah edhe nga i dërguari special i SHBA-ve, Gabriel Escobar, i cili më 8 qershor në Ohër, tha se “SHBA-ja e përkrah nismën ‘Ballkani i Hapur’ sikur edhe të gjitha nismat tjera që promovojnë paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe nëse ka sukses duhet të mbështeten nga të gjithë, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, dhe nga komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i cili shtoi se “Brukseli e mbështet nismën, si mundësi, që do t’i ndryshojë sfidat me të cilat është përballur rajoni, por edhe si mundësi për përshpejtimin e integrimit evropian të rajonit”.