Në takimin në Granada të Spanjës, udhëheqësit evropianë do të diskutojnë edhe rrugën strategjike për BE-në pas viteve të krizave të ndryshme, nga pandemia COVID-19, lufta ruse në Ukrainë e deri tek kriza energjetike dhe sfidat e tjera, përcjell KDP njoftimin e agjencisë Reuters. Në draftin e deklaratës së përbashkët, të cilën e ka parë kjo agjenci, thuhet se “e ardhmja e kandidatëve për anëtarësim dhe e qytetarëve të tyre qëndron në Bashkimin Evropian”.
Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mblidhen në Granada të Spanjës për një takim jozyrtar ku do të diskutojnë mënyrat për të shmangur një krizë të re migracioni dhe zgjerimin e ardhshëm të BE-së.
Italia dhe Spanja kanë shprehur shqetësimin për rritjen e emigracionit ilegal këtë vit, ndërsa ujërat greke në qershor ishin fundosjes më vdekjeprurëse të anijeve në Evropë, këto vitet e fundit, ku kanë humbur jetën qindra emigrantë.
Gjermania, vendi i destinacionit për shumë emigrantë që arrijnë në Evropë, ka vendosur kontrolle kufitare, duke thënë se ato janë të nevojshme për të goditur kontrabandistët që sjellin njerëz në territorin e saj. Vendimi u mor pasi Gjermania raportoi një rritje gati 80 për qind të kërkesave për azil deri më tani këtë vit, që ka shqetësuar koalicionin qeverisës të qendrës së majtë i cili po përballet me sfidën e së djathtës ekstreme në zgjedhjet lokale në Bavari më 8 tetor.
Në Poloninë fqinje, zgjedhjet kombëtare do të mbahen një javë më vonë, më 15 tetor. Varshava refuzon të pranojë ikanakët e rinj nga Lindja e Mesme dhe Afrika, edhe pse Polonia u ka ofruar strehim disa milionë ukrainasve që ikën nga pushtimi rus.
Vende të tjera të BE-së kanë vendosur gjithashtu kontrolle kufitare, duke shtruar nevojën e luftimit të kontrabandimit të njerëzve dhe migrantëve të cilët anashkalojnë kalimet e rregullta kufitare dhe procedurat e mbërritjes.
Zyrtari më i lartë i BE-së për migracionin, tha javën e kaluar se deri tani këtë vit janë regjistruar 250,000 ardhje emigrantësh, shifër kjo që është shumë më e ulët se ajo e vitit 2015 kur në BE hynë më shumë se një milion njerëz.
Mirëpo, kjo çështje politikisht është e ndjeshme, kurse retorika dhe politika kundër emigrantëve janë në rritje në disa vende të BE-së përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, qershorin e ardhshëm.
Në takimin në Granadë, krerët e BE-së do të diskutojnë gjithashtu rrugën strategjike për BE-në pas viteve të krizave të ndryshme, nga pandemia COVID-19, përmes luftës ruse në Ukrainë, kriza energjetike e vitit 2022 si dhe sfida e tjera si ndryshimet klimatike dhe rivaliteti ekonomik me Kinën.
Vendet që duan t’i bashkohen bllokut janë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Lindore, ku bën pjesë edhe Ukraina. Të gjitha ato duhet të plotësojnë një sërë kushtesh për t’u kualifikuar për anëtarësim, ndërsa liderët e BE-së do të shqyrtojnë se çfarë duhet të ndryshojë brenda Unionit për të mundësuar edhe një zgjerim tjetër.
Në draftin e deklaratës së përbashkët, të cilën e ka parë Reuters, thuhet se “e ardhmja e kandidatëve për anëtarësim dhe e qytetarëve të tyre qëndron në Bashkimin Evropian”.
“Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet… dhe BE-ja dhe shtetet e ardhshme anëtare duhet të jenë gati.”
Në këtë samit, raportohet se marrin pjesë rreth 50 shefa të shteteve ose qeverive, përfshirë këtu edhe ata nga Ballkani Perëndimor dhe punimet e tij i ndjekin 700 gazetarë nga mbarë bota.