Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka vizituar të enjten Rashkën dhe Novi Pazarin, një zonë kjo në afërsi të kufirit me Kosovën. Sikurse ka njoftuar ambasada amerikane, vizita ka pasur për qëllim njohjen me situatën në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës:
“Ambasadorët Hill dhe Zhiofre janë takuar sot në jug të Serbisë me ministrin serb të Mbrojtjes Milosh Vuçeviq dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq, me qëllim që, me ftesë të tyre, të njihemi më në hollësi me situatën në afërsi të kufirit të Serbisë dhe Kosovës”, – thuhet në një përgjigje të ambasadës amerikane për agjencinë e lajmeve Beta.
Sikurse njofton KDP, reagimi në fakt pason pohimet e kësaj agjencie serbe të lajmeve se kryediplomati amerikan në Beograd deri në zonën e sipërpërmendur kishte shkuar me një helikopter të ushtrisë serbe, gjë që është hedhur poshtë nga Ambasada, por edhe Ministria serbe e Mbrojtjes. Pretendimi, tërthorazi është përgënjeshtruar edhe nga ambasadori Hill, në një status të postuar në rrjetet sociale: “Për fat, ne udhëtuam në fakt me makina deri në Novi Pazar, në të kundërtën nuk do të mund të kthenim për manti”, ka shkruar ambasadori amerikan, duke shpotitur kështu edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kohë më parë, po në këtë zonë, “ngatërroi” fjalët “manti” dhe “myfti”!