E mërkurë, 26 Mars, 2025

TETË VJET E GJYSMË BURG PËR GAZETAREN RUSE QË KRITIKOI AGRESIONIN NË UKRAINË

Gazetarja televizive ruse e cila ngriti zërin në eter kundër luftës në Ukrainë, është  dënuar në mungesë me tetë vjet e gjysmë burg  në një gjykatë në Moskë. Marina Ovsyanikova, e cila u dënua për përhapjen e dezinformatave rreth ushtrisë ruse, vitin e kaluar  i shpëtoi arrestit shtëpiak duke u larguar nga Rusia, – përcjell KDP njoftimin e agjencisë franceze të lajmeve  AFP.

Gjykata ruse e dënoi ish-gazetaren e televizionit shtetëror, Ovsyanikova, sepse ajo u shfaq në një emision lajmesh me një poster ku shkruhej “Ndaloni luftën” dhe “Ju gënjejnë”, duke dënuar kështu agresionin rus në Ukrainë, por edhe “propagandën” e mediave nën kontrollin e Kremlinit..

Ajo u shpallë fajtore për “përhapje të vetëdijshme të informacionve të rrejshme për forcat e armatosura ruse“, – thuhet në një njoftim të gjykatës për median ruse.

Gazetarja e cila u arratis nga Rusia një vit më parë, u gjobit për vepra të ngjashme në gusht 2022. Ovsyanikova u bë e famshme në mesin e marsit 2022, pasi u shfaq në mes të transmetimit të lajmeve në televizionin pro regjimit ku edhe punonte.

Regjistrimet e veprimit të saj, vetëm pak javë pas fillimit të agresionit rus, bënë xhiron e botës. Shumë njerëz e vlerësuan guximin e saj, në kuadrin e shtypjes së çdo zëri kritik në Rusi.

Në korrikun e vitit 2022, ajo u arrestua pasi bëri një protestë pranë Kremlinit duke mbajtur një pankartë që kritikonte ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë dhe presidentin rus Vladimir Putin.

Në tetor 2022, ndërsa ishte në arrest shtëpiak, ajo së bashku me të bijën ia doli të arratiset nga Rusia. Gazetarja Marina Ovsyanikova aktualisht ndodhet në Francë.

 

Të fundit