Universitetet në vend, nga sot, nisën vitin e ri akademik. Me këtë rast, janë zhvilluar edhe orët e para akademike dhe ndarja e indekseve për studentët e rinj nëpër universitetet e ndryshme në vend. Përfaqësuesit qeveritarë kanë theksuar se reformat cilësore në sistemin arsimor kërkojnë kohë, ndërkohë që është paralajmëruar përmirësimi i Ligjit për arsimin e lartë.
Përgatiti: Enis Shaqiri
“Ajo për të cilën jam i sigurt është se stafi mjekësor nuk është dhe nuk do të mungojë në vendin tonë, sepse të gjitha vendet janë të mbushura dhe kaq shumë studentë të rinj të mjekësisë po qëndrojnë dhe po mbushin këtë sallë, këtë amfiteatër në të cilin nga sot do të fillojnë studimet në fakultetin e mjekësisë. Gjithmonë investoni në njohuritë tuaja, është ajo që do t’ju formojë si person dhe si profesionist dhe është një investim që do t’ju kthehet shumë herë gjatë gjithë jetës suaj. Njohuria është e vetmja gjë që askush nuk mund ta heqë kurrë nga ju”.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Dimitar Kovaçevski, në ditën e parë të fillim vitit të ri akademik në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Sipas tij, cilësia e arsimit të lartë, është e një rëndësie kyçe, të cilën Maqedonia e Veriut e përmirëson në bashkëpunim me universitetet dhe partnerët strategjikë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
“Ne presim rezultate në afat të mesëm, sepse çdo reformë cilësore kërkon kohë, kërkon burime njerëzore dhe financiare. Por drejtimi është marrë – është arsimi maqedonas, duke ndjekur praktikat e suksesshme evropiane. Në vitin 2018, miratuam një ligj krejtësisht të ri për Arsimin e Lartë që garanton lirinë akademike të veprimit dhe shprehjes dhe ofron më shumë të drejta dhe mundësi për stafin mësimdhënës dhe arsimor, si dhe për studentët. Dhe ne tashmë jemi duke diskutuar për përmirësimin e Ligjit dhe kjo do të ndodhë së shpejti. Gjithashtu, aktualisht po punohet për 4 dokumente strategjike kyçe për ndërtimin e një sistemi kombëtar cilësor për arsimin e lartë deri në vitin 2025”, – tha kryeministri Kovaçevski.
Ndërkohë ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, në një ceremoni solemne në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, duke ju uruar suksese të gjithë studentëve, si dhe punë të suksesshme profesorëve dhe gjithë kuadrit që do të angazhohet në nxjerrjen e gjeneratave të reja të qytetarëve të arsimuar theksoi se kuadri pedagogjik, jo vetëm në Universitetin “Nënë Tereza”, por edhe në të gjitha universitetet e vendit, do të jetë në lartësinë e detyrës, duke ndarë njohuritë që zotërojnë me studentët dhe prej tyre të nxjerrim gjeneratë me të cilin të gjithë do të jemi krenarë dhe që do të jetë në gjendje të përballojnë sfidat e së ardhmes, duke marrë dalëngadalë rolet e të rriturve në shoqëri.
Ai theksoi se sistemi kombëtar i arsimit të lartë nuk është i përsosur, dhe se i tillë nuk ekziston askund, por nënvizoi se “këta të rinj i kanë të gjitha kushtet e nevojshme për të mësuar pa pengesa, qetë dhe të fokusohen drejtë thelbit të të mësuari, dhe se mundohemi t’ju mbështesim me kategori të shumta të bursave, shumat e të cilave së fundmi i kemi rritur ndjeshëm, ndërsa konkursi për këtë vit akademik së shpejti do të publikohet”.
Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Agim Nuhiu, tha se “do të vazhdojmë të jemi bashkë në hapërimet tona për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, për ndërkombëtarizimin në shkallë më të madhe të universiteteve dhe pajisjen e studentëve tanë me aftësi konkurruese në tregun e Bashkimit Evropian dhe më gjerë!”.
Kujtojmë se Ministria e Arsimit ditë më parë njoftoi se studentët që kanë plotësuar kushtet e thirrjes publike për vitin akademik 2023/2024, nisin me shfrytëzimin e të drejtës për racion të subvencionuar studentor.
Siç njoftohet me shumën e rritur prej 140 denarë, që paguhet në bazë ditore, studentët do të mund të blejnë nëpër markete, restorane dhe subjekte tjera juridike që prodhojnë ushqime.