Presidenti rus, Vladimir Putin e ka ngarkuar një ish-ndihmës të shefit të ndjerë të Wagnerit Yevgeny Prigozhin, që t’i mbikëqyrë njësitet vullnetare për të luftuar në Ukrainë, – ka bërë të ditur Kremlini këtë të premte.
“Në takimin e fundit kemi biseduar që ju ta mbikëqyrni formimin e njësiteve vullnetare që mund të kryejnë detyra të ndryshme në zonën ku po zhvillohet operacioni special ushtarak”, është cituar t’i ketë thënë Putini, Andrei Troshevit, duke iu referuar luftës në Ukrainë. Mercenari Troshev, përcjell kdp.mk njoftimin e Radios Evropa e Lirë, sipas kumtesës zyrtare ruse, tani punon për Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë.
Në këtë takim, në të cilin ka marrë pjesë zëvendësministri rus i Mbrojtjes Yunus-Bek Yevkurov, është theksuar nevoja për integrim të luftëtarëve të grupit Wagnerit në ushtrinë e rregullt ruse, pas rebelimit të shkurtër të këtij grupi në Rusi, në muajin qershor.
Prigozhin, udhëheqës i grupit mercenar rus, bashkë me nëntë persona tjerë humbi jetën si pasojë e rrëzimit të një aeroplani që ishte nisur nga Moska për në Shën Petersburg, më 23 gusht.
Prigozhin e kishte nisur një rebelim të shkurtër më 24 qershor kundër udhëheqësisë ushtarake të Rusisë.
Prigozhin e ka pati ndalur rebelimin pas arritjes së një marrëveshjeje me Kremlinin, që parashihte largimin e Prigozhinit në Bjellorusi dhe pezullimin e ndjekjes penale.
Vëzhguesit e kanë konsideruar këtë veprim si sfidën më të madhe për udhëheqësinë e Putinit.
Troshev, kolonel i pensionuar, i njohur me nofkën “Sedoi” është prej vendlindjes së Putinit, Shën Petersburgut, dhe është veteran i dekoruar për fushatat e Kremlinit në Afganistan, Çeçeni dhe Siri.
Ai ka qenë një prej liderëve të grupit Wagner në Siri, për çka është futur në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian, më 2021.