Policia e Kosovës ka kryer të premten kontrolle në pesë lokacione në tri komuna në veri të Kosovës, – Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok – lidhur me sulmet ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit, përcjell KDP, njoftimin e REL.
Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) se kontrollet në këto lokacione kanë nisur pas orës 06:00 dhe lidhen me zhvillimet në Banjskë.
Elshani ka thënë se nuk ka persona të arrestuar, por që kontrollet janë kryer në disa vende specifike.
Prokurori special i angazhuar në këtë rast, Naim Abazi, ka thënë për mediumin Betimi për Drejtësi se aksioni policor i së premtes është zhvilluar kryesisht në pronat që janë evidentuar si prona të të dyshuarit Millan Radoiçiq.
Sipas informacioneve të REL-it në teren, pjesëtarët policorë në Mitrovicë të Veriut kanë qenë te spitali i qytetit.
Aty, hetuesit kanë kërkuar që të kontrollohet një aneks ku gjendet ngrohtorja.
Drejtori i spitalit, Zllatan Ellek ka konfirmuar për mediat se policia i ka konfiskuar incizimet monitoruese dhe nuk ka gjetur asgjë tjetër të dyshimtë.
Zyrtarët policorë kanë qenë edhe te restoranti Gray në Mitrovicën e Veriut, i cili besohet se është në pronësi të Ema Radoiçiqit, bashkëshortes së nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Policia ka thënë se kontrollet i ka kryer në koordinim me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Reagimet e Listës Serbe dhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – ka thënë se njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë hyrë brutalisht në spitalin në Mitrovicë të Veriut dhe i ka akuzuar zyrtarët policorë për “brutalitet të tepruar”.
Në një komunikatë për media, kjo parti, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është duke i shfrytëzuar zhvillimet në Banjskë “për t’i justifikuar të gjitha aktivitetet antiserbe në Kosovë dhe Metohi, si dhe për të vazhduar keqtrajtimin e mëtejshëm të qytetarëve tanë”.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se policia e ka dëmtuar derën hyrëse të spitalit dhe ka pretenduar se nga aksioni policor janë shqetësuar banorët e zonës.
Si, Lista Serbe, ashtu edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e kanë kritikuar, siç kanë thënë ata, mosreagimin e EULEX-it në aksionin policor.
Lidhjet e Radoiçiqit me zhvillimet në Banjskë
Millan Radoiçiq është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla e ka publikuar një pamje me dron, duke thënë se njëri prej burrave – që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë – ka qenë vetë Radoiçiq.
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten një rezolutë, e cila e dënon sulmin ndaj në Banjskë dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë dhe rolin e saj në këtë sulm.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit, dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në këtë sulm.