Edhe pa përgjigje për shumë pyetje dhe heshtjes absolute të institucioneve në Serbi, është e qartë se në veri të Kosovës po ndodh diçka e madhe. Nëse urgjentisht nuk marrim përgjigjepër të gjitha këto dhe shumë pyetje të tjera, do të jetë e qartë se Vuçiqi e ka humbur kontrollin mbi serbët në Kosovë.
Shkruan: Nenad Kulaçin*
Për herë të parë që nga konfliktet dhe zënkat në Kosovë, pushteti në Serbi hesht, me përjashtim të fjalimit dyzet minutësh të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që gjithësesi ishte skandaloz. Pikërisht kjo e dhënë, si dhe fakti që nëpër televizione nuk kishte programe speciale me veteranët e Vuçiqit për situata të tilla, tregon se presidenti i Serbisë nuk e kontrollon situatën në terren.
Vuçiqi nuk iu dha përgjigje shumë pyetjeve. Deri të dielën në orën 20, asnjë zyrtari të Serbisë nuk iu dëgjua zëri. Paradoksi më i madh është se qytetarët e Serbisë kanë marrë informacione për konfliktin e armatosur nga mediat nga Kosova dhe nga kryeministri kosovar Albin Kurti. Serbia heshtte dhe nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhte në Kosovë. Madje as informacioni se është vrarë një polic kosovar, e më vonë edhe disa serbë, nuk mjaftuan që dikush t’u drejtohej qytetarëve.
Heshtjet e Vuçiqit
Sesa konfuze ishte e gjithë situata për mungesë informacionesh, flet edhe fakti se në rrjetet sociale u publikuan lajme të llojllojshme, madje se mes serbëve të vrarë është edhe gazetari i dikurshëm i Pinkut, si dhe prijësi i Leviatanëve. Vuçiq, në fakt, kërkoi falje për paraqitjen e vonuar, sepse duhej mbledhur të gjitha informacionet, ndërsa na informoi edhe se përkthyesi nga gjuha shqipe kishte rënë pa ndjenja në Kurshumli, kështu që nuk kishin arritur t’i përkthenin bisedat që kishin përgjuar.
Pse u hesht, ndërsa përgatitej për luftë, për shembull, për shkak të targave? Shumëçka nga kjo është e mundur. Ajo që mbase është më e mundshme, është njëherësh edhe më dështuese për Vuçiqin. Përshtypja është se kjo është hera e parë që ndodh një konflikt pa dijeninë, përkatësisht pa aminin e Vuçiqit. Serbët nga Kosova kishin shumë besim te Vuçiqi dhe e dëgjonin rregullisht për çdo gjë. Këtë herë sikur kjo nuk ndodhi dhe gjithçka ndodhi kundër vullnetit të tij. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Vuçiqi është në probleme të mëdha, sepse nuk e ka më kontrollin mbi serbët e Kosovës. Presidentit të Serbisë diçka e këtillë i konvenon më së paku pas negociatave të paradokohshme të pasuksesshme në Bruksel. Mikpritësit evropianë të takimit Vuçiq-Kurti e bënë të qartë se presidenti i Serbisë ishte i gatshëm të pranonte zgjidhjen kompromise evropiane, kurse kryeministri i Kosovës ishte ai që e refuzoi. Pse Vuçiq do të shkaktonte probleme të reja në Kosovë dhe të rrezikonte për një nuancë pozicionin më të mirë në raport me Kurtin, është kjo pyetja që prej dy ditësh rri pezull në ajër. Se e gjithë kjo është aq konfuze, flet edhe e dhëna se
vetë Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës dhe shprehu ngushëllime.
Ndoshta pyetja kryesore është pse serbët i ngritën fare barrikadat në terrin e
natës. Sikur ta dinim këtë, do të ishte më e lehtë të kuptonim se çfarë ndodhi. Kjo
lë në lojë spekulime të ndryshme, ndërsa veprimtaritë kriminale sigurisht se janë
një prej tyre. Sidomos nëse dalin të vërteta informacionet se në gjithë këtë histori
është përfshirë edhe kontroversi Milan Radojiçiq, lideri joformal i serbëve nga veriu i Kosovës dhe zyrtarisht nënkryetar i Listës Serbe. Edhe kjo listë, kjo organizatë që është abonuar për t’u përkujdesur për popullin serb në Kosovë, heshti dhe nuk iu dëgjua zëri asnjërit zyrtar të saj. Pas 36 orësh nga konflikti, ata kanë lëshuar një komunikatë. Pa përgjigje mbeti, po ashtu edhe një pyetje jashtëzakonisht e rëndësishme, nga erdhën kaq shumë njerëz nën armë dhe uniforma. Vuçiq ka reaguar me zemërim ndaj kësaj pyetjeje, sepse në të pa insinuatën se Beogradi qëndron pas gjithçkaje. Ai përjashtoi mundësinë që Serbia t’i ketë armatosur këta njerëz, ndërsa uniformat që ata mbanin nuk ishin as ushtarake dhe as policore. Sipas fjalëve të presidentit të Serbisë, armë dhe uniforma të tilla mund të blihen kudo. Megjithatë, ai theksoi se të gjithë këta janë njerëz nga Kosova dhe se në mesin e tyre nuk ka serbë nga Serbia qendrore, duke ua mveshur kështu përgjegjësinë
serbëve të Kosovës.
Dhe kjo flet mjaft se ka probleme të mëdha në relacionin Vuçiq – Veri i Kosovës. Thjesht, është e pamundur që Vuçiq të mos kishte informacione se në veri të Kosovës ekziston një grup njerëzish ashiqare të organizuar me armë të gatshëm për konflikt. Kjo është absurde, sidomos nëse kemi parasysh se Vuçiq mburrej me punën e inteligjencës dhe se si kishin përgjuar bisedat e policëve të Kosovës gjatë aksionit.
Shumë pyetje pa përgjigje
Hyrja e serbëve të armatosur në manastirin e Banjskës, po ashtu, mbetet mister. Kumtesa e Dioqezës së Rashkë-Prizrenit është tejet interesante. Në të dënohet qartë sulmi ndaj policisë së Kosovës dhe i shprehen ngushëllime familjes së policit që humbi jetën. Kur është fjala për paraqitjen e njerëzve të paidentifikuar në manastir, kjo Dioqezë shprehu shqetësimin sepse “grupi i njerëzve të armatosur dhe të maskuar, me një autoblindë ka hyrë në vetë manastirin, me ç’rast thyen portën e mbyllur të manastirit”. Mister edhe më i madh është se si ai grup prej 30 njerëzve të armatosur dhe të maskuar u tërhoq nga oborri i manastirit dhe iku në Serbi. Policia e Kosovës thotë – në këmbë.
Në kohën kur po shkruhet ky tekst, në Serbi ende nuk janë publikuar zyrtarisht identitetet e serbëve të vrarë, të plagosur dhe të arrestuar. Edhe një pse – e madhe. Emrat, megjithatë po publikohen nëpër rrjetet sociale, ku është e pranishme një pakënaqësi e madhe me sjelljen e Vuçiqit në këtë situatë krize. Shumëkush citon dhe tallet me fjalët e tij të përsëritura në disa raste e që kanë të bëjnë me mbrojtjen e serbëve nga Kosova.
“Nëse sulmojnë popullin tonë, nuk do të ketë ‘nisu, ndal, hiqu, tërhiqu’, unë nuk jam as Millosheviqi, as Koshtunica, as Tadiqi. Ne do të luftojmë për paqen, do ta ruaj çdo sekondë të paqes, por pas minutës së parë të sulmit ndaj serbëve në Kosovë… Serbia nuk do të rrijë duarkryq. Doni t'i dëboni serbët, nuk do t’i dëboni,” – fliste Vuçiq, jo shumë moti.
Edhe pa përgjigje për shumë pyetje dhe heshtjes absolute të institucioneve në Serbi, është e qartë se në veri të Kosovës po ndodh diçka e madhe. Nëse urgjentisht nuk marrim përgjigje për të gjitha këto dhe shumë pyetje të tjera, do të jetë e qartë se Vuçiqi e ka humbur kontrollin mbi serbët në Kosovë. Vuçiq për ditët në vijim ka paralajmëruar disa vendime që do t’ia kumtojë popullit. Duke e ditur mënyrën e tij të komunikimit, është e qartë se shumë gjëra do të mbeten edhe më tej të paqarta, se fajtori kryesor për gjithçka është Kurti, ndërsa ai nuk ka fjetur netë të tëra, sepse është përkujdesur për popullin e rrezikuar serb në Kosovë.
*Shkrimi është marrë nga: balkans.aljazeera.net/ Përktheu: kdp.mk