E shtunë, 22 Mars, 2025

RAMA: ZIJA E SHPALLUR NË BEOGRAD SINJALI MË I KEQ PËR RAJONIN

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka kritikuar Beogradin zyrtar që ka shpallur ditë zie për vrasjen e sulmuesve të Policisë së Kosovës. Ai ka shkruar në Twitter të martën se me këtë shpallje të zisë, Serbia s’ka lidhje me shekullin XXI dhe se po “i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur”.

Sipas Ramës, ky veprim i Serbisë, është sinjali më i keq që mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik.

Zija e shpallur zyrtarisht në Beograd për pjesëtarët e grupit të armatosur që u asgjësuan nga forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, pasi nga ai grup iu mor jeta një efektivi të policisë është sinjali më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik! Në ndërkohën që duhet të kishte hapur një hetim serioz për anëtarët e atij grupi kriminal, lidhjet e tyre me trafikantët e armëve dhe me të tjerë individë apo entitete, në Serbi apo gjetkë, potencialisht të angazhuara në krijimin e një lëvizjeje të armatosur në Veriun e Kosovës, Beogradi me këtë shpallje zije që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur”, ka thënë ai.

Kryeministri i Shqipërisë ka shtuar se Serbia duhet të vendosë nëse do të jetë me Evropën dhe botën demokratike apo “me të djeshmen e fajshme të nacionalizmit vrasës e vetëvrasës”.

Rama i ka bërë thirrje edhe Kosovës të reflektojë shumë seriozisht nëse do të vazhdojë në kursin e veprimit “të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm”. Sipas Ramës, çdo rrugë tjetër për Kosovën është iluzionesh dhe me përfundime të dhimbshme.

Ky është momenti kur edhe Kosova duhet të reflektojë shumë seriozisht dhe të ndajë mendjen qartë e prerë, nëse do të vazhdojë në kursin e veprimit të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm dhe aleatët e saj të padiskutueshëm apo do të veprojë në harmoni e mirëkuptim me komunitetin euro-atlantik, për të arritur qëllimin më madhor në histori pas fitores së luftës e shpalljes së pavarësisë, njohjen përfundimtare si shtet anëtar i këtij komuniteti! Të gjitha rrugët e tjera përveç kësaj të dytës janë rrugë iluzionesh me përfundime të dhimbshme, të cilat e largojnë Kosovën nga qëllimi madhor, e zbrazin atë nga shpirti i ardhmërisë dhe e kthejnë në mënyrën më absurde peng të paqes në mes të Europës, pasi ka dalë fitimtare nga lufta për t’u bërë një vend i lirë europian”, ka shtuar Rama.

Ai poashtu ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të se “duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999”.

Ky është momenti kur Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë Dialogun për Normalizim dhe angazhimin e KFOR-it në të njëjtin nivel krejt të pamjaftueshëm tanimë! Kjo e dyta sot është krejt e pakëshillueshme, por nesër mund të bëhet krejt e pajustifikueshme, sepse nesër mund të jetë vonë edhe për të parën! Prandaj apeli i Shqipërisë për miqtë e mëdhenj e aleatët strategjikë të Ballkanit Perëndimor është: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër!”, ka shtuar tutje ai.

Kujtojmë se një grup i armatosur, që sipas autoriteteve kosovare përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Sipas tyre, sulmuesit e armatosur, ishin vendosur në manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel. Prokuroria e Kosovës kanë thënë se tre sulmues të dyshuar janë vrarë. Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

 

Të fundit