E diel, 16 Mars, 2025

FINALE APO FAZË E RE E KONFLIKTIT PRISHTINË-BEOGRAD?

Shkruan: Xhelal Neziri

Një ditë pas përplasjes së forcave të sigurisë së Kosovës me grupet e armatosura të serbëve etnik, ende mbeten pa përgjigje shumë pyetje: kush dhe pse i solli, cili është qëllimi i tyre, pse u strehuan në manastirin e Banjskës, pse vetëm një pjesë e tyre u kapën apo eliminuan, ku janë të tjerët, kush i organizoi, kush i komandon…

E vetmja gjë që tash për tash dihet është se katër të vrarët, pjesëtarë të grupit të armatosur, janë serbë etnik të Kosovës.

Dita e djeshme shënoi ripërtëritjen e konfliktit të armatosur në rajon, i cili mund të varrosë të gjitha përpjekjet diplomatike të bashkësisë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Prishtinës. Zbatimi jo i plotë i rreth 40 marrëveshjeve, të arritura që nga viti 2011 kur filloi dialogu Beograd-Prishtinë, krijon zhgënjime që mund të shndërrohen në një konflikt serioz në Ballkan. Aq më tepër nëse merret parasysh ndikimi i madh rus në Serbi, e sidomos në strukturat politike në veriun e Kosovës.

Në Kosovë dje pati përpjekje për nxitur një kryengritje të armatosur të shumicës së serbëve etnikë për t’u shkëputur nga vendi më i ri në Evropë, por ende i panjohur nga Serbia, si dhe nga Rusia dhe Kina. Për shkak të vështirësive në krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, e cila është shtyllë e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, strukturat paralele të armatosura të serbëve etnikë u përpoqën t’i arrijnë qëllimet e tyre me mjete ushtarake. Me sa duket, plani i tyre për të nxitur një luftë më të madhe nuk u realizua, të paktën tani për tani, sepse nuk kishin mbështetje as nga priftërinjtë e manastirit ku u strehuan, as nga popullsia vendase serbe.

Situata ka tendencë të përkeqësimit, veçanërisht nëse nuk ka një aktivitet më të theksuar diplomatik për rivendosjen e dialogut dhe zbatimin e shpejtë të asaj që është rënë dakord. I gjithë komuniteti transatlantik ka dënuar ashpër sulmin e kryer ndaj institucioneve të Kosovës. Diplomatë të lartë të Uashingtonit dhe Brukselit do të kenë sot mbledhje koordinuese për të rivënë procesin në binarët e duhur.

Shqetësimi i Perëndimit bëhet edhe më i madh shkaku se grupet e armatosura në veri të Kosovës, të cilat Prishtina i ka shpallur si grupe terroriste, konsiderohen të afërta me Rusinë dhe të dirigjuara nga strukturat shtetërore serbe. Kjo e bën situatën edhe më të komplikuar duke pasur parasysh interesin e Rusisë për një vatër të re luftarake që do të largonte vëmendjen e Perëndimit nga Ukraina. Konflikti i djeshëm mund të jetë një përgjigje e rrymës pro-ruse në politikën serbe ndaj përpjekjeve të Vuçiqit për ta larguar Serbinë nga orbita e Rusisë dhe për ta pozicionuar atë në anën e Perëndimit.

 

Të fundit