E diel, 16 Mars, 2025

MEHMETI: PËRPLASJA MICKOSKI-GRUEVSKI FINALJA E KONFLIKTIT MIDIS DY RRYMAVE NË VMRO-DPMNE

Analisti politik, Ibrahim Mehmeti, vlerëson se përplasjet brenda subjektit më të madh opozitar, VMRO-DPMNE, mund të kenë efekte serioze mbi rrjedhën e ngjarjeve që do të vijojnë deri në nëntor, kur pritet të vendoset edhe fati i ndryshimeve kushtetuese.

Në një deklaratë për KDP, Mehmeti shprehet i rezervuar për akuzat e Mickoskit për komunikim të fshehtë ndërmjet Gruevskit dhe pushtetit aktual. Ai thotë se këto akuza duhet të mbështeten me dëshmi konkrete. Por, shton se kjo përplasje në VMRO mund të ketë efekt serioz mbi rrjedhën e ngjarjeve që do të vijojnë deri në nëntor.

Nëntori është afati i fundit kur vendi duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese në përputhje me Propozimin Francez, që janë parakusht për fillimin e negociatave për anëtarësim ne BE. Ky dokument, i miratuar nga parlamentet në Shkup dhe Sofje vitin e kaluar, mënjanoi veton bullgare për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

“Përplasja e liderit aktual të VMRO-së, Hristijan Mickoski me ish liderin e kësaj partie, Nikolla Gruevski është ndoshta finalja e konfliktit ndërmjet dy rrymave në këtë parti që ka filluar kohë më parë, edhe pse deri më tani kjo mbahej nën kontrollë”, nënvizon Mehmeti.

Sipas tij, dallimet ndërmjet tyre do të mbeteshin “nën tavolinë” po të mos kishte ardhur deri te kriza rreth ndryshimeve kushtetuese, ku roli i VMRO-së është vendimtar.

“I frikësuar se pushteti aktual mund ta “keqpërdorë” Gruevskin dhe deputetët që janë nën ndikimin e tij, Mickoski i hapi “letrat” i vetëdijshëm se synimi i tij për t’i mbajtur nën kontroll të gjithë deputetët e kësaj partie që të mos votojnë në favor të kyçjes së bullgarëve në Kushtetutë, mund seriozisht të rrezikohet nga ish shefi i tij partiak”, thekson Mehmeti.

Ditë më parë, me titull “Vazhdimisht kërkesa të reja për Maqedoninë e Veriut” gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Cajtung”, publikoi një kronikë të gjatë të njohësit të mirë të rajonit, gazetarit Mihael Martens, i cili ka pasur një bisedë me kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në lidhje me anëtarësimin e vendit drejt BE-së.

“Për t`i realizuar ndryshimet kushtetuese, Qeveria po përgatit marrëveshje të ndyra”, ka theksuar Mickoski.

“Qeveria planifikon t’i premtojë pa-ndëshkueshmëri penale ish-kryeministrit të arratisur në Hungari, Nikolla Gruevskit, që ai të kthehet, dhe së bashku me ndihmën e mbështetësve të tij të ndihmojë, që ndryshimet kushtetuese të kalojnë në Kuvend, dhe të njëjtat të miratohen”, ka theksuar ai.

Megjithatë, ai ka shtuar se planet e qeverisë për përçarjen e partisë nuk do të realizohen, dhe se ndryshimet kushtetuese nuk do të kalojnë.

”Qeveria beson se mund të përçajë partinë tonë, por kjo nuk do të funksionojë”, ka theksuar Mickoski.

Këto deklarata vijnë në kohën kur Parlamenti bëri disa ndryshime në Kodin Penal, të cilat parashikojnë uljen e dënimit për funksionarët shtetërorë. Në bazë të këtyre ndryshimeve, të cilat u miratuan nga Parlamenti, dy javë më parë, (6 shtator – 2023), personat që abuzojnë me pozitën dhe autoritetin zyrtar në prokurimin publik, ose shkaktojnë dëme në fondet buxhetore do të dënohen me pesë vite burg. Në krahasim me ligjin paraprak dënimet për vepra të tilla penale fillonin nga pesë e mund të shkonin deri në më shumë se 10 vjet burgim.

Pas këtyre ndryshimeve në Kodin Penal, janë ngritur edhe dyshime se ekziston një mundësi koordinimi mes aktorëve politik që pas këtyre ndryshimeve në Kodin Penal të bëhen edhe ndryshimet kushtetuese.

Të fundit