Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara presin, si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, që t’i zbatojnë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e ndërmarra me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas tij, Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe “ky duhet të jetë ndër hapat e parë”.
“Ne besojmë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Ne besojmë se duhet të jetë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk besojmë se duhet të ketë autoritete apo kompetenca ekzekutive”, thotë Hovenier.
Ambasadori amerikan shton se Serbia duket se ka vizion tjetër, por kjo, sipas tij, “nuk do të thotë se Kosova nuk mund ta çojë përpara një asociacion që i adreson shqetësimet e komunitetit serb në Kosovë”.
“Serbia mund të kërkojë më shumë, por, në fund të fundit, kjo është ajo që Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare janë të përgatitura ta shohin si të pranueshme”, thotë Hovenier.
Ai shfaq shpresën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të punojë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian drejt këtij “qëllimi strategjik”.
Nëse nuk e bën këtë, thotë Hovenier, do të ketë pasoja.
“Ne jemi shumë të përkushtuar që ta shohim përparimin e Kosovës, por nuk mund të na interesojë më shumë sesa Qeverisë së Kosovës”, thotë Hovenier.
Ambasadori amerikan thekson, po ashtu, se ndërmjetësuesit evropianë të dialogut Kosovë-Serbi gëzojnë “besim të fuqishëm” nga SHBA-ja.
“Presim që të dyja palët t’i zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet”
Radio Evropa e Lirë: Javën e kaluar, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar bisedime në Bruksel, por nuk kanë bërë ndonjë përparim. Nga këndvështrimi i SHBA-së, a është ndonjëra palë që ka faj më të madh për këtë?
Jeffrey Hovenier: Me siguri e keni parë deklaratën tonë publike pas takimit të dy udhëheqësve – me lehtësimin e Bashkimit Evropian – më 14 shtator. Dhe, nga Departamenti i Shtetit kemi shprehur zhgënjimin tonë që nuk ka pasur përparim.
E dini, ne, në një masë të madhe, e mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështesim konkluzionet e lehtësuesve – në këtë rast, të përfaqësuesit të lartë [të BE-së, Josep] Borrell dhe të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së [Mirosllav] Lajçak.
Këtu ka një sërë faktesh. Fakt është se është mbajtur një takim, janë zhvilluar diskutime të vështira, është punuar në përpjekje për të arritur një marrëveshje për një plan të sekuencuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Dua të jem i qartë se – nga këndvështrimi i SHBA-së – ne presim që të dyja palët t’i zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet dhe angazhimet e tyre, të ndërmarra në Ohër, dhe me Aneksin e zbatimit [të marrëveshjes].
Siç e ka thënë edhe përfaqësuesi i lartë, Borrell, në deklaratën për media në fund të ditës, ai ka nxjerrë një kompromis, që Serbia në fund e ka pranuar dhe Kosova jo. Kjo është për të ardhur keq. Shpresa jonë është që edhe Qeveria e Kosovës do të gjejë, gjithashtu, një mënyrë për të punuar me lehtësuesit e BE-së [të dialogut], për të gjetur një rrugë të përbashkët përpara.
Radio Evropa e Lirë: Por, çfarë ka ndodhur të enjten? Pse Qeveria [e Kosovës] nuk ka mundur ta gjejë atë rrugë të përbashkët?
Jeffrey Hovenier: Është e vështirë të përgjigjem, nuk kam qenë atje dhe nuk ka pasur zyrtarë amerikanë, të pranishëm në atë rund [bisedimesh]. Nganjëherë, e kemi një pasqyrë më të mirë. Andaj, nuk mund t’i përgjigjem pyetjes.
Me sa kam kuptuar, Qeveria e Kosovës i ka pasur disa shqetësime specifike për kohën e nisjes së një procesi të besueshëm për negocimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dhe, ka qenë kërkesë e SHBA-së dhe pritje e SHBA-së nga Qeveria e Kosovës që ajo punë të fillojë dhe të fillojë shumë shpejt. Është një element urgjent i zbatimit të [Marrëveshjes] së Ohrit.
Tani sërish, dua të jem i qartë, ne presim që të dyja palët t’i zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet dhe angazhimet e tyre me Marrëveshjen e Ohrit dhe Aneksin e zbatimit. Por, nuk është sekret që kemi kohë që e themi se një nga këto angazhime është çuarja përpara e Asociacionit. Kjo, sidomos, duhet të ecë përpara me njëfarë urgjence të vërtetë. Kjo është shpresa jonë.
“Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin”
Radio Evropa e Lirë: Cili është mendimi i SHBA-së për radhitjen e hapave të zbatimit të planit? A po i kërkohet Kosovës tani ta themelojë Asociacionin fillimisht dhe pastaj ta sigurojë njohjen de facto nga Serbia, apo këto të dyja duhet të bëhen në të njëjtën kohë? Kjo ishte pjesë e planit që, në fakt, kryeministri [i Kosovës] e prezantoi të enjten – që fillimisht të ketë njohje de facto dhe pastaj Asociacioni…
Jeffrey Hovenier: Nëse dëgjoni me vëmendje atë që ka thënë përfaqësuesi i lartë, Borrell, pas takimit… Ai ka thënë se, si rrugë përpara, ka sugjeruar dy pista paralele. Nevoja për të ecur urgjentisht përpara me një proces të besueshëm për hartimin e statutit të Asociacionit, është një pjesë e kësaj. Dhe, kjo është gjëja kryesore që ne ia kemi kërkuar Kosovës, gjëja më e vështirë por gjëja kryesore që ia kemi kërkuar Kosovës në lidhje me zbatimin e [Marrëveshjes] së Ohrit. Por, në të njëjtën kohë, paralelisht, do të punohej në këto gjërat politike, në zbatimin e angazhimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
Për një vëzhgues të jashtëm, kjo duket si një gjë e arsyeshme, procese paralele, pista paralele. Duhet të jepni pak dhe të merrni pak. Dhe, ne do të mund të shpenzonim shumë kohë në atë se kush bën çfarë, kur saktësisht dhe me çfarë rendi… Por, le të jemi të sinqertë, në fund të fundit, të dyja gjërat duhet të ndodhin. Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin.
Radio Evropa e Lirë: Pra, kjo duhet të jetë gjëja e parë?
Jeffrey Hovenier: Kjo duhet të jetë ndër hapat e parë. Kjo është ajo që ne e kemi thënë për një kohë të gjatë. Ka një urgjencë për këtë. Ne, gjithashtu, kërkojmë që Serbia t’i përmbushë angazhimet e saj, sipas Marrëveshjes së Ohrit.
Radio Evropa e Lirë: Por, [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti nuk pajtohet me këtë…
Jeffrey Hovenier: E di që kryeministri Kurti, natyrisht, nuk e ka pranuar propozimin që ka nxjerrë në tryezë përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell]. Nga këndvështrimi ynë, kjo është për të ardhur keq.
Është edhe një mundësi për mua të them diçka, sepse kam parë shumë shqetësime dhe kritika për lehtësuesit e Bashkimit Evropian. Duhet të them se, nga këndvështrimi i SHBA-së, nuk pajtohemi me këto kritika. Ky nuk është vlerësimi ynë i rrethanave.
Mirosllav Lajçak gëzon besim të fuqishëm nga Bashkimi Evropian. Ai e ka dhënë një deklaratë për këtë, dy ditë më parë, si dhe për përfaqësuesin e lartë. Ai gëzon besim të fuqishëm edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne kemi punuar me të në kontekste të tjera, kemi punuar me të këtu. Më duhet të them se ne nuk vlerësojmë se ai çon përpara kërkesat e Serbisë, ose është duke u komprometuar në njëfarë mënyre.
Ne e shohim si një diplomat shumë të aftë, kompetent, që bën përpjekje për të gjetur një rrugë përpara, që është në gjendje të arrijë marrëveshje nga dy palë shumë, shumë të kundërta, për një sërë çështjesh të ndjeshme. Dhe, ne e përgëzojmë për punën e tij./REL