Një ekip i shërbyesve publik të Ukrainës kanë qëndruar të martën në Universitetin e Tetovës (UT) për të rrëfyer tmerret e luftës së shkaktuar nga agresioni rus, i nisur më 27 shkurt të vitit të kaluar, raporton KDP.MK.
Shkruan: Enis Shaqiri
Storjet e tyre mbi tmerrin e luftës në Ukrainë, u treguan në kuadër të tribunës së titulluar “Rrëfime nga Ukraina”, e organizuar nga Instituti për Bashkëpunim Rajonal (BIRC), dhe Universiteti i Tetovës (UT).
Politologu nga Ukraina, dhe autori i librit “Si funksionon propaganda e Putinit”, Mikola Davidyuk, tha se që nga viti 2016, kur është botuar ky libër, në mënyrë shumë agresive është rritur propaganda ruse. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe, shumë politikan dhe gazetarë, kanë qenë vegla të cilët kanë tentuar të vjedhin dhe të shkatërrojnë gjithçka që Ukraina ka ndërtuar, që nga pavarësia e saj. Davidyuk shtoi se sot, Ukraina, në mënyrë të dëshpëruar tenton të krijojë bashkimin e botës demokratike, kundër agresionit Rus, pasi siç tha, çdo cep i territorit të Ukrainës është kusht për sigurinë e Evropës. Davidyuk gjatë kësaj tribune, gjithashtu shfaqi edhe disa video-inçizime të shkatërrimeve që ka lënë pas vete ushtria ruse, përfshirë banesa, shtëpi, shkolla, institucione, objekte afariste dhe infrastrukturë.
Kurse Tetjana Sçerbak, zëvendës guvernatore e Rajonit të Kievit, tha se Ukraina është e vendosur të luftojë deri në çlirimin e centimetrit të fundit të territorit të saj, pa marrë parasysh çmimin që do ta paguaj. Ajo e falënderoi audiencën e përbërë nga studentë dhe pedagogë të UT-së, si dhe nga aktivistë e gazetarë, për përkrahjen që i jep bota demokratike luftës në Ukrainë.
Ndërsa Nenad Çanak, politikan dhe aktivist për paqe dhe demokraci, tha se një ideologji totalitare dhe perandorake e gjakut, siç është Rusia, sulmoi një vend që po përpiqet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s. Ai gjithashtu shtoi se në Serbi ekzistojnë dy lloje të politikanëve, të cilët siç tha, disa punojnë për Rusinë, ndërsa të tjerët që i frikësohen Rusisë. Ndërsa grupi i tretë, shtoi Çanak, janë ata që mendojnë ndryshe dhe janë pakicë.
Në cilësi të nikoqirit, Rektori i UT-së, Jusuf Zejneli, në emër të studentëve dhe profesorëve të UT-së, falënderoi delegacionin nga Ukraina për vizitën, të cilën e vlerësoi si mjaft të rëndësishme, pasi siç tha se institucionet kredibile, siç është edhe Universiteti i Tetovës, e kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe u janë bashkuar thirrjeve kundër luftës ku edhe kanë apeluar për rivendosjen e paqes në këtë shtet të Evropës.
“Sulmi i Federatës Ruse ndaj Ukrainës është kërcënim për sigurinë e popullit të saj, por dhe kërcënim ndaj vlerave demokratike, sigurisë në Evropë dhe paqes kudo në botë. Populli shqiptar ende i ka të freskëta vuajtjet e sakrificat e luftës, ndaj i japim mbështetje të plotë popullit të Ukrainës, institucioneve demokratike, të cilët po mbrojnë atdheun, paqen dhe lirinë si vlera universale. Duke i njohur zhvillimet në rajonin tonë dhe duke i përcjellë me vëmendje ngjarjet në Ballkanin Perëndimor, tashmë jemi dëshmitarë të rritjes së ndikimit dhe ndërhyrjes së Federatës Ruse në vendet e Ballkanit përmes Serbisë, Republikës separatiste Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe manifestimet e saj obstruksioniste si përpjekja e dështuar për grushtin e shtetit në Mal të Zi, dhe përpjekjet e ngjashme në Maqedoninë e Veriut”, tha Zejneli.
Ai gjithashtu tha se është për tu përshëndetur edhe qëndrimi i qeverive dhe autoriteteve shtetërore të rajonit që u rreshtuan përkrah aleatëve perëndimorë në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj.
“Pjesa dërmuese e shteteve të këtij gadishulli, e kanë mbështetur vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe politike kundër Rusisë, sanksione këto të vendosura nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet demokratike. Nga invadimi i Rusisë në Ukrainë, konstatohet se Ushtria e Ukrainës rezultoi e përgatitur për luftë dhe për t’i bërë ballë një fuqie të madhe. Populli ukrainas rezultoi si popull atdhetar, patriotik, i gatshëm për të mbrojtur pavarësinë e vendit, dinjitetin dhe identitetin kombëtar”, tha Zejneli, duke shtuar se lufta çlirimtare e Ukrainës kundër agresionit rus gjithsesi duhet të mbështetet, por duhet të kërkohen rrugët që kjo luftë të ndalet sa më parë.