E shtunë, 23 Shtator, 2023

“BETEJA” PËR PARANDALIMIN E NDIKIMEVE MALINJE ANTI-EUROPË

Përveç dëbimit të tre diplomatëve rusë nga Maqedonia e Veriut, hyrja në vend i është ndaluar edhe priftit ortodoks rus, Vasian Zmeev-it. Sipas informacioneve, Zmeev, kishte rolin e koordinatorit të politikave kishtare ruse në Ballkan, me ndikim të veçantë në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut. Zyrtarë të lartë shtetërorë më herët kishin paralajmëruar për  keqpërdorimin e “diplomacisë kishtare” nga ana e presidentit Putin dhe për ndikime malinje në Maqedoninë e Veriut. Analistët politikë gjithashtu kishin paralajmëruar se intensiteti i ndikimit dhe propagandës ruse pritet të rritet edhe më shumë në Maqedoninë e Veriut, për shkak se vendi gjendet në prag të negociatave zyrtare me Bashkimin Evropian, dhe kjo do të rindez edhe njëherë kampanjën anti-EU.

Shkruan: Enis Shaqiri

Agjencitë e lajmeve shkruajnë se personi i padëshirueshëm për Maqedoninë e Veriut, Vasian Zmeev, 48-vjeçar, i cili është prift i Patriarkanës së Moskës, njëherit edhe kryetar i kishës ruse në Bullgari, por edhe përgjegjës për territorin e Maqedonisë së Veriut, gjatë vitit të kaluar ka pasur vizita intensive në vend dhe takime të shpeshta me përfaqësues të lartë të Kishës Ortodokse Maqedonase . Sipas të njëjtave, Zmeev, kishte rolin e koordinatorit të politikave kishtare ruse në Ballkan, me ndikim të veçantë në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut.

Vasian Zmeev

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në Maqedoninë e Veriut theksojnë se Rusia ka një traditë të gjatë ndikimesh në Ballkanin Perëndimor që nga Rusia Cariste, ndërsa faktorët, siç theksojnë, janë të shumtë, përfshirë faktorin social, religjioz si dhe influencën e kishës ortodokse.

ABDULLAHI: INTENSITETI I PROPAGANDËS RUSE DO TË RRITET EDHE MË SHUMË

Ish-ambasadori Enver Abdullahi, në një intervistë të mëparshme për KDP.MK, ka theksuar se  intensiteti i ndikimit dhe propagandës ruse pritet të rritet edhe më shumë në Maqedoninë e Veriut, për shkak se vendi gjendet në prag të negociatave zyrtare me Bashkimin Evropian, dhe kjo sipas tij, do të rindez edhe njëherë kampanjën anti-EU.

Enver Abdullahi

Rusia ka një traditë të gjatë në Ballkanin Perëndimor që fillon me influencën e saj që nga Rusia Cariste, dhe faktorët janë të shumtë, përfshirë këtu faktorin social, religjioz, influencën e kishës ortodokse etj. Por edhe të qenit në sferën e hegjemonisë pansllavite që është etiketuar komunizimi nga shumë studiues, i lehtëson fushëveprimin e fuqisë së butë Rusisë në Ballkan. Pra, rasti i njëjtë si me Maqedoninë e Veriut, është edhe rasti i Malit të Zi, kur u pavarësua me referendum, po ashtu kur u anëtarësua në NATO. Në këtë kontekst, unë do të shtoj se në Maqedoninë e Veriut, intensiteti i propagandës ruse do të rritet edhe më shumë, pasi që ne jemi tashmë në prag të fillimit të negociatave zyrtare me Bashkimin Evropian, dhe kjo do ta rindez kampanjën anti-EU në Maqedoninë e Veriut“, ka theksuar për KDP.MK, ish-diplomati, Abdullahu, duke nënvizuar se pas aneksimit të Krimesë, Rusia e ka rritur intensitetin e ndikimit të saj në Ballkanin Perëndimor, duke e parë atë si një mundësi të vetme.

Ndryshe, lajmi në fjalë, ka shkaktuar reagime edhe në Bullgari, në kohën kur në Sofje po diskutohet se kush duhet të emërojë shefin e shërbimeve të inteligjencës dhe kundërzbulimit. Për momentin është presidenti i shtetit, Rumen Radev, por qeveria e Kiril Petkovit dhe Bojko Borisovit duan t’ia heqin këto kompetenca.

Sipas deputetit nga partia e Kirill Petkovit, Atanas Atanasov, kundërzbulimi bullgar bashkëpunon edhe me Rusinë, i cili si shembull e përmendi priftin rus.

Atanas Atanasov

Ai shkon atje për t’i kryer funksionet e kundërzbulimit rus, për të krijuar përçarje në kishën maqedonase. Maqedonia e vogël, me shërbimet e saja, që nuk e di sa efektive janë, zbuloi se prifti rus që jeton dhe shërben në kishën ruse këtu në qendër të Sofjes, merret me inteligjencë në Maqedoni dhe u dëbua prej atje, ai jeton në Bullgari për pesë vjet. E pyes kundërzbulimin bullgar, a nuk u vjen turp?”, tha Atanasov

Vasian Zmeev, i cili u emërua në krye të kishës ruse në Sofje pesë vjet më parë, ka mbërritur në Maqedoninë e Veriut në janar të këtij viti.

Atëherë presidenti Stevo Pendarovski tha se nuk ka asnjë problem me vizitën e mitropolitit rus, përderisa është në kuadër të çështjeve kishtare. Megjithatë, ai shtoi se presidenti rus Vladimir Putin, në mënyrë të pamohueshme po përdor diplomacinë kishtare si një nga mjetet e tij në botë për të justifikuar luftën në Ukrainë. Pendarovski atë kohë gjithashtu bëri të ditur se disa peshkopë të kishës ortodokse maqedonase, janë në kontakt të ngushtë me shërbimet ruse të sigurisë.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme, ditë më parë njoftoi se tre diplomatë të Federatës Ruse, të akredituar në Maqedoninë e Veriut, janë shpallur persona të padëshiruar dhe pritet të dëbohen nga vendi për shkak të veprimtarisë jashtë kompetencave diplomatike.

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) të Maqedonisë së Veriut thotë se bëhet fjalë për këshilltarët politikë I. Hropjaçkov, A. Rozhdevsdvenski, si dhe atasheun ushtarak S. Popov. Ky i fundit raportohet të ketë bërë “veprime të pahijshme diplomatike“.

Tre diplomatët rusë kryenin aktivitete që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike dhe në pesë ditët e ardhshme do të duhet të largohen nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Lufta diplomatike që Rusia po mundohet ta shtrijë në Maqedoninë e Veriut është ashpërsuar sidomos pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Ndërkohë Maqedonia e Veriut është duke treguar vigjilente në ruajtjen e sovranitetit të saj nga sjellja dhe agresioni rus në vend.

Që nga viti 2018, kur Maqedonia e Veriut nënshkroi Marrëveshjen e Prespës me Greqinë që i hapi rrugën integrimit në NATO, nga Shkupi janë dëbuar gjithsej 17 diplomatë të Federatës Ruse.

Më 15 prill të këtij viti persona non grata u shpallën gjashtë punonjës të Ambasadës Ruse në Shkup. Këta gjashtë diplomatë rusë poashtu kishin kryer aktivitete që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Ministria e Jashtme dëboi edhe pesë diplomatë rusë më 28 mars të këtij viti, një muaj pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë. Më parë dëboi nga një diplomat rus në vitin 2021 dhe 2018, të cilave Rusia iu përgjigjë reciprokisht, duke dëbuar diplomatët maqedonas nga ambasada në Moskë.

Më 7 mars të këtij viti, Rusia e futi Maqedoninë në listën e vendeve që ndërmarrin veprime armiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj.

 

Të fundit