Maqedonia e Veriut ka shpallur persona të padëshirueshëm (non grata) tre diplomatë nga Ambasada Ruse në vend, përcjell KDP.MK
Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se më 12 shtator në MPJ është thirrur ambasadori i Federatës Ruse, Sergey Bazdnikin, të cilit i është dorëzuar nota diplomatike, ku edhe është informuar se edhe tre diplomatë të Ambasadës së Federatës Ruse në Shkup janë shpallur të padëshirueshëm në vend (persona non grata).
MPJ theksoi se “një vendimi këtillë është marrë pas informacioneve të marra nga autoritetet kompetente për aktivitete të ndërmarra e që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Informacionin për shpalljen e diplomatëve rusë si “persona të padëshiruar” fillimisht e ka bërë të ditur Ambasada Ruse, më 15 shtator. Rusia e ka cilësuar si të papërgjegjshëm dhe akt armiqësor shpalljen e tre diplomatëve për persona të padëshiruar dhe paralajmëroi se nuk do të mbetet pa përgjigje.
“Më 12 shtator, autoritetet e Maqedonisë së Veriut, pa sqaruar arsyet, i shpallën ‘persona non grata’ tre diplomatë të Ambasadës ruse në Shkup. Hapi i papërgjegjshëm dhe armiqësor i autoriteteve të Maqedonisë së Veriut nuk do të mbetet pa përgjigje”, thuhet në deklaratën e Ambasadës ruse.
Ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, tha se autoritetet e RMV-së “vazhdojnë të ecin në rrugën e përkeqësimit të konfrontimit dhe t’i zhvillojnë raportet bilaterale, të cilat edhe ashtu janë në krizë të thellë, në qorr sokak”.
Kujtojmë se në mars dhe prill të vitit 2022, Maqedonia e Veriut kishte dëbuar edhe 11 diplomatë të tjerë rusë, me arsyetim për “shkeljen e Konventës së Vjenës për marrëdhënie diplomatike”.
Si kundërpërgjigje ndaj këtij vendimi, Rusia kishte dëbuar një diplomat maqedonas nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Moskë.