E shtunë, 23 Shtator, 2023

VAZHDOJNË PËRPLASJET PËR NDRYSHIMET NË KODIN PENAL

Përderisa kryeministri Kovaçevski ka theksuar se ndryshimet në Kodin Penal nuk kanë të bëjnë me ndonjë kontekst politik dhe se janë në funksion të thjeshtësimit të procedurës për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme, si dhe shkurtim i kohës së zhvillimit të lëndëve gjyqësore, lideri i opozitës, Hristijan Mickoski ka theksuar se pushteti në këtë mënyrë po përgatitet për opozitë dhe po përpiqet të sigurojë një situatë më komode, por së shpejti nga sot çdo politikan që ka kryer krim do të mbajë përgjegjësi. Ndryshe, Komisioni Evropian ka kritikuar Maqedoninë e Veriut për ndryshimet e bëra në Kodin Penal, përmes së cilave ulen dënimet me burg për bartësit e funksioneve në rastet gjyqësore për shpërdorim të detyrës.

 KDP

Kanë vazhduar përplasjet mes partive politike për ndryshimet në Kodin Penal.

Kryeministri Dimitar Kovaçaçevski ka përsëritur se ndryshimet në Kodin Penal, për të cilat në opinion kishte vërejtje se janë miratuar në mënyrë të shpejtë dhe pa debat paraprak publik, janë miratuar për të ndihmuar në rritjen e efektivitetin dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.

Ai ka deklaruar se nuk ka pasur keqpërdorim të flamurit evropian gjatë miratimit të ndryshimeve, të cilat sipas tij janë bërë në përputhje me legjislacionin në BE.

Kryeministri ka theksuar se nuk ka asgjë të diskutueshme për sa i përket tajmingut, përkatësisht miratimit të tyre në një periudhë kur po bëhet përpjekje për të siguruar shumicën për ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se nuk ka ndodhur asgjë dramatike që nga miratimi i ligjit dhe kjo tregon se nuk është e miratuar për diçka apo për dikë, por për të rritur efikasitetin e sistemit.

“Nëse dikush flet me BE-në në nivel ditor, atëherë është Maqedonia e Veriut, sepse ne dhe Shqipëria aktualisht po bëjmë një proces skriningu me BE-në. Të gjitha proceset që zhvillohen në vendin tonë janë në një farë mënyre të komunikuara me BE-në. Në vendin tonë shpesh vërehet ngadalësia, me të drejtë, sepse shumica e gjërave në shumë fusha ecin ngadalë dhe kur diçka shkon shpejt, nuk mendoj se duhet vënë re edhe aq. Ajo që pashë nga Ambasada Amerikane është se ata thanë se do ta shqyrtojnë atë që është miratuar, të njëjtën gjë tha edhe BE-ja”, ka thekuar Kovaçevski.

Ai ka theksuar se përfitimet nga ndryshimet janë vendosja e konfiskimit të zgjatur, përkatësisht thjeshtësimi i procedurës për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme, si dhe shkurtimi i kohës së zhvillimit të lëndëve gjyqësore. Ai theksoi se edhe me Kodin e ri Penal, i cili ende nuk ka hyrë në procedurë qeveritare, do të bëhet një klasifikim i detajuar i veprave penale, në bazë të të cilit dikush mund të ndiqet penalisht.

“Kur bëhet fjalë për akte të paligjshme, për një kohë të gjatë në vendin tonë, një numër i madh i akteve të kundërligjshme u sollën nën të njëjtin nen të përgjithshëm, sipas të cilit do të akuzoheshin një duzinë persona dhe pastaj të gjithë pyesnin se ku ishte e gjithë çështja. Tashmë dhe me Kodin e ri Penal, i cili është në përgatitje e sipër dhe që besoj se së shpejti do të hyjë në procedurë parlamentare, janë përcaktuar 422 vepra penale në bazë të të cilave mund të ndiqet penalisht kushdo që ka abuzuar me detyrën e caktuar apo ka shkelur ligjin”, ka deklaruar kryeministri.

Mickoski : Me ndryshimet në Kodin Penal, po përgatiten për opozitë

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, i është përgjigjur kryeministrit Dimitar Kovaçevski në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal. Për dallim nga kryeministri që thotë se këtu ka harmonizime me legjislacionin europian, Mickoski ka theksuar se pushteti në këtë mënyrë po përgatitet për opozitë dhe po përpiqet të sigurojë një situatë më komode, por së shpejti nga sot çdo politikan që ka kryer krim do të mbajë përgjegjësi.

“Është e qartë se ai dhe deputetët e LSDM-së së bashku me BDI-në dhe deputetët e BDI-së dhe të tjerët po përgatiten për opozitë dhe në këtë mënyrë duan të sigurojnë një pozitë më komode. Por mesazhi im ditëve të fundit ka qenë i njëjti, konstant, e ai është se së shpejti nga sot qeveria e VMRO-DPMNE-së, përkundër këtyre ndryshimeve që do të jenë efektive në mënyrën se si bënë duke keqpërdorur flamurin evropian, janë dhjetëra nene tjerë që janë pjesë e kodit penal dhe ligjeve të tjera, sipas të cilave çdo politikan kriminal që ka kryer një krim do të përgjigjet. Kështu që unë mendoj se është e kotë që ata të përpiqen të bëjnë diçka që ata mendojnë se do t’i ndihmojë, por nuk do tu ndihmojë”, ka theksuar Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë, Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski konsideron se duhet të ndërmerren një sërë masash dhe aktivitetesh, duke përfshirë ndryshimet e rregulloreve ligjore, të cilat do të kontribuojnë në luftën më efektive kundër korrupsionit dhe krimi në shoqëri, në atë drejtim ai i sheh ndryshimet në Kodin Penal.

“Kur flas për efikasitet, do të thotë të ketë procedura efikase, të shpejta në të cilat ata që kanë shpërdoruar pozitat e tyre dhe janë përfshirë në korrupsion të lartë, të ndiqen penalisht në mënyrë shumë të shpejtë dhe efikase dhe gjithçka që kanë fituar të konfiskohet dhe të kthehet. Pra, ndryshimin e Kodit Penal nuk e shoh si problem, por si mundësi. Dua të përmend se nuk bëhet fjalë fare për një Ligj me të cilin do të ketë amnisti, nuk mund të ketë amnisti për askënd! Është në përputhje të drejtpërdrejtë me direktivën e Bashkimit Evropian, e cila parashikon konfiskim të zgjeruar”, ka theksuar Spasovski.

Ndryshimet janë kundërshtuar edhe nga opozita shqiptare, e cila vlerëson se “pushteti po përgatitet për mbrojtjen e zyrtarëve të saj pas kalimit në opozitë”.

“Ndryshimet në Kodin Penal, realisht janë një amnisti e fshehur për funksionarët e lartë të cilët duart i kanë në krim dhe korrupsion. Këto ndryshime prekin zyrtarë aktual të qeverisë të cilët po përgatiten për në opozitë andaj edhe po bëjnë gjithçka që krimin dhe korrupsionin e bërë gjatë qeverisjes së tyre ti mbulojnë me aspektet ligjore. Sistemin gjyqësor nuk i duhet amnisti për zyrtarët e zhytur në krim dhe korrupsion, por i duhet luftë e organizuar institucionale kundër krimit dhe korrupsionit që të mund këtë sistem dhe shoqëri ta vendosim në rrugën e drejtë të integrimeve evropiane”, ka deklaruar deputeti Fadil Zendeli në emër të Frontit Opozitar Shqiptar.

Ndryshe, Komisioni Evropian ka kritikuar Maqedoninë e Veriut për ndryshimet e bëra në Kodin Penal, përmes së cilave ulen dënimet me burg për bartësit e funksioneve në rastet gjyqësore për shpërdorim të detyrës.

“Bashkimi Evropian vëren me shqetësim se disa nga ndryshimet në Kodin Penal të miratuara me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, me të cilat reduktohen dënimet maksimale ligjore, shkaktojnë implikime në zbatimin e parimit të vjetërsimit dhe prekin një numër të madh të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë”, ka deklaruar për agjencinë MIA, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero.

 

Të fundit