E shtunë, 15 Mars, 2025

OSMANI: DUHET TË OFROJMË QËNDRUESHMËRI, VIZION DHE MJETE PËR SFIDAT URGJENTE

Ndryshimet klimatike, qeverisja e mirë dhe antikorrupsioni, lehtësimi i tregtisë dhe transportit, sigurimi i ushqimit, si dhe menaxhimi i rrezikut nga katastrofat – ishin temat kryesore në fjalimin e ministrit dhe kryesuesit aktual të OSBE-së, Bujar Osmani, i cili sot në Pragë hapi Forumin e dimensionit ekonomik dhe ekologjik të OSBE-së, përcjell KDP.MK

Ky Forum është organizuar në kuadër të Kryesimit të OSBE-së në vitin 2023 dhe mbahet sot dhe nesër me temë “Promovimi i sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e OSBE-së duke arritur zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje ekonomike elastike dhe gjithëpërfshirëse”. Ngjarja paraqet, siç tha Osmani, mundësi për zgjidhje të mundshme për disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë, duke i përfshirë të gjitha prioritetet kyçe të Kryesimit që janë qendrore për mandatin e Organizatës në dimensionin e saj të dytë.

Osmani në fjalimin e tij, duke folur për ndryshimet klimatike, tha se duhet të merren masa të përbashkëta urgjente për zbutjen e pasojave, duke përmendur përmbytjet e tmerrshme në Bullgari, Greqi, Turqi, Slloveni, Austri dhe vende të tjera; pastaj zjarret e pyjeve në SHBA, Kanada dhe disa vende evropiane dhe aziatike, por edhe tërmetet katastrofike në Turqi dhe rrethinë, si dhe tërmetin e fundit në Marok. Të gjitha këto përkujtime të tmerrshme paraqesin urgjencë për përpjekje të koordinuar dhe veprime të përbashkëta produktive në favor të sigurisë mjedisore”, tha Osmani.

Ai gjithashtu rikujtoi se si kryesues i OSBE-së, ka emëruar edhe një përfaqësues special për ndryshimet klimatike me qëllim të rritjes së mëtejshme të ndërgjegjësimit dhe gjetjes së zgjidhjeve të mundshme për të zbutur këto sfida të ndjeshme.

Ndryshimet klimatike janë sfida më urgjente të së sotmes dhe të nesërmes. Megjithatë, ekzistojnë edhe shumë sfida të tjera afatgjata që vazhdojnë të na mundojnë”, tha Osmani. Ai shtoi se në të njëjtën kohë, globalizimi dhe ndërvarësia ekonomike kanë ndryshuar përgjithmonë shoqëritë tona dhe sërish krizat e mëdha në vitet e fundit kanë treguar se sa të cenueshëm mund të jenë zinxhirët tanë të furnizimit dhe të ndikojnë në sigurinë. Ndër të tjera, kjo vlen edhe për sigurinë ushqimore, duke pasur parasysh se njerëzit në mbarë botën vuajnë më së shumti për shkak të rritjes së çmimeve dhe pengimit të qasjes në drithërat nga të cilët aq shumë varen.

Vendet pjesëmarrëse të OSBE-së ishin të përkushtuara për lehtësimin e tregtisë dhe transportit si një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit të tyre ekonomik. Në rajonin tonë, ‘Agjenda për lidhjen’ e Ballkanit Perëndimor, e përforcuar nga BE-ja, është shembull i vlefshëm i bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare të OSBE-së dhe BE-së, si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili tashmë ka rezultuar në zgjerimin e rrjeteve trans-evropiane dhe fillimin e nismave rajonale. Andaj, dialogu i mëtutjeshëm është i një rëndësie kyçe për stimulimin e rritjes ekonomike të vendeve të OSBE-së dhe në të njëjtën kohë për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë”, tha Osmani.

Në hapje të Forumit, Osmani foli edhe për korrupsionin, si sëmundje e përsëritur në rajonin e OSBE-së. Prandaj, ai bëri thirrje për vendosmëri të qartë, përpjekje të koordinuara dhe vullnet politik për t’u përballur me pasojat e saj negative. Në këtë kontekst, ai e paralajmëroi edhe konferencën rajonale për luftën kundër korrupsionit të organizuar nga Kryesimi, e cila do të mbahet në fund të tetorit.

OSBE-ja ka mandat të fuqishëm në këtë fushë tematike dhe ne do të vazhdojmë t’i fokusojmë përpjekjet tona të përbashkëta në nxitjen e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë në domenin publik dhe privat”, theksoi Osmani.

Ai fjalimin e tij e përfundoi me thirrje drejtuar vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së për veprim të përbashkët dhe vendosmëri në ofrimin e zgjidhjeve të përbashkëta për njerëzit dhe të ardhmen e tyre.

Para nesh kemi rrugë të paparashikueshme dhe të pasigurt, por edhe rruga më e gjatë nuk duhet të na dekurajojë që të gjejmë zgjidhje dhe mënyra më të mira për ne dhe për gjeneratat e ardhshme. Si organizatë dhe shtete pjesëmarrëse, ne duhet të sigurojmë qëndrueshmëri, vizion dhe mjete për t’u ballafaquar me këto dhe sfida të tjera urgjente. Kjo është detyra jonë. Për këtë është themeluar OSBE-ja, andaj unë si Kryesues do të vazhdoj të punoj”, përfundoi Osmani.

Të fundit