E shtunë, 23 Shtator, 2023

DEHUMANIZMI SI “VEGJETIM” NORMAL

Një skandal i këtillë shtresimesh kriminale është edhe rasti me Onkologjinë, ku tashmë ka dyshime serioze për shitje të terapive për trajtim të kancerit jashtë shtetit, duke i lënë të sëmurët pa trajtimin e duhur. Një rast eklatant që dëshmon për praninë e krimit dhe të korrupsionit në një fushë kaq të ndjeshme siç është shëndetësia. Jo një herë është theksuar se pikërisht shëndetësia në Maqedoninë e Veriut është sektori më i sëmurë, që kërkon një intervenim të shpejtë dhe serioz për të eliminuar gjithë atë “vegjetim” madhështor të vetëshpallur profesioni, me gjithë ato “salltanete elitare”, por që në fakt mbetet fusha e keqpërdorimeve më të theksuara.  

Shkruan: Bardhyl  Zaimi

Në një vend me tranzicionin të stërzgjatur dhe me shumë anomali shoqërore dhe institucionale padyshim se është krijuar hapësirë për “vegjetimin” e shumë njerëzve joprofesionistë, të cilët në mungesë të një sistemi koherent vlerash kanë instaluar në institucione logjikën e zhvatjes dhe manipulimit. Gjatë kohë institucionet në Maqedoninë e Veriut janë udhëhequr me këtë logjikë bizare servilësh partiakë, por edhe profesionistësh të vetëshpallur që në emër të “madhështisë” së profesionit dhe duke manipuluar pikërisht me profesione të fisme, janë zhytur në kriminalitete që tash po shpërfaqen në shumë raste.

Një skandal i këtillë shtresimesh kriminale është edhe rasti me Onkologjinë, ku tashmë ka dyshime serioze për shitje të terapive për trajtim të kancerit jashtë shtetit, duke i lënë të sëmurët pa trajtimin e duhur. Një rast eklatant që dëshmon për praninë e krimit dhe të korrupsionit në një fushë kaq të ndjeshme siç është shëndetësia. Jo një herë është theksuar se pikërisht shëndetësia në Maqedoninë e Veriut është sektori më i sëmurë, që kërkon një intervenim të shpejtë dhe serioz për të eliminuar gjithë atë “vegjetim” madhështor të vetëshpallur profesioni, me gjithë ato salltanete “elitare”, por që në fakt mbetet fusha e keqpërdorimeve më të theksuara.

Pikërisht, në vijë të këtij degjenerimi në sistemin shëndetësor, të implikimit të thellë të politikës dhe oligarkive është edhe rasti tragjik në spitalin modular në Tetovë, i shpërfaqur nga një hulumtim i IRL-së.

Këto dy raste dhe shumë degjenerime tjera të raportuara nga qytetarët dëshmojnë për një dekompozim të thellë të sistemit të shëndetësisë, që vjen si pasoja e “madhështive” të këtij profesioni të vetëshpallura nga individë që kërkojnë përmes ndjeshmërisë që mbulon kjo fushë të krijojnë paprekshmërinë e keqbërjes së tyre. Kjo fushë mbetet më e ndjeshme për shkak se drejtpërdrejt ndërlidhet me jetën njerëzore, ndërkohë që anomali dhe keqmenaxhime shfaqen edhe në gjithë sistemin institucional të Maqedonisë së Veriut.

Përtej politikës, betejave politike, është koha e fundit që ata që qeverisin të mendojnë thellë mbi këto realitete, mbi këto inkriminime të shtresuara, të cilat nuk mund të tejkalohen as me oportunitete politike dhe as me improvizime.

Institucionet, gjithë sistemi institucional nuk mund të korrigjohen nga improvizime, përkundrazi nevojiten reforma reale strukturore të mirëmenduara, njerëz profesionistë dhe me etikë për të ndryshuar mënyrën e funksionimit. Përndryshe rrezikojmë që abnoramiliteti të bëhet normalitet, ndërsa logjika improvizuese të shndërrohet në logjikë dominuese edhe për të ardhmen.

Të fillohet me zbardhjen e këtyre rasteve dhe gradualisht të instalohet një sistem i ri vlerash që respekton dinjitetin profesional, etikën dhe përkushtimin. Çdo rrugë tjetër nënkupton vazhdimin e apatisë dhe degjenerimeve të përhershme.

 

Të fundit