E premte, 21 Mars, 2025

GRUEVSKI PO KTHEHET I LIRË? SHBA KËRKON REZULTATE TË PREKSHME NË LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) thonë se janë të përkushtuara për të mbajtur përgjegjës ata që janë të përfshirë në korrupsion të madh dhe do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet e disponueshme për të luftuar korrupsionin në nivel global, përcjell KDP.

“Korrupsioni ka potencialin të minojë ambiciet strategjike të Maqedonisë së Veriut”, tha shërbimi për shtyp i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, i pyetur nëse ndryshimet e reja në Kodin Penal, që ulin dënimet për shpërdorim detyre dhe bashkim kriminal, do të pengojë përpjekjet e SHBA për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit në vend.

“Ne inkurajojmë Maqedoninë e Veriut të përmbushë premtimet e saj për të luftuar korrupsionin. Udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut duhet të demonstrojnë rezultate të forta, të prekshme, kundër korrupsionit duke forcuar pavarësinë institucionale dhe duke parandaluar ndërhyrjet politike, veçanërisht në gjyqësor, që është thelbësore për përmbushjen e synimeve të anëtarësimit në BE dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në qeveri.”,  thanë DASH.

Kuvendi me flamur evropian dhe me procedurë të përshpejtuar miratoi ndryshimet në Kodin penal, me të cilat parashihen dënime më të vogla për zyrtarët dhe funksionarët që keqpërdorin pozitën e tyre, ndërsa presidenti Stevo Pendarovski nënshkroi Dekretin për shpalljen e Ligjit për ndryshim dhe plotësim në Kodin Penal.

SHBA thotë se është e përkushtuar të mbajë përgjegjës ata që janë të përfshirë në korrupsion të madh dhe do të vazhdojë të përdorë të gjitha mjetet e disponueshme për të luftuar korrupsionin në nivel global.

“Lufta kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor është prioriteti kryesor i administratës Biden. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin qeveritë, partnerët e shoqërisë civile, mediat e pavarura dhe qytetarët në luftën kundër krimit të organizuar, çrrënjosjen e korrupsionit, rritjen e transparencës, zbatimin e llogaridhënies dhe forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit dhe institucioneve demokratike”, thuhet në deklaratën e DASH.

Me ndryshimet ligjore, fshihet paragrafi 5 i nenit 353, i cili sanksionon keqpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare gjatë prokurimit publik ose në dëm të Buxhetit dhe fondeve publike, për të cilat ishte paraparë dënimi me të paktën 5 vjet burgim.

Zvogëlohet dënimi maksimal me burgim për bashkim kriminal nga 10 në 3 vjet dhe shfuqizohet konfiskimi i zgjeruar i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Me uljen e masës së dënimit për krime të veçanta, ulet edhe afati i parashkrimit të tyre.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se me ndryshimet në Kodin Penal do të ketë efikasitet dhe efektivitet shumë më të madh në gjyqësor dhe në proceset gjyqësore dhe se do të shmanget mundësia e parashkrimit.

“Ka ndryshime në një nen të përgjithshëm, neni 353, i cili shfrytëzohet gjerësisht nga publiku. Kjo është në drejtim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit, rritjes së numrit të veprave penale dhe shpeshtësisë së dënimeve, jo vetëm kohëzgjatjes së dënimeve në sistemin e drejtësisë, sepse çfarë ia vlen nëse 100 veta kanë kryer abuzime dhe vetëm një dënohet. Ne nuk mund të ndërtojmë një sistem drejtësie të bazuar në dispozitat ligjore të shekullit të 19-të dhe një regjim komunist,” tha Kovaçevski.

Ai tha se amendamentet nuk parashikojnë amnisti.

“Kjo nuk do të thotë asnjë falje apo amnisti për askënd. Këtë e ka konfirmuar presidenti Pendarovski, i cili është avokat. Ndryshimet janë konkretizimi i veprave penale që ka kryer dikush. Në Kodin Penal ka një akt të veçantë – kriminalitet për abuzim gjatë organizimit të prokurimit publik. Në të kaluarën, të gjitha kushtet rregulloheshin nga neni i përgjithshëm i shpërdorimit të detyrës. Tani saktësohet se çfarë ka bërë saktësisht personi. Dënimi është më i shpejtë dhe pason konfiskimi i zgjatur. Procedurat zgjasin me vite, paraburgimet zgjasin me vite. Qytetarët pyesnin se ku ishte konfiskimi. Pikërisht për këtë janë këto ndryshime. Askund në ligj nuk ka amnisti”, pohon Kovaçevski.

Organizata joqeveritare “Transparency International” thotë se është “amnisti e heshtur” dhe ka kërkuar që të tërhiqen ndryshimet ligjore.

Të fundit