Ditë më parë, Milorad Dodik, president i të ashtuquajturës Republika Serpska në Bosnjë e Hercegovinë, paralajmëroi se Përfaqësuesi i Lartë i Bashkësisë Ndërkombëtare në Sarajevë, Christian Schmidt, “më nuk do të mund të hyjë në RS … kur të mësojmë se ka hyrë, do të dëbohet nga Republika Serpska… nuk do të mund të hyjë. Ja, le ta provojë…”- citon kdp.mk fjalët e Dodikut që njihet si mik i presisentit rus Putin. “Dodiku nuk ka autorizime të urdhërojë arrestimin tim”, – thotë Përfaqësuesi i Lartë në BeH, Christian Schmidt, në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
“Nuk është asgjë e re nëse ju, si Përfaqësues i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, si shumë nga pararendësit tuaj, jeni në konflikt me Milorad Dodikun, por është plotësisht lajm i ri se Dodik, si president i Republika Serpskas, tani paralajmëroi se do t’ju arrestojë dhe deportojë nëse hyni në republikën e tij. Si do të reagoni ndaj kësaj?”, është pyetja me të cilën FAC e nis intervistën me Christian Schmidt
“Në raste të tilla të marrëzisë politike, këshillohet të qëndroni të qetë dhe të kryeni detyrat tuaja. Prandaj, kuptohet, nuk do ta përjashtoj Republika Serpskën nga juridiksioni im. Këtë ua kam borxh njerëzve atje. Fatkeqësisht, kjo pjesë e Bosnjë-Hercegovinës po i afrohet gjithnjë e më shumë autokracisë në të cilën sundimi i ligjit nuk është më kriter”, – përgjigjet Schmidt.
Përfaqësuesi i Lartë thekson në intervistën për FAC se gjatë disa ditëve dhe javëve në vijim ka termine në Republika Serpska, më së shumti në Banja Lukë, por edhe në qytete të tjera.
“Unë i përmbahem kësaj dhe e porosis zotin Dodik që të mos e vazhdojë më çmendurinë e tij egocentrike, sepse ai vet është i vetmi që e sjell atë në krizë”, – thotë Schmidt.
Gazetari i FAC konstaton se Dodiku me retorikën e tij e ka vënë veten nën presion dhe i drejtohet diplomatit gjerman me fjalët: “Nëse shkoni në Banja Lukë dhe nuk arrestoheni, ai do të humbasë reputacionin e tij para ndjekësve të tij”. “Atëherë ndjekësit e tij do të kuptojnë se ai nuk e bën gjithmonë atë që thotë dhe se vendit të tij nuk i sjell asgjë të mirë,” – replikon Schmidt.
“Dodik nuk ka autorizim të urdhërojë arrestimin tim”
I pyetur nga FAC nëse Dodik, si president i RS-së, mund të urdhërojë policinë ta arrestojë atë, Schmidt përgjigjet se ai, në përputhje me Konventën e Vjenës për Diplomatët, gëzon imunitet. Përveç kësaj, “Dodik nuk ka kompetenca të urdhërojë arrestimin sepse nuk ka të drejtë të urdhërojë policinë. Këtë fillimisht duhet ta sqarojë prokurori publik”. Schmidt shton se Dodiku tashmë ka tentuar të bëjë kallëzim kundër tij, por se Prokuroria e “mençur” Publike në Banja Lukë, në mënyrë preventive ketë procedurë ia ka përcjellë menjëherë Prokurorisë së Shtetit në Sarajevë, nga e cila Schmidt nuk ka dëgjuar asgjë.
“Sjellja e Dodikut është shuplakë për BE-në, e cila po përpiqet të avancojë sundimin e ligjit në Bosnje. Mashtrohet nëse konsideron se për të ekzistojnë të drejta të veçanta ose rregullore të veçanta. Pra, zoti Dodik duhet të përgatitet për disa kohra goxha të pakëndshme”, -konstaton Schmidt.
Gazetari i FAC ia rikujton Përfaqësuesit të Lartë në BeH deklaratën e tij se në tavolinë është edhe opsioni për revokimin e Dodikut, për të cilin ai teorikisht ka autorizime. “Megjithatë, shumëkush dyshon se mund ta zbatoni, për shkak se nuk keni pushtet ekzekutiv. Dodiku mund ta shpërfill këtë. Në një rast të tillë, si mund ta bëni revokimin e Dodikut?”, – pyet FAC.
“Këto janë shqyrtime që nuk paraqiten paraprakisht. Mirëpo ndaj z. Dodik vazhdon hetimi dhe nuk është kurrfarë risie se për të është e interesuar Prokuroria e Shtetit. Meqë ra fjala, do të shohim se si do të sillet bashkësia ndërkombëtare me dikë që torpedon rrugën evropiane të Bosnjë e Hercegovinës dhe në të njëjtën kohë vepron si aleat i ngushtë i Vladimir Putinit”, – thotë Schmidt.
Dodik nën barrën e borxheve
Diplomati gjerman shmangu që t’i përgjigjet direkt pyetjes së FAC nëse në aksionin kundër Dodikut do të kishte në krah të tij presidentin serb Aleksandar Vuçiq. “Nëse kërcënimi i Dodikut nuk është thjesht një akt bosh, atëherë çështja “bëhet vërtet shumë serioze”, thotë Schmidt, duke shtuar: “Në atë rast, unë nuk jam gati për kurrfarë kompromisesh: e drejta ligjore që del nga Marrëveshja e Dejtonit patjetër që duhet të zbatohet”.
Dodiku paralajmëroi gjithashtu se nëse miratoni një dekret për ndarjen e diskutueshme të pronës shtetërore të Bosnje-Hercegovinës, Republika Serpska të njëjtën natë do ta shpallë pavarësinë. Çfarë atëherë?, – pyet FAC Schmidtin.
“Supozoj se vendosmëria e Dodikut për të mbrojtur çdo pëllëmbë të pasurisë shtetërore, që nuk i takon, ka lidhje edhe me barrën e rëndë të borxheve që i ka grumbulluar në Republikën Serpska. Këtu fjala është për një ndarje të drejtë të pronës shtetërore. Për këtë duhet një ligj shtetëror. Do të ishte e imagjinueshme, për shembull, transferimi i pronësisë në një agjenci të përbashkët, të ardhurat e së cilës do të shpërndaheshin në mënyrë të drejtë. Prandaj duhet të jemi gati për dialog. Të gjithë të tjerët në Bosnje dhe Hercegovinë janë gati për këtë, përveç zotit Dodik”, – ka përfundon Christian Schmidt në intervistën për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”./DW/Përktheu: kdp.mk/