E mërkurë, 26 Mars, 2025

SHAQIRI: ÇËSHTJA E VELESIT U ZGJIDH, DO TË VAZHDOJNË TË FUNKSIONOJNË DY PARALELET SHQIPE

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri ka theksuar se është zgjidhur problemi me regjistrimin e nxënësve shqiptarë në gjimnazin e Velesit. Shaqiri ka bërë të ditur se dy paralelet shqip në këtë gjimnaz do të vazhdojnë të funksionojnë.

“Çështja e Velesit u zgjidh. Mësimi në gjuhën amtare është e drejtë kushtetuese të cilën askush nuk mund ta mohoj. Nëse është faj që Ministria e Arsimit dhe Shkencës po i mundëson secilit mësim në gjuhën amtare, me punë intensive secilit nxënës po i ndërton shkollë në lagjen ku jeton atëherë, unë dhe kabineti im jemi fajtorë. Ju njoftoj se Inspektorati Shtetëror i Arsimit është në terren dhe dy paralelet në SHMK “Koço Racin” në Veles, që i pengojnë dikujt do të vazhdojnë të funksionojnë. Apeloj deri te të gjithë që kanë zërin e arsyes, të mos keqpërdorin çështjet arsimore për qëllimet e tyre politike. Pse duhet të na pengojë hapja e paraleleve ku do të fitohet dituri?”.

Ndërkohë, paraprakisht kishin reaguar partitë shqiptare në opozitë, të cilat kishin kërkuar që ky problem me paralelet në Veles të gjejë zgjidhje sa më të shpejtë në mënyrë që fëmijët të mos mbeten në rrugë. Nga Lëvizja Besa kanë kërkuar urgjentisht që të zgjidhet problemi me nxënësit shqiptarë të Velesit, të cilët nuk kanë mundësinë që të vijojnë mësimin shqip në shkollë të mesme. Nga kjo parti kanë kërkuar që ministri i Arsimit t’ia merr kompetencat kryetarit të komunës ta zgjidh problemin me paralelet shqipe.

Gjithashtu kanë reaguar edhe nga Alternativa pas informacionit se nxënësit shqiptarë të Velesit nuk janë pranuar në gjimnaz. Kjo parti i ka bërë thirrje Qeverisë së RMV-së, ministrit të Arsimit dhe Shkencës, si dhe autoriteteve komunale të Velesit, që mos ta pengojë arsimin shqip.

 

Të fundit