E martë, 29 Prill, 2025

KOSOVË: NË ZVEÇAN ZBULOHET SASI E MADHE ARMATIMI

Në Prishtinë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se të martën Policia bashkë me institucionet e inteligjencës kanë zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në Zveçan. Po sipas tij, ky aksion ka rezultuar me zbulimin e një sasie të madhe të armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore e eksploziv. Në operacion kanë qenë të përfshirë edhe pjesëtarë të KFOR-it, – njofton kdp.mk.

Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të madhe armatimi në komunën e Zveçanit, me shumicë serbe të popullsisë, në veriun e Kosovës.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, arsenali I armëve është zbuluar gjatë bastisjes së një shtpëie që përdorej si “bazë për armatimin e veriut të Kosovës”:

“Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe”, – citon Radio Evropa e Lirë ministrin Sveçla i cili me këtë rast ka saktuar se janë gjetur armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksplozivë.

“Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it”, – tha Sveçla duke shtuar se “veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit”.

Raportohet se për momentin nuk ka të arrestuar, por ka të dyshuar.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e rendit kryejnë aksione kundër kontrabandës në veri. Rasti i fundit ishte në gusht, kur Policia e Kosovës, në fshatin Rudine të Zveçanit, kishte konfiskuar mbi 1.200 fishekë. Përveç aksioneve kundër mallrave kontrabandë, autoritetet në të kaluarën kanë kryer aksione në veri edhe kundër kriptovalutave, mihja e të cilave është ilegale në Kosovë.

Situata në veri të Kosovës në fund të majit u tensionua, pasi banorët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë. Kryetarët u zgjodhën në prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata serbe.

Këto zhvillime po ndodhin ndërkohë që për më 14 shtator është paralajmëruar një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi do të zhvillohet në Bruksel nën kujdestarinë e BE-së,- njofton kdp.mk.

 

Të fundit