Një zjarr që shpërtheu gjatë natës në një ndërtesë pesëkatëshe në Johanesburg, në Afrikën e Jugut, në të cilën kishte shumë të pastrehë, la pas vetes të paktën 73 të vdekur thanë shërbimet e urgjencës. Disa nga ata që jetonin në një labirint kasollesh dhe strukturash të tjera të improvizuara brenda ndërtesës u hodhën nga dritaret për t’i shpëtuar zjarrit, tha një zyrtar i qeverisë lokale. Shtatë nga viktimat ishin fëmijë, më i riu ishte njëvjeçar, sipas një zëdhënësi të shërbimeve të urgjencës.
Dëshmitarët thanë se rreth 200 njerëz mund të kenë jetuar në ndërtesë,- përcjell kdp.mk njoftimin e agjencive të lajmeve.
Zëdhënësi i Shërbimit të Emergjencave të Johanesburgut, Robert Mulaudzi, tha se 52 persona të tjerë u plagosën nga pasojat e zjarrit, i cili shpërtheu diçka pas orës një të mëngjesit.
Zoti Mulaudzi tha se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet dhe më shumë trupa mund të jenë bllokuar brenda ndërtesës. U deshën tre orë për të frenuar zjarrin, citon REL zyrtarin e Shërbimit të Emergjencave të kryeqytetit jugafrikan.
“Kjo është një tragjedi për Johanesburgun. Në mbi 20 vjet shërbimi, nuk kam hasur kurrë diçka të tillë”, tha zëdhënësi Mulaudzi.
Autoritetet thonë se zjarrfikësit kanë evakuur banorët e ndërtesës, ndërsa vazhdon kërkimi dhe gjetja e trupave. Sipas BBC-së, raportet nga terreni flasin se banorët ishin kryesisht emigrantë afrikanë,- njofton kdp.mk
Zyrtarët e qytetit thanë se 141 familje u prekën nga tragjedia, megjithëse nuk ishin në gjendje të thonë menjëherë se sa njerëz ndodheshin në ndërtesë në kohën e shpërthimit të zjarrit.
Mgcini Tshwaku, një zyrtar i qeverisë lokale, tha se kishte informacione që banorët ndezën zjarr brenda ndërtesës për t’u ngrohur, por ende është e paqartë se çfarë e shkaktoi tragjedinë.