E martë, 29 Prill, 2025

VUÇIQ “SHUMË I MERAKOSUR”, KURTI “OPTIMIST”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha Përfaqësuesit të posaçëm të bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se është “shumë i merakosur” nga zhvillimi i ngjarjeve” në Kosovë. Vuçiq dhe Lajçak u takuan këtë të mërkurë në Beograd dhe, sipas një postimi të bërë në llogarinë e presidentit serb në Instagram, zhvilluan një takim prej më shumë se dy orësh, përcjell kdp.mk njoftimin e Radios Evropa e Lirë. kryeministri Kurti, ndërkaq ka deklaruar për “Bloombergun”  se Kosova e Serbia duhet t’i normalizojnë raportet, para se aleatët të nisin të merren me zgjedhjet në SHBA dhe BE. Sipas tij ekziston urgjencë për zbatimin e marrëveshjes dhe për normalizimin raporteve, me njohjen reciproke në qendër, më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm, njofton kdp.mk.

Takimi Lajçak-Vuçiq në Beograd vjen pasi Përfaqësuesi i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi tha më 28 gusht se kishte zhvilluar “një takim të rëndësishëm” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, si pjesë e përgatitjeve për raundin e ri të dialogut në nivel të lartë, që parashihet të mbahet në shtator.

“Çështja kryesore e takimit ishin përgatitjet e takimit të ri të nivelit të lartë në dialogu në shtator, me fokus në normalizimin e raporteve dhe zbatimin e marrëveshjes së 3 qershorit”,- shkroi Lajçak në rrjetin social X, që më herët njihej si Twitter.

Më 30 gusht, Bashkimi Evropian përsëriti thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të krijojnë kushte për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve.

Më 3 qershor, BE-ja tha se pret nga Kosova dhe Serbia të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe menjëherë të angazhohen në dialog për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – të garantojnë sigurinë dhe pjesëmarrjen demokratike të të gjithë qytetarëve dhe të bëjnë hapa drejt zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve të arritur në Bruksel më 27 shkurt.

Unioni bëri të ditur atëherë se kjo përfshin fillimin e punës për formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe pa vonesa apo parakushte të mëtejshme, si dhe që autoritetet e Kosovës duhet sa më shpejt që të jetë e mundur të shpallin zgjedhje të jashtëzakonshme lokale në të katër komunat në veri të Kosovës, ku do të marrin pjesë serbët e Kosovës.

Kurti dhe Vuçiq për herë të fundit janë takuar më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në katër komunat në veri të Kosovës, që u bojkotuan nga serbët.

Tensionet në veri të Kosovës nisën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të BE-së, blloku evropian ka vendosur disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Në korrik, në Bratisllavë, Kosova dhe BE-ja u pajtuan për hapat drejt shtensionimit, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është për mbajtjen e zgjedhjeve të reja,këtë vjeshtë, por ka theksuar se fushata zgjedhore duhet të jetë e lirë.

Kurti, po ashtu, në një intervistë për “Bloombergun” në Slloveni, ka deklaruar se Kosova e Serbia duhet t’i normalizojnë raportet, para se aleatët të nisin të merren me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian. Ai bëri të ditur se ekziston urgjencë për zbatimin e marrëveshjes dhe për normalizimin raporteve, me njohjen reciproke në qendër, më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Presidenti serb, A. Vuçiq, më herët gjatë ditës, ka folur edhe me kongresistin amerikan Michael Turner, të cilit, siç raportohet, i ka thënë se Serbia po bën shumë përpjekje në dialogun me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, sepse e sheh atë si të vetmen rrugë të drejtë për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme,- njofton kdp.mk

Të fundit