E shtunë, 15 Mars, 2025

PROCESI I ZGJERIMIT, EVROPA E “ SHPEJTËSIVE” TURBULLUESE

Deklarata e Presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Charls Michel, dhe e presidentit francez, Emanuel Macron kanë ndezur debatin rreth shpejtësisë së zgjerimit dhe nevojës për reforma paraprake në BE. Presidenti i BE-së Michel, ka theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të ndodhë deri në vitin 2030, ndërsa presidenti Macron ka sugjeruar konceptin e “Evropës së dy shpejtësive“. Analistët politikë vlerësojnë se një krizë e re mund të shpërthejë sërish shkaku i mungesës së perspektivës së qartë evropiane.

Shkruan: Enis Shaqiri

Diskutimet e fundit për zgjerimin e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030 kanë sjellë shpresë dhe dilema për Maqedoninë e Veriut. Mesazhet nga udhëheqësit evropianë janë të ndryshme dhe kanë hapur dilema në opinionit në RMV: Çfarë nënkuptojnë këto deklarata për Maqedoninë e Veriut si dhe a mund të ketë pasoja serioze politike, kur dihet se procesi i ndryshimeve kushtetuese tashmë ka filluar?

Në kohën kur ne po përgatisim agjendën e ardhshme të BE-së, duhet të vendosim para vetes edhe caqe të qarta. Unë besoj se ne duhet të jemi gati, nga të dyja anët, që më 2030 të zgjerohemi. Kjo do të thotë se buxheti i ardhshëm shumëvjeçar duhet të përfshijë edhe këto qëllime tona. Kjo është shumë ambicioze, por e domosdoshme. Dëshmon se ne jemi serioz. Do të krijojë momentum”, theksoi Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Përveç shpresës për zgjerim, Michel theksoi edhe nevojën për zgjidhjen e konflikteve të kaluara mes vendeve të rajonit që mund të ndikojnë në procesin e zgjerimit.

Nuk ka bashkëpunim pa pajtim. Dhe, të jemi shumë të qartë, nuk ka vend në BE për konfliktet e së kaluarës”.

Duket se deklaratat e Presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Charls Michel, kanë gjetur reflektim te krerët evropian.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë një fjalimi para ambasadorëve francezë në Paris, më 28 gusht 2023.

Është e rrezikshme të mendojmë se ne mund të zgjerohemi pa reforma. Mund të dëshmoj se është mjaft e vështirë për Evropën të bëjë përparim në tema të ndjeshme me 27 anëtarë. Me 32 ose 35 anëtarë, nuk do të jetë më e lehtë”, tha Macron në takimin vjetor të ambasadorëve francezë në Paris. “Na nevojitet guxim për të pranuar një integrim më të madh në disa fusha dhe ndoshta edhe një Evropë me shpejtësi të ndryshme,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, nga kabineti i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë theksuar se duhet shumë punë para se të pranohen anëtare të reja. “Ne nuk jemi të fokusuar në një datë, por të fokusuar në punën shumë të ngushtë me vendet kandidate për t’u përgatitur për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian,” tha zëvendës zëdhënësja e Komisionit, Dana Spinant.

Ajo shtoi se Michel nuk ishte konsultuar me von der Leyen rreth përmbajtjes së fjalimit të tij të zgjerimit, të hënën në një konferencë në Bled të  Sllovenisë.

RUZHIN: MACRON NUK ËSHTË KUNDËR PRANIMIT TË ANËTARËVE TË RINJ NË BE

Për ish ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në NATO, Nano Ruzhin, deklarata e presidentit francez, Emanuel Macron, nuk nënkupton se është kundër pranimit të anëtarëve të rinj në Bashkimin Evropian. Ai në një prononcim për REL tha se me shprehjen “Evropa me shpejtësi të shumëfishta”, Macron në fakt po kërkon funksionalitet më të madh brenda vetë Bashkimit Evropian.

Interesante është se si Macron e sheh integrimin evropian – Ai fjalë për fjalë e tha këtë –
„Nevojitet më shumë integrim për çështjet kryesore politike me të cilat përballet BE”. Supozoj se këtu ai flet për më shumë shtetet anëtare në BE, në vend të asaj kur foli para disa vitesh se duhet reforma fillimisht pastaj zgjerimi, këtë herë ai nuk tregoi njëfarë sensi të proceseve kundër zgjerimit të BE-së. dhe nuk tregoi ndonjë euro-skepticizm, por vetëm tha se sot BE-ja funksionon shumë vështirë dhe është shumë e vështirë të gjesh disa pika të përbashkëta të funksionimit dhe menaxhimit me 27, dhe thotë se çfarë do të ndodhë kur të bëhet komunitet. me 32 apo 35 anëtarë? “Prandaj interpretimi se praktikisht Macron e vë në pikëpyetje zgjerimin e BE-së, por përkundrazi e sheh realisht se do të zgjerohet
”, thotë Ruzhin, duke shtuar se dimensioni i dytë që del nga ky fjalimi i Macronit është në një farë mënyre në kërkim të një Bashkimi Evropian më efikas. Prandaj, thotë ai, Macron insiston në aspektin e menaxhimit apo vendimmarrjes hierarkike në BE.

NEZIRI: NJË KRIZË E RE MUND TË SHPËRTHEJË SËRISH

Nga ana tjetër analisti politik, Xhelal Neziri, në një kolumn për KDP.MK, shprehet se një krizë e re mund të shpërthejë sërish shkaku i mungesës së perspektivës së qartë evropiane. Ai thotë se frustrimet ballkanike shpesh shpërthejnë në konflikte.

Para një jave në vend nisi procesi i ndryshimeve kushtetuese për të zbatuar pikërisht Propozimin Francez, që hoqi veton bullgare. Ky propozim kërkon ndryshime kushtetuese në RMV që, midis tjerëve, edhe bullgarët etnikë të përfshihen në preambulë. Opozitarja VMRO-DPMNE, votat e të cilës janë kyçe për të kaluar ndryshimet në Parlament, i kërkon qeverisë të presë e të mos e zbatojë Propozimin. Ideja e Macronit sikur shkon në favor të këtij qëndrimi, edhe pse shkëputja e RMV-së nga pakoja me Shqipërinë dhe lënia në një grup me BeH dhe Kosovën padyshim se sjell rreziqe të mëdha. Këtë e tha edhe diplomati i lartë amerikan, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij në Shkup javën e kaluar,” shkruan Neziri

Sipas Nezirit, kjo është vonesa më e madhe e zgjerimit të BE-së që nga 1957-ta.
Ai shtonë se “Maqedonia e Veriut e para nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në vitin 2001 dhe fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2005, kur Serbia dhe Mali i Zi ende ishin një federatë. Në vitin 2009 mori rekomandimin e parë të Komisionit Evropian për fillimin e negociatave. Megjithatë, negociatat u pamundësuan shkaku i vetos nga Greqia për emrin, nga Franca për Metodologjinë e re dhe së fundmi nga Bullgaria për historinë”.

PËRPLASJE MES LSDM-S DHE VMRO-DPMNE-SË

Ndërkohë, deklaratat e krerëve të BE-së, interpretohen ndryshe nga partitë politike në vend.

LSDM-ja ditë më parë tha se kreu i Këshillit Evropian Charles Michel konfirmoi se BE-ja është e gatshme për zgjerim në përputhje me pritshmëritë e pushtetit, në vitin 2030. Andaj ata ftojnë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Ne duhet patjetër ta shfrytëzojmë këtë sinjal shumë të rëndësishëm nga BE-ja. Për ne si shtet që i ka nisur negociatat dhe që është duke e përfunduar skriningun është arsye shtesë për të cilën nuk guxojmë ta lëshojmë këtë mundësi. Përpjekjet e VMRO-DPMNE-së për bllokim nuk guxojmë që të lejojmë të ndodhin, nuk guxojmë vetë të bllokojmë rrugën drejt BE-së, prandaj është e rëndësishme të sjellim vendim shtetëror për ndryshim të Kushtetutës”, tha Darko Kaevski, LSDM.

Megjithatë, qeveria nuk e komentuar ende deklaratën e Macron-it

Ndryshe nga Qeveria, opozitarja VMRO-DPMNE, thotë se deklaratat e presidentit francez Emanuel Makron nga ana tjetër, dëshmon se ndryshimet kushtetuese nuk janë garancë për anëtarësim të plotë.

Nga njëra anë e kemi këtë deklaratë kurse nga ana tjetër e kemi deklaratën e Makron i cili thotë se BE-ja së pari duhet të reformohet dhe më pas të pranojë anëtare të reja. Ky është vërtetim për atë që e themi se absolutisht nuk ka asnjë garancë se edhe po të bëhen këto ndryshime, vendi do të vazhdojë drejt BE-së. Gabimi i qeverisë tonë është që të gjithë procesin e thuri shpejt dhe me premtime të cilat tani s’mundet t’i përmbushë”, u shpreh Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

 

 

 

Të fundit