Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel në Forumin e Bledit në Slloveni tha se deri në vitin 2030 Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate për anëtarësim do të duhet të jenë të gatshme për zgjerim, por me kusht të kenë zgjidhur konfliktet dypalëshe. Komisioni Evropian (KE), ndërkaq, mendon se nuk duhet të fokusohemi te datat, por te plotësimi i kritereve. Kurse njohësit e rrethanave gjeopolitike, për KDP.MK theksojnë se deklaratat e tilla vijnë pikërisht në njëzet vjetorin e deklaratës së Selanikut, ku atëbotë Unioni Evropian përcaktoi edhe zyrtarisht strategjinë për të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Shkruan: Enis Shaqiri
Një ditë pas deklaratës shpresëdhënëse të Kryetarit të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Charls Michel, se duhet të ketë zgjerim deri në vitin 2030, Kryetarja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen mendon se fokusi nuk duhet të jetë te data, por te kushtet e anëtarësimit. Gjatë forumit në Bled Michel dërgoi mesazh se viti 2030 do të duhej të ishte afati deri kur BE-ja dhe vendet kandidate për anëtarësim të jenë të gatshme për zgjerim. Mirëpo deri atëherë, ajo që duhet bërë, sipas Michel, është se vendet e Ballkanit Perëndimor “duhet të zgjidhin konfliktet e tyre dypalëshe”. “Në kohën kur ne po përgatisim agjendën e ardhshme të BE-së, duhet të vendosim para vetes edhe caqe të qarta. Unë besoj se ne duhet të jemi gati, nga të dyja anët, që më 2030 të zgjerohemi. Kjo do të thotë se buxheti i ardhshëm shumëvjeçar duhet të përfshijë edhe këto qëllime tona. Kjo është shumë ambicioze, por e domosdoshme. Dëshmon se ne jemi serioz. Do të krijojë momentum”.
“Nuk ka bashkëpunim pa pajtim. Dhe, të jemi shumë të qartë, nuk ka vend në BE për konfliktet e së kaluarës”, tha Michel.
Nga ana tjetër, nga kabineti i von der Leyen tha se duhet shumë punë para se të pranohen anëtare të reja. “Ne nuk jemi të fokusuar në një datë, por të fokusuar në punën shumë të ngushtë me vendet kandidate për t’u përgatitur për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian,” tha zëvendës zëdhënësja e Komisionit, Dana Spinant.
Ajo shtoi se Michel nuk ishte konsultuar me von der Leyen rreth përmbajtjes së fjalimit të tij të zgjerimit, të hënën në një konferencë në Bled, Slloveni.
ABDULLAHI: ZGJERIMI I BE-SË PO BËHET IMPERATIV
Megjithatë, ish-ambasadori Enver Abdullahi është i mendimit se deklarata e Presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel, vjen pikërisht në njëzet vjetorin e deklaratës së Selanikut, ku për herë të parë BE përcaktoi edhe zyrtarisht strategjinë për të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Abdullahi në një prononcim për KDP.MK, thotë se situata aktuale në kontinentin e Evropës me luftën në Ukrainës vetëm se e shton imperativin e kursimit të zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“BE parasëgjithash është shumë aktive në tejkalimin e mosmarrëveshjeve fqinjësore të vendeve të Ballkanit dhe kjo përmbledhje e udhëheqësve të lartë të BE-së janë shumë të interesuar të përshpejtojnë proceset e nisjes së bisedimeve me shtetet kandidate nga Ballkani Perëndimor. Sepse, vitin e ardhshëm janë zgjedhjet për përfaqësin parlamentar evropian, shtuar kësaj edhe zgjedhjet presidenciale në SHBA të cilat e rrisin nevojën për një rezultat më optimist në procesin e zgjerimit të BE-së”, thekson Abdullahi.
Ndryshe, mesazhi i Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, nga ana Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është vlerësuar si një mundësi që duhet shfrytëzuar, dhe së bashku të përfundohen detyrat e ndryshimeve kushtetutese.
KOVAÇEVSKI: MAQEDONIA E VERIUT KA TREGUAR SE MUND TË MARRË VENDIME TË VËSHTIRA
Sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, Maqedonia e Veriut, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, ka dëshmuar se është më e mirë në shumë aspekte, si në kuptim të implementimit të legjislaturës evropiane, stabilitetit mikro financiar, që u dëshmua ga BE-ja dhe instrumentet e BE-së.
Kovaçevski i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiqin, dhe shefin e diplomacisë Bujar Osmanin, në forumin e Bledit u shpreh i bindur se RMV ka treguar se mund të marrë vendime të vështira dhe të guximshme. “Jam i bindur se Maqedonia e Veriut tregoi se mund të marrë vendime të vështira dhe të guximshme dhe nga secili prej tyre dolëm si vend më i fuqishëm. Nga vendet e vjetra kandidate, jemi më të mirët në shumë aspekte në kuptim të implementimit të legjislaturës evropiane, stabilitetit mikro financiar, që u dëshmua ga BE-ja dhe instrumentet e BE-së. Për këtë shkak them se viti 2030 është i realizueshëm si qëllim”.
Ai në një deklaratë për MIA-n gjithashtu tha se u takon deputetëve gjatë këtij procesi të binden për korrektësinë e votimit për Evropën.
“Për sa i përket vetë procesit, u tha qartë se kriteret për anëtarësim janë ato që thuhen praktikisht në kuadrin tonë të negociatave, se procesi i reformës është ajo nga e cila varet vetë procesi i anëtarësimit dhe se për ne si vend kandidat për anëtarësim mbesin ato detyrime që kemi dhe se edhe BE-ja i përmbush obligimet e veta“, tha Kovaçevski, duke shtuar se Maqedonisë së Veriut, në këtë moment i duhet integrim, e jo izolim.
Në një vijë është edhe zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq. Ai thotë se pritja nuk duhet të jetë strategjia që duhet zgjedhur.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për proces shtetëror, ose vetëm për qëllime strategjike. Bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe suksesin e vendit. BE-ja ka dhënë një afat kohor dhe i ofron një perspektivë evropiane rajonit për integrimin evropian, prandaj pritja nuk duhet të jetë strategjia që ne zgjedhim. Detyrimi ynë është që të përfitojmë nga momenti dhe të kryejmë së bashku detyrat, me fokus të veçantë në reformat, të shpejtojmë që në vitin 2030 Maqedonia e Veriut të jetë shtet anëtare e BE-së”, ka shkruar Mariçiq, në facebook.
Ndërsa ministri i Punve të Jashtme, Bujar Osmani, është shprehur i bindur se procesi për Ndryshimet Kushtetuese në shtet do të përfundojë me sukses në javët dhe muajt në vijim.
“Procesi ka filluar, siç e shihni, e tërë bota, edhe SHBA-ja edhe BE-ja, e përshëndetën vendimin për ta filluar procesin. Jam i bindur se ky proces do të përfundojë me sukses në javët dhe muajt në vijim”, ka deklaruar Osmani për MIA-n gjatë pjesëmarrjes në Forumin strategjik të Bledit.
VMRO-DPMNE: DEKLARATAT E PRESIDENTIT FRANCEZ EMANUEL MACRON DËSHMOJNË TË KUNDËRTËN
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE, mbetet përsëri në qëndrimin se nuk do të lejojë ndryshime kushtetuese. Nga kjo parti, për bazë kanë marrë deklaratën e Presidentit francez Emanuel Macron, i cili të hënën (28 gusht), në një fjalim vjetor para ambasadorëve francezë në Paris tha se “është rrezik të mendojmë se mund të zgjerohemi pa reformë. Mund të dëshmoj se është mjaft e vështirë për Evropën të përparojë në tema të ndjeshme me 27 vende anëtare. Me 32 ose 35 anëtare, s’do të jetë më e lehtë”. Nga kjo parti thonë se deklarata e lartë-përmendur dëshmon se ndryshimet kushtetuese nuk janë garancë për anëtarësim të plotë.
“Nga njëra anë e kemi këtë deklaratë kurse nga ana tjetër e kemi deklaratën e Makron i cili thotë se BE-ja së pari duhet të reformohet dhe më pas të pranojë anëtare të reja. Ky është vërtetim për atë që e themi se absolutisht nuk ka asnjë garancë se edhe po të bëhen këto ndryshime, vendi do të vazhdojë drejt BE-së. Gabimi i qeverisë tonë është që të gjithë procesin e thuri shpejt dhe me premtime të cilat tani s’mundet t’i përmbushë”, u shpreh Marija Miteva, VMRO-DPMNE.
Ndërsa lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski shprehet se Qeveria nuk ka kredibilitet dhe legjitimitet poilitik dhe se është logjike kërkesa për zgjedhje të parakohshme.
“Kemi Qeveri që nuk ka kredibilitet, ndërsa do të thoja edhe legjitimitet politik sepse politika e tyre kryesore kanë qenë ndryshimet kushtetuese nën diktat bullgar. Kanë kaluar 10 ditë nga debati për ndryshimet kushtetuese, është votuar për rendin e ditës dhe ishte e qartë se nuk ka shumicë që të realizohet ajo që duhet”, tha Mickoski.
Deklarata e Mickoskit, për ish-ambasadorin Abdullahi, interpretohet në funksion të politikës së ngushtë partiake dhe sipas tij është jashtë kontekstit të politikës konsensuale strategjike që ka vendi që nga mëvetësimi. Ai thotë se më që ndryshimet kushtetuese janë një obligim që vendi ka marrë nga Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, zgjedhjet nuk janë zgjidhje.
“Deklaratat e kryetarit të partisë më të madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut janë ekskluzivisht në funksion të politikës së ngushtë partiake dhe është jashtë kontekstit të politikës konsensuale strategjike që ka vendi që nga mëvetësimi. Zgjedhjet nuk janë zgjidhje për momentin, më që ndryshimet kushtetuese janë një obligim që vendi ka marrë nga Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë dhe më vonë me kornizën negociuese me BE (i ashtuquajturi propozimi francez) andaj s’ka se si të zhbehet krejt ajo kornizë negociuese, interpretimi me pretekstin e politikës së ngushtë partiake, e ashtuquajtura “diktat bullgar” është vetëm një argumentim sofistik-apologjetik rreth mospasjes së alternativës për mosvotim të ndryshimeve kushtetuese. Prandaj, besoj se shtypja nga ndërkombëtarët por edhe nga vetë anëtarësia e partisë do të rritet në javët dhe muajt në vijim që të arrijmë deri tek rezultatet e nevojshme për ndryshimet”, thotë Abdullahi, duke mos besuar në skenarion e kthimit në ngërç politik, që sipas tij, do të rezultonte në izolim të vendit dhe do të kishte qenë fajtore për një izolim dhe ngulfatje të mëtutjeshme në procesin e anëtarësimit të vendit me implikacione, siç thotë ai, edhe rajonale.
Kujtojmë se në forumin e Bledit pjesëmarrës ishte edhe kryeministri bullgar, Nikollaj Denkovi, i cili deklaroi se Qeveria bullgare nuk ka arsye ta ndryshojë qëndrimin ndaj Maqedonisë së Veriut, dhe se pret që Shkupi zyrtar, t’i përmbushë detyrimet ndaj Bashkimit Evropian.
“Absolutisht jo dhe nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar qëndrimin tonë. Me zbatimin e të ashtuquajturit propozim francez, si rezultat i të cilit u hoq vetoja, biseda në fakt nuk është më mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Ajo që pritet është që ata të përmbushin detyrimet e tyre ndaj BE-së”, theksoi Denkov, duke nënvizuar se “nuk ka arsye për të ndryshuar qëndrimin pasi bisedimet tani janë midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së”.
Forumi Strategjik i Bled-it është konferenca udhëheqëse në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Ajo mbahet çdo vit në fund të verës në rrethinat piktoreskе alpine të liqenit Bled në Slloveni.